EmailFacebookKontakt

Drejtësia e Perëndisë gjithmonë triumfon

Ne besimtarët Orthodhoksë të qytetit të Tepelenës e të Memaliajt lexuam me indinjatë të thellë artikullin “Një milion dollarë sponsorizon prifti Janullatos në Bashkinë e Tepelenës për ngritjen e tri kishave në atë qytet”, botuar në gazetën “55”, datë 29.2.2000, nga një farë M.T.

Eshtë një shkrim plot shpifje të ulëta, që mundohet të mbjellë e të ushqejë urrejtje ndaj Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale dhe besimtarëve të saj. Atje thuhet: “Në qytetin e Tepelenës ka shekuj që nuk ekziston kisha dhe s’ka pse, sepse atje nuk ka të fesë Orthodhokse më tepër se njëzet – tridhjetë vetë.”

Kjo është me të vërtetë një gënjeshtër monstruoze. Në qytetin e Tepelenës ka ekzistuar Kisha e Shenjtë Orthodhokse gjer në vitet e para pas çlirimit të vendit. Kjo Kishë ndodhej në lagjen “15 Shtatori”, para spitalit të sotëm të qytetit. Këtë e mbajnë mend të gjithë qytetarët e moshuar, të cilët flasin me realizëm për funksionin e saj. Organet gjyqësore dhe Komisioni i Kthimit të Pronave na e njohën të drejtën e kompesimit të truallit të saj në masën 2500 m2, dhe sot në truallin e Kishës ne kemi ngritur një konismë…

…Dhe gënjeshtra vazhdon me bisht më të gjatë: “Në Tepelenë nuk ka të fesë Orthodhokse më tepër se njëzet – tridhjetë vetë.” Si jua nxjerr goja këtë mashtrim? A nuk menduat se do të bëheshit qesharakë përpara qytetarëve të Tepelenës, që e njohin mirë njeri – tjetrin, sepse i bashkon dashuria e respekti për shoshoq edhe pse janë të besimeve të ndryshme?! Dokumentet, regjistrat aktuale dhe realiteti vërtetojnë plotësisht se në Tepelenë janë rreth 200 familje Orthodhokse, plus rreth 50 familje të kryqëzuara, me mbi një mijë banorë. Po kaq familje Orthodhokse ka dhe në qytetin e Memaliajt. Po kështu, në rrethin tonë janë tri fshatra orthodhoksë, ku në secilin prej tyre ka pasur nga 5 – 6 kisha, gjer në kohën kur u prishën nga regjimi komunist. E si atëherë guxoni e thoni se i gjithë Rrethi paska 455 Orthodhoksë, kur në fakt janë mbi tre mijë të tillë? Ne jemi krenarë për besimin tonë të ruajtur pë dy mijëvjeçarë. …Ku të falemi ne, more zotërinj, ku t’i kryejmë liturgjitë dhe ritet e shenjta, ku më mirë se në Kishë, të bashkuar si vëllezër, do të predikojmë paqen, dashurinë, mëshirën, ndihmën dhe mirësinë e Zotit Krisht?

Ne besimtarët Orthodhoksë të Tepelenës e të Memaliajt kemi dhjetë vjet që po përpiqemi të ngremë kishat tona. Kjo është dëshira jonë më e zjarrtë, për të cilën diskutojmë sa herë që mblidhemi bashkë. Por gjer më tani na kanë penguar, nuk na kanë dhënë një copë vend, edhe pse na takon në kompesim të truallit të Kishës së dikurshme. Janë ngritur vila, dyqane, kioska, disko, bilardo e pijetore, me leje dhe pa leje. Gjithçka pranohet, vetëm rindërtimi i Kishës është penguar. Dhe tani që erdhi dita e mbarë dhe janë miratuar sheshet e ndërtimit, përsëri po na pengojnë…

Në artikull gënjëhet e thuhet sikur në qytetin e Teplenës po ngrihen tri kisha Orthodhokse, kur në fakt aty nuk po ngrihet dot asnjë, pa le më tri. Ose, thuhet se “ilegalisht” (pa leje ndërtimi) po ngrini kishën e dytë në Lekël, kur ai është një fshat tradicionalisht orthodhoks dhe vetëm sa po meremetohet një nga shtatë kishat që ka pasur fshati, e ndërtuar që në kohën e Ali Pashës dhe që ka vlera të rralla arkitektonike.

Dhe si në të gjitha shkrimet antiorthodhokse, edhe tek ky, për të cilin po flasim, nuk mund të mos shpifej ndaj Kryepiskopit tonë të nderuar, Fortlumturisë së Tij, Prof. Dr. Anastasit. Ne besimtarët e krishterë Orthodhoksë jemi shumë të lumtur e krenarë që kemi në krye të Kishës sonë një personalitet të tillë të rrallë, i njohur dhe i nderuar në të gjithë botën. Duke pasur mbështetjen e plotë të të gjithë besimtarëve Orthodhoksë, ai ka punuar e po punon me një pasion e vullnet hyjnor për ngritjen nga themelet të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për gjallërimin e besimit tonë, për edukimin e mijëra e mijëra njerëzve me normat më të larta e më të bukura që burojnë nga Ungjilli ynë i Shenjtë. Ai e bëri Kishën tonë të denjë për të qëndruar krenare përkrah shoqeve të saj. Ai, për ne shqiptarët dhe besimtarët e thjeshtë, hap themele dhe ndërton Dashuri Perëndie: kisha, shkolla, kopshte fëmijësh, spitale, klinika e institucione të tjera bamirësie, që të na shërojë e lehtësojë dhimbjet e kohës.

Ky njeri i madh bamirës ka ardhur edhe në Tepelenë dhe me dorën e Tij bujare ka dhuruar e shpërndarë miliona lekë mallra për kosovarët e përndjekur nga lufta, duke marrë mirënjohjen, dashurinë dhe respektin e tyre të thellë. Por për të mirat e Tij të panumërta ju s’thoni kurrë gjysmë fjale.

Na vjen shumë keq, që ju zotërinj, drejtues të gazetës “55”, e njollosni atë me shpifje e gënjeshtra nga më të rrezikshmet, për të nxitur luftë ndërfetare në Shqipëri. Faqet e gazetës suaj bien erë barut e dinamit, prandaj ju lutemi, flisni për paqen e jo për luftën, flisni për miqësinë e dashurinë e jo për urrejtjen, se një gjë është e sigurt: e liga sjell gjithnjë të ligën, ndërsa drejtësia e Perëndisë gjithmonë triumfon.

Llukan S. Stavro
Kryetar i Këshillit Orthodhoks Tepelenë