EmailFacebookKontakt

“Dostojevski nuk ndihej i vetmuar”

Më 24 dhjetor, në mjediset e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” u bë promovimi i librit “Dostojevski nuk ndihej i vetmuar”, përshtatur për botim prej Z. Andrea Llukani. Ai është një përmbledhje biografiko – artistike e jetës dhe veprës së kolosit të letërsisë ruse e botërore, Fjodor Dostojevski.

Në këtë libër, i cili botohet me bekimin e Kryepiskopit Anastas, përmbahen pjesë të jetës së shkrimtarit thellësisht orthodhoks, ngjarje nga jeta e tij plot vuajtje e dhimbje, por e mbushur nga prania e Perëndisë, si edhe pjesë shtjelluese të disa prej veprave të tij më të njohura, si: “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, “Idioti”, “Vëllezërit Karamazov”, “Djajtë”. Në fund, mbyllet me fragmente të zgjedhura prej tyre.

Në promovim ishin ftuar edhe shkrimtari Gaqo Bushaka etj. Foli edhe autori i librit, i cili tregoi për mënyrën e përmbledhjes së materialit dhe se si e strukturoi atë.

Pas kësaj, programi vazhdoi me copëza proverbash e anekdotash dhe me skeçe të përgatitura nga studentë të Akademisë.

Korresp. i “Ngjalljes”

(Parathënia e librit)

Veprën e Dostojevskit, këtij shkrimtari të madh rus, autori i këtij libri e kishte lexuar prej kohësh, por u thellua në të, kur studionte në Universitetin Kombëtar Kapodistria të Athinës, në degën e Teologjisë sociale. Ndiqte me interes të veçantë leksionet fakultative në lëndën: “Analiza filozofike dhe teologjike e letërsisë”, ku trajtoheshin disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, që kishin karakter të krishterë. Ndër to, mbresa të veçanta i la libri i profesorit Makraqi “Dostojevski, Pësimi dhe Liria”, botuar në Athinë më 1994.

Nga ky libër ka përgatitur një përzgjedhje temash, duke i konkretizuar edhe me pasazhet nga veprat e Dostojevskit, si “shkrimtari i fatkeqësive”. Pikërisht, këtu qëndron edhe vlera, sepse tema që trajton për dhimbjen dhe pësimin në raportet e tyre me shpëtimin e lirinë, përbëjnë edhe moton e kohës që po jetojmë.

Në këtë vepër synohet të tregohet dhimbja shpirtërore. Me këtë problem duhet të përballet, veçanërisht njeriu i sotëm me braktisjen e tij nga të tjerët, me shkëputjen nga çdo lloj vlere shpirtërore. Dhe nga çdo lloj shprese për të ardhmen. Eshtë dëshpërimi, ankthi e pasiguria që jetojmë, të cilat, në mënyrë të ndërgjegjshme, ashtu si pa kuptuar, përbëjnë fatkeqësinë më të madhe, duke na krijuar dhimbjen shpirtërore.

Pra, leximi i librit, ku na përshkruhet fuqia shpëtimtare e dhimbjes, si dhe gëzimi nëpërmjet saj, duke mbajtur lart ikonën e Krishtit, i cili do të na zbulohet nëpërmjet leximit të Ungjillit, do të jetë edhe motoja e jetës sonë.

Gaqo Bushaka