EmailFacebookKontakt

Dorëzohet një prift i ri për Mitropolinë e Elbasanit

Në Mitropolinë e Elbasanit, më 21 nëntor 2023 e kremtja e Hyrjes së Hyjlindëses së Tërëshenjtë në Tempull u shoqërua edhe me një kremtim e gëzim të veçantë. Gjatë Liturgjisë Hyjnore, të kryesuar nga Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni, u krye edhe hirotonia në prift e dhjakonit Andrea Ranxha. Ai meshoi së bashku me klerikë të tjerë të Mitropolisë, në kishën e Shën Nikollës.

Në fjalën e mbajtur gjatë dorëzimit, Hirësi Andoni u ndal në analogjinë që përmban kjo festë, por dhe mesazhet e saj, me ato të jetës së kandidatit për prift, i cili, që i vogël, si biri i një prifti, u rrit pranë tempullit të Zotit dhe shërbesave kishtare, duke u edukuar me besimin e Krishterë Orthodhoks dhe fjalën e Perëndisë. Shërbimi tashmë si prift përmban, përveç privilegjit, edhe përgjegjësinë për të përmbushur misionin që Perëndia na ka caktuar, me dashuri ndaj Tij dhe grigjës që na është besuar.

Në fund, të pranishmit uruan priftin e ri Andrea, që të denjësohet me hirin e Zotit, për shërbesën e tij. I denjë!

A. O.