EmailFacebookKontakt

Dorëzimi i Hieromonak Ignatit në të kremten e ndritshme të Shën Spiridhonit

Mitropolia e Beratit

Dorëzimi i Hieromonak Ignatit në të kremten e ndritshme të Shën Spiridhonit

Më 12 dhjetor u kremtua me madhështi panairi i të kremtes së Shën Spiridhonit, në lagjen Goricë të qytetit të Beratit. Në këtë kishë historike, gëzimi ishte i dyfishtë, pasi prej Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësi Astit, u krye misteri i hirotonisë në prift të hierodhjakon Leonidha Todrit, i cili tashmë do të mbajë emrin Ignat.

***

Hieromonaku Ignat (Leonidha) Todri, i biri i Vangjelit dhe i Dritës, ka lindur në Gradishtë të Divjakës në datën 23 shkurt 1978. Pasi kreu formimin e përgjithshëm në shkollën e Fier-Seman-it, në vitin 1998, vazhdoi studimet 3 vjeçare në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit. Shërbimin si katekist dhe predikues e filloi në vitin 2003 deri në vitin 2017. Shërbeu me devotshmëri, duke përhapur fjalën e Perëndisë në qytetet dhe fshatrat e Mitropolisë së Beratit. Në Prill të vitit 2017 ndoqi thirrjen e përkushtimit të plotë dhe u dorëzua murg dhe hierodhjakon nga Ish-Mitropoliti i Beratit, i ndjeri Hirësi Ignati, detyrë të cilin e mbajti me sukses deri më 12 dhjetor 2024, ditë në të cilën Mitropoliti Imzot Asti e dorëzoi në gradën e Hieromonakut.

Atë Ignati është një klerik i përgatitur, flet disa gjuhë të huaja, anglisht, italisht, greqisht dhe lexon gjermanisht. Gjithashtu është studiues i rregullt i Ungjillit dhe librave kishtarë. Ai u dallua në përkushtimin e veçantë ndaj Mitropolitit Ignat, të cilit i qëndroi pranë duke i shërbyer me vetëmohim gjatë periudhave të vështira të shëndetit të rënduar. Duke dashur të thellojë edhe më tepër këtë lidhje shpirtërore me Mitropolitin e ndjerë Ignatin, zgjodhi të mbajë emrin e Tij.

Qoftë i denjë atë Ignati!

Atë Joan Qako