EmailFacebookKontakt

Doli në qarkullim libri i ri “Uratore e vogël”

Kohët e fundit klerikët, psaltët, studentët e teologjisë dhe gjithë ata që merren me shërbesat e shenjta morën në duar librin “Uratore e Vogël”, që është një hap tjetër i rëndësishëm në botimet e kishës sonë. Po japim më poshtë parathënien e Fortlumturisë së Tij Prof. Dr. Anastasit.

PARATHËNIE

“Në lutje të këmbëngulni, të merrni pjesë në nevojat e shenjtorëve” (Rom. 12:12-13)

Në këtë përmbledhje janë përfshirë Shërbesat e Shenjta, të Mistereve të Pagëzimit dhe Mirosjes, të Martesës, Rrëfimit, Efqelisë dhe Shërbesat e Ajazmës së Vogël, e Paraklisit të Hyjlindëses së Përmbishenjtë, Shërbesat e Varrimit, si dhe Uratat për raste të ndryshme.

Ky botim plotëson përmbledhjen paraardhëse “Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse”, Tiranë 1994, ku janë përfshirë Shërbesat e Mbrëmjes, Mëngjesit, tri Liturgjitë Hyjnore të Shën Joan Gojartit, Vasilit të Madh dhe e të Parashenjtëruarave, si dhe Shërbesa e Kungatës Hyjnore. Përkthimi i Shërbesave të Ajazmës së Vogël, Pagëzimit, Martesës, të Varrimit, është bazuar sidomos në botimin e vitit 1961. Ai u është përshtatur kërkesave të gjuhës së sotme. Këtij botimi i janë shtuar: Shërbesat e Rrëfimit, Efqelisë, Paraklisit dhe shumë urata të reja për nevojat aktuale. Falënderime u takojnë të gjithë atyre që u lodhën për përgatitjen e këtij vëllimi, sidomos atyre që punuan për përkthimin e teksteve plotësuese që për herë të parë botohen në shqip. Çdo përkthim është e natyrshme të ketë mangësi, ndonjëherë të theksuara. Megjithatë, nevojat e ngutshme liturgjike dhe pimantike na detyrojnë që të ndërmarrim këtë botim, me gjithë mangësitë e mundshme. Propozimet për përmirësime do të merren parasysh në një botim të ri.

Shërbesat e Shenjta që përfshihen në këtë përmbledhje, së bashku me Liturgjinë Hyjnore, formojnë shtyllën kurrizore të jetës së mistershme dhe shenjtëruese të Kishës sonë. Ndaj, ky libër i vogël është i çmuar për kryerjen e detyrave nga ana e klerikëve orthodhoksë. Priftërinjtë, të lidhur ngushtë me Episkopin e tyre, kanë privilegjin nga Perëndia për të pritur besimtarët në kishë, për t’i pagëzuar ata, për t’i mirosur, të luten për të sëmurët, të rrëfejnë dhe të bëhen mbartës të hirit të Shpirtit të Shenjtë. Gjithashtu, në çdo çast kritik të çojnë shenjtërimin në shtëpi, në ara, të marrin pjesë në nevojat e të krishterëve – “të merrni pjesë në nevojat e shenjtorëve…”. Ata dërgohen nga Perëndia që, me fuqinë e lutjes, hirin e mistereve dhe, në përgjithësi, me praninë e tyre hieratike, të mbështesin besimtarët, duke u gëzuar me ata që gëzojnë dhe duke vajtuar me ata që vajtojnë (Rom. 12:15); të ngushëllojnë dhe të udhëheqin popullin nga ana shpirtërore.

Misteret e Kishës duhet të kryhen nga çdo klerik me shpresëtari të ndërgjegjshme. Tekstet të lexohen me kujdes, qartë, me ndjesinë se prifti i drejtohet të Gjithëpushtetshmit, “Perëndisë së Tërëshenjtë e të Paanë Triadik”. Lëvizjet e përcaktuara nga dispozitat formale duhet të jenë serioze dhe shpresëtare. Përqendrimi dhe përdëllimi i priftit gjatë kryerjes së Shërbesave të Shenjta ndihmon besimtarët për të marrë pjesë me vëmendje në to dhe të marrin dhuratat hyjnore që ofrohen. Gjithçka duhet të zhvillohet në një atmosferë thjeshtësie, përulësie dhe dashurie, përderisa ne përjetojmë mëshirën e Perëndisë, i Cili është Dashuri.

Lutja dhe adhurimi i përbashkët shprehin, ruajnë dhe fuqizojnë jetën më Krishtin të orthodhoksëve. Dhe kryerja e drejtë e Shërbesave të dhëna, për të cilën shpresojmë se do të ndihmojë edhe ky botim, kontribuon në përjetimin e ndërgjegjshëm të Mistereve të Shenjta dhe të Shërbesave të tjera të Shenjta. Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, duke e jetuar intensivisht, në përdëllim dhe ngazëllim adhurimin orthodhoks, jep dëshminë e saj në botën e sotme, duke shpallur në mënyrë dhoksologjike dëshirën dhe mirënjohjen për ardhjen e Mbretërisë të Perëndisë së dashurisë; ajo tashmë ka ardhur, por edhe pritet me aspiratë shpresëdhënëse të përmbushet me plotësimin e kohëve.

+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
Shtator, 2003