EmailFacebookKontakt

Dokumentari “Heroi i besimit” dhe libri “Poema e jetës”

Me rastin e 25-vjetorit të jetëndërrimit të episkopit të Apollonisë, të lumurit imzot Kozma Qirjo, Radio Ngjallja realizoi për herë të parë një dokumentar përmbledhës të jetës dhe veprës heroike të imzot Kozmait, i njohur në vitet e komunizmit si papa Kozmai, i cili nuk e ndaloi shërbesën e klerikut me gjithë presionin dhe rrezikun për humbjen e lirisë dhe të jetës.

Dokumentari i quajtur “Heroi i besimit”, përmban të dhëna, dëshmi dhe opinione të cilat na mësojnë për jetën e këtij njeriu të shenjtë. Teksti dhe realizimi intervistave u krye me ndihmën e çmuar të atë Spiro Bulika, regjia e dokumentarit: Dhjakon Aleksandër Dimroçi, ndihmoi: Mihal Davidhi.

Gjithashtu, u botua edhe libri me poezi shpirtërore të Hirësi Kozmait, të titulluar “Poema e jetës”. Libri u përgatit nga Atë Spiro Bulika dhe z. Andi Rembeci, me parathënie nga Kryepiskopi Joan.