EmailFacebookKontakt

“Doktor Nderi” edhe në Mjekësi, Fizikë dhe Inxhinieri

“Kryepiskopi Anastas – Apostull i Dashurisë, Solidaritetit dhe Humanizmit”

Përveç titujve të nderit në shkencat politike e shoqërorë të shumë Universiteteve, shpallet edhe në shkencat ekzakte. Me rastin e 38-vjetorit të krijimit të Tij, Universiteti i Patras, një ndër më prestigjozët në Greqi, nderoi Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin me titullin Doktor “Honoris Causa” në katër degët e tij: Fizikë, Mjekësi dhe Inxhinieri. Motivacioni, përveç të tjerave, ishte për kontributin e tij të shumanshëm në Afrikë dhe Shqipëri në fushat e arsimit e shkencës, të shëndetit dhe për veprën e tij të pasur ndërtimore në ngritjen e shumë objekteve kishtare e sociale.

Në një ceremoni të ndritur, e cila u përshkua nga shkëlqimi i personalitetit të Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, i veprës dhe i kontributit të madh në ndihmë të njerëzve në nevojë, admirimi i figurës së Kryepsikopit të Shqipërisë ishte kudo i pranishëm tek të pranishmit e shumtë – të gjithë pedagogët, klërikë të lartë, personalitete vendore të Patras dhe studentë – që kishin mbushur auditorin e Universitetit.

Mallëngjyese ishin fjalët e Rektorit të Universitetit z. Nikolaos Zoumbos dhe të dekanëve të degëve përkatëse, të cilët ngritën lart personalitetin, moralin dhe veprën e tij tejet të rëndësishme dhe e cilësuan Atë “Apostull të dashurisë, solidaritetit dhe humanizmit”. “Kryepiskopi Anastas mundi të ringjallte nga hiri Kishën e Shqipërisë, ndërsa vepra e tij hierapostolike është madhështore”, tha ndërmjet të tjerave Rektori i Universitetit. Ndërsa Pedagogu i Fakultetit Pedagogjik z. Aleksandros Kozmopoulos, në fjalën e tij iu referua fushës studimore dhe shkrimeve të Kryepiskopit Anastas, duke nxjerrë në pah kontributin e tij origjinal që në vitet e rinisë, si në Afrikë ashtu dhe në Shqipëri, studimet dhe shkrimet në fusha të ndryshme, aktivitetin e tij të spikatur kishtar dhe social për rimëkëmbjen e Kishës dhe shoqërisë. Ai nënvizoi gjithashtu parimin e respektit që e përshkon dhe peshën e personalitetit të tij.

Nga ana e tij, Kryepiskopi Anastas, pasi shprehu mirënjohjen e thellë dhe falenderimin për nderin ndaj personit të tij, analizoi temën e fjalimit të tij “Fetë dhe varfëria e botës”.

Dhënia e titullit “Doktor Nderi” përkoi edhe me një ngjarje tjetër të rëndësishme të këtij qyteti, me kremtimin e festës së Apostullit të parëthirrur Andrea. Celebrimi i kësaj të kremteje u bë në kishën madhështore katedrale që mban emrin e apostullit, ku është vendosur edhe një pjesë e lipsanit të tij. Liturgjia Hyjnore u kryesua nga Kryepiskopi Anastas, si i ftuar i nderit i Mitropolitit të Patras dhe i Kryetarit të Bashkisë duke bashkëmeshuar me 12 mitropolitë dhe shumë priftërinj. Të pranishëm në Liturgjinë Hyjnore ishin dhe Presidenti i Greqisë, z. Konstantinos Stefanopoulos dhe personalitete të tjera të larta greke, si dhe shumë besimtarë nga i gjithë vendi.

Edhe këtu predikimi u mbajt nga Kryepiskopi, i cili foli për veprën e Apostull Andreas dhe përgjegjësinë që edhe ne “të bëhemi të denjë që pjesën tjetër të jetës sonë të kemi si shembull imitimi dhe kriter ëndrrën e tij apostolike për botën, zellin e tij, burrërinë e tij”. Duke pasur si bazë për këtë porosinë e fundit të Zotit: “Shkoni bëni nxënës gjithë kombet”… (Mt.28:18-20), porosi e cila ndryshoi rrënjësisht mendimin dhe udhëtimin e Andreas dhe e drejtoi në përpjekjen e largët apostolike.

Pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, u krye edhe litania e kryes së Shenjtë të Apostull Andreas nëpër rrugët e qytetit, shoqëruar nga dhjetëra-mijëra besimtarë.