EmailFacebookKontakt

“Do të shkoj të ha së bashku me Zotin”

Fjalët e Krishtit: “Isha i huaj dhe më pritët, isha i sëmurë dhe u kujdesët për mua, isha në burg dhe më vizituat, isha i uritur dhe më dhatë për të ngrënë”, na tregojnë që Ai e identifikon veten me të munduarit, të harruarit, të huajt dhe të varfrit. Të ndihmosh të varfrit është si t’i japësh hua Zotit, thotë shën Joan Gojarti. Brenda çdo njeriu fshihet vetë Krishti, sepse të gjithë jemi ikonë e Perëndisë. Veprat tona të dashurisë, sado të vogla qofshin, më shumë së cilindo, na ndihmojnë të bëhemi njerëz të plotë dhe të vërtetë dhe të mund të dallojmë Krishtin te çdo njeri.

Në këtë frymë, në qytetin e Korçës funkionon mensa “Shërbesa e Dashurisë”, e cila ofron ushqim çdo ditë të javës për 120 persona dhe u dërgon ushqim në shtëpi personave të pamundur. Hapja e kësaj mense është vepra e parë që realizoi Imzot Joani në vitin 1998, duke u kujdesur me dashuri të veçantë për njerëzit në nevojë. “Mensa ka qenë prioritet, sepse është shërbesë për njerëzit në nevojë dhe ajo çfarë u ofrojmë ka të bëjë me Besimin tonë dhe është pjesë e shërbesës sonë; është diçka që e ofrojmë me dashuri dhe dinjitet. Bamirësia është pjesë e besimit të krishterë dhe fondet për ushqimin jepen nga vetë Mitropoliti, besimtarët dhe dhurues të ndryshëm” – shprehet atë Vangjeli.

Kontributet mundësojnë që mensa të mbahet vetë. Shërbimi vullnetar i ofruar nga besimtarë të qytetit, njëra prej të cilave shërben që prej vitit 1998, realizojnë shërbimin e saj.

Çdo përvjetor të fronëzimit të tij, si edhe çdo Krishtlindje dhe Pashkë, Imzot Joani e ka festuar me njerëzit në nevojë. Ai e bëri traditë ta shtronte vetë drekën së bashku me klerikë dhe personelin e Mitropolisë dhe të drekonte dhe bisedonte me ta, duke bërë praktikë thënien e Shën Joan Gojartit, i cili kur shkonte të hante me të varfrit thoshte se do të shkoj të ha së bashku me Zotin. Personat që frekuentonin mensën e falenderonin nga zemra duke i shkruar edhe letra në të cilat theksonin mirënjohjen e tyre të pafund që mensa ofron çdo ditë të javës, madje edhe ushqim me vete.

Gjatë kreshmës së Krishtlindjes, nën kujdesin e tij, u bëhej thirrje besimtarëve të ishin më solidarë dhe të dhuronin për njerëzit në nevojë. Ai theksonte që Perëndia na ka dhënë dhuratën më të madhe Krishtin Perëndinjeri, ndaj edhe ne duhet të japim. Nga dhurimet e shumta përgatiteshin mbi 80 pako ushqimore, të cilat shpërndaheshin nga grupi i grave vullnetare. Përveç ushqimit, ai kujdesej që njerëzit në nevojë të merrnin edhe përkujdesje shëndetësore.

Imzot Joani, tashmë Kryepiskopi i Shqipërisë, thekson gjithmonë vlerën që ka kontributi i të gjithëve, si një veprim i pastër që buron nga dashuria në ndihmesë të vëllait në nevojë, i cili përfaqëson vetë Krishtin. Ai falënderon të gjithë ata që kanë ndihmuar për ta bërë të mundur këtë shërbesë, sepse janë treguar bujarë. Një shoqëri e shëndetshme ka nevojë për të gjitha pjesët e saj, ndaj nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj njerëzve në nevojë, por duhet të qëndrojmë pranë tyre me gjithçka që kemi.

Të gjithë kemi detyrë para Perëndisë që na ofron kaq shumë, të japim diçka për të ndihmuar ata që nuk munden as të ushqehen, as të vishen dhe as të festojnë.

Një gjë është e sigurt, se nuk e mundim dot Zotin në bujari. Ofrimet tona kthehen për një njëqind. Le të përpiqemi të mbajmë barrët e njëri – tjetrit, për të qenë një komunitet i gjallë. Urojmë që vitet në vazhdim me ndihmën e Perëndisë të kenë më pak njerëz në vështirësi, por dhe nëse do të shtohen, ne do të jemi këtu së bashku, që të ofrojmë për ta sa kemi mundësi, duke shprehur kështu dashurinë e krishterë, siç na e tregoi me vepra Krishti, Perëndia ynë!

K.O.A.SH MITROPOLIA-KORÇË
KORÇË
15122 KORCE KO
DEGA CREDINS KORÇË
Ju bëjmë të njohur:
– Numrin e llogarisë bankare: 00001313578 në monedhën ALL
– IBAN: AL41 2121 1009 0000 0000 0131 3578
– SWIFT: CDISALTRXXX
Përshkrimi për ofrimin: Për mensën “Shërbesa e Dashurisë” Korçë.

Korresp. i Ngjalljes