Në një intervistë të publikuar nga e përmuajshmja orthodhokse polake “Przeglad Prawoslawny”, Ivan Dimitrov, teolog laik bullgar, shpjegon situatën në kishën Orthodhokse në Bullgari. Eshtë kjo një Kishë që po ndjen vështirësi për të dalë nga epoka e komunizmit, për të ringjallur jetën pastorale dhe monastike, si dhe të problemeve të formimit teologjik dhe katekist, siç po ndodh në kishat e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore. Kësaj situate i shtohet edhe konflikti kompleks i filluar në vitin 1992, ndërmjet kundërshtarëve dhe partizanëve të patrikut Maksim, primat i kishës orthodhokse bullgare, i zgjedhur në vitin 1971 me përkrahjen e autoriteteve komuniste, gjë e cila kundërshtohet edhe sot nga disa persona. Ky konflikt ka çuar në krijimin e një strukture kishtare paralele, por që kanonikisht nuk është njohur nga asnjë Kishë Orthodhokse. Ivan Dimitrov është profesor i Dhjatës së Re në fakultetin e teologjisë orthodhokse Shën Klementi i Ohrit, që varet nga Universiteti i Sofies, në të cilin ai është zëvendësrektor. Më poshtë po japim të përmbledhur intervistën e tij.
– Së largu, Bullgaria duket se është një vend ku tradita orthodhokse është ngulitur thellë. Cili është realiteti?
– Situata është shumë më komplekse. Bullgaria numëron rreth 8,5 milionë banorë, nga të cilët 10% janë të besimit islam. Gjysma e tyre janë turq, ndërsa gjysma tjetër janë bullgarë që kanë përqafuar fenë islame. Gjithashtu, në Bullgari ka edhe 50 mijë katolikë, nga të cilët 6 mijë janë uniatë. Së fundi, dua të përmend shfaqjen e një numri jo më pak të neglizhueshëm të protestantëve pentikontistë, të cilët janë të organizuar dhe aktivë dhe punojnë si në kushte klandestine. Pjesa e mbetur e popullsisë është konsideruar në thelb orthodhokse. Sipas një sondazhi të kryer në vitin 1993, 87% e popullsisë së Bullgarisë deklarojnë se janë orthodhoksë. Por, nuk është për t’u krenuar me këtë numër; shumë nga ata janë komunistë ose ateistë, ku problemin e besimit e kuptojnë si diçka që do t’u përmirësojë biografinë, ndërsa të tjerë thonë për inerci se jemi orthodhoksë. Sipas mendimit tim, duhet të konsiderojmë se në Bullgari kemi 6 milionë orthodhoksë të pagëzuar, ndërmjet të cilëve, fatkeqësisht, ka një përqindje të dobët besimtarësh të devotshëm. Por, nuk mund të konsiderohen si orthodhoksë të vërtetë ata që vinë në kishë dy herë në vit, për Krishtlindje dhe Pashkë.
– Çfarë mund të na thoni për katekizmin? Eshtë futur nëpër shkolla apo zhvillohet vetëm në shkollat e enorive?
Katekizmi ka zënë vend në shkollat e enorive, të cilat fatkeqësisht janë të pakta në numër. Në Sofie, për shembull, nuk ka shkolla katekizmi në të gjitha enoritë. Situata është më e keqe në fshat, ku nuk ka shkolla të enorive.
– Si e shpjegoni ju këtë gjë?
Fatkeqësisht, shkaktarët e kësaj gjendje jemi vetë ne. Në shumë raste, priftërinjtë nuk kanë energjitë e duhura, për të filluar një punë pranë fëmijëve ose të rinjve. Shumë priftërinj janë shumë të vjetër në moshë për të marrë të tilla nisma, ndërsa si largësia midis brezave kushtëzon, ndër të tjera edhe krijimin e vështirësive në komunikimin e mirë ndërmjet priftërinjve dhe të rinjve, të cilët nuk e kuptojnë aq sa duhet gjuhën dhe problemet.
-Po, me formimin teologjik, çfarë po bëhet?
Mbi 500 persona studiojnë në seminaret tona. Kemi dy seminare teologjike, në Sofie dhe në Plovdiv. Seminari i Sofies nuk e ka pushuar asnjëherë aktivitetin e tij. Gjatë regjimit komunist ai u transferua në një manastir, 90 km larg kryeqytetit. Në vitin 1990 iu kthyen seminarit të Sofies gjithë mjediset e tij të mëparshme që ishin të zëna nga organizata e rinisë komuniste. Po në këtë vit seminari i Plovdivit i rihapi dyert e tij. Gjatë Luftës II Botërore, ky seminar ishte transferuar në manastirin e Braçkovos. Më 1947 manastiri u dogj dhe seminari u bashkua me të Sofies. Këta seminaristë bëjnë arsimim pesëvjeçar. Jemi në themelimin e sistemit shkollor të mesëm. Gjatë viteve të fundit diplomat e lëshuara nga seminaret tona janë njohur edhe nga autoritetet civile. Rasti im personal e ilustron bukur problemin që ndeshim për njohje zyrtare nga shteti. Kam kryer studimet e mia në Seminar, pastaj në akademinë teologjike dhe kërkoja të kompletoja formimin tim, duke ndjekur kurse të filozofisë klasike në Universitetin e Sofies. Atëherë zbulova se diploma ime e Akademisë Teologjike s’më lejontë të hyja në universitet dhe se do më duhej të jepja një sërë provimesh, për të marrë diplomën e arsimit të mesëm. Ne, gjithashtu kemi pranuar, se që nga viti 1997, mësuesit e seminareve të paguhen nga shteti. Këto paga nuk përbëjnë veçse 20-30 % të buxhetit aktiv të seminareve tona, por kjo paraqet padyshim një ndihmë të madhe.
-Cila është situata në universitete?
Shumica e studentëve të teologjisë janë në fakultetin e teologjisë në Universitetin e Sofies, i cili ka një histori interesante. Ai është krijuar në vitin 1923 e ka funksionuar pa ndërprerje deri në vitin 1950, datë kur ai u nda nga unversiteti dhe u emërtua Akademia Teologjike e Sofies. Vetëm në vitin 1991, u riintegrua në gjirin e Universitetit Shtetëror. Në vitin 1991, u krijua një fakultet orthodhoks në Universitetin e Veliko Tërnovos (kryeqyteti i vjetër i Bullgarisë mesjetare). Eshtë për t’u përmendur se ky fakultet është krijuar me inisiativën e këtij universiteti, se trupa e tij mësimore mendonte, se nëse fjala “universitet” ka një raport me fjalën “universal”, është e domosdoshme që universiteti të mbledhë në gjirin e tij një fakultet teologjie. Një kurs teologjie ka në fakultetin e letërsisë, historisë dhe teologjisë në qytetin Shumen (verilindje e Bullgarisë) e disa lëndë teologjike jepen edhe Universitetin e Blagoevgradit.
– Përse dy fakultetet e teologjisë mbajnë emra të ndryshëm? Mos ndoshta kjo tregon se fakulteti i Sofies është i hapur për të gjitha besimet, ndërsa ai i Veliko Tërnovos është vetëm për studentët orthodhoksë?
Jo, është thjesht një çështje programi. Në të dy fakultetet nuk mësohet vetëm teologjia orthodhokse, kështu që është absolutisht e gabuar të thuhet se këto fakultete janë të mbyllura për studentë të besimeve të tjera. Nuk u kërkohet këtyre studentëve që të kthehen në besimin orthodhoks, por vetëm që të ndjekin ciklin e plotë mësimor.
– A keni një numër të kënaqshëm mësuesish në fakultetet e teologjisë?
Jo. Kjo është pika jonë e dobët. Secili nga mësuesit tanë të teologjisë shikon se si të kalojë rijë pjesë të mirë të kohës së tij, duke shkuar nga një fakultet pse seminar në tjetrin. Ne profesorët e tjerë të teologjisë (ku dua të përqendrohem), ndihmojmë, duke ruajtur energjitë dhe entuziazmin tonë, me gjithë lodhjen dhe vështirësitë materiale, duke plotësuar në një farë mënyre nevojat e Kishës. Ne kemi 3 000 enori dhe vetëm diçka më pak se 1000 priftërinj. Kjo gjendje bën që një prift i një qyteti të vogël, është i ngarkuar, gjithashtu, edhe me enoritë e shumë fshatrave rrotull qytetit. Ai kalon nga një enori në tjetrën, duke u marrë me pagëzime dhe varrime; kështu që, në të tilla kushte, si mund të merret ai me instruktimin fetar të fëmijëve apo të të rinjve? Situata financiare e klerit tonë është e vajtueshme, sepse Kisha jonë nuk mund të mbështetet mbi një ndihmë të shtetit. Për këtë arsye, ne mund të shpresojmë që rreth gjysma e studentëve, pas seminarit, mund të hirotonosen në priftërinj, por për më tej, ne nuk kemi asnjë garanci.
-A ekziston në Bullgari, pas këtyre dekadave një rinovim i jetës monastike?
Për sa i përket ndërtesave, në Bullgari ka shumë manastire, rreth 120. Por ka një numër të vogël murgjish, rreth njëzet të tillë. Nuk mund të flitet ende për një rinovim të jetës monastike. Ndërmjet manastireve në aktivitet, tre janë në varësi të drejtëpërdrejtë nga patrikana. Këta janë manastiret e Rilës, Batckovos dhe Trojanit. Ka dhe manastire që varen nga dioqeza. Këta të fundit janë të shumtë në rajonin e Sofies dhe të Veliko Tërnovos, por në secilin prej tyre jetojnë nga një ose dy murgj apo murgesha. Gjithashtu ka edhe një manastir bullgar në Malin e Shenjtë (Greqi), ku ka një dyzinë murgjish, por edhe ky manastir ka mungesë të kandidatëve për murgj. Zhvillimi i jetës monastike, padyshim është i lidhur ngushtë me zhvillimin e një rinovimi të jetës kishtare.
-Kisha bullgare nuk pati mundësi të evitonte problemet e brendshme….
Në vitin 1992 tre mitropolitë, që shpreheshin se gëzonin përkrahjen e qeverisë, si dhe të disa aktorëve politikë, tentuan të bënin një “puç” në krye të Kishës, për të ushtruar pushtetin. Të gjithë anëtarët e episkopatës u vunë në pozita të kundërta me ta. Episkopët disidentë filluan të krijonin struktura paralele me ato të Kishës, madje edhe të hirotonis-nin episkopër. Në korrik 1992, kreu i tyre (mitropoliti Pimen i Nevrokopit, 91 vjeçar sot) u vetzgjodh patriark. Persona të ndryshëm, për arsyet e tyre politike të dobëta e mbështetën një gjë të tillë. Por, ata ishin të paktë dhe nuk përfshinë në gjirin e tyre një numër të madh priftërinjsh. Priftërinjtë disidentë ishin të paktë dhe nuk ndiqeshin nga besimtarët, sepse nuk pëlqenin metodat e tyre të veprimit, si p.sh. përvetësimi dhe okupimi me forcë i ndërtesës së Sinodit të Shenjtë.
– Folëm për vështirësitë, por keni edhe arsye për t’u gëzuar.
Ne nuk do të pushojmë së rritur rolin e Kishës në shoqërinë bullgare dhe interesin e rinisë për sa i përket besimit orthodhoks. Të rinjtë tanë janë, veçanërisht aktivë në kuadrin e lidhjes rinore Shën Efthimi dhe Lëvizja rinore orthodhokse e Ballkanit, të cilat përfaqësohen Kosh.
(Titulli dhe ndërprerjet janë të redaksisë së revistës SOP)
Përktheu: Erion Prifti