EmailFacebookKontakt

Do të botohet Bibla në biellorusisht

Kisha Orthodhokse e Biellorusisë dhe Shoqëria Biblike bielloruse kanë nënshkruar një marëveshje zyrtare për të nisur punën së bashku për një përkthim të ri të Biblës në biellorusisht. Sipas kësaj marëveshje, Kisha Orthodhokse merr përsipër përkthimin dhe përgatitjen e këtij përkthimi, ndërsa Shoqëria Biblike merr përsipër financimin për botimin dhe shpërndarjen e tij.

Kjo ndërmarrje e madhe do të zhvillohet në disa etapa, në mënyrë që të lëjojë përshtatjen sa më të mirë me përkthimin e ri dhe t’u japë kohë përkthyesve që të punojnë sa më mirë. Drejtimi dhe koordinimi i ekipit të përkthyesve i është besuar at Serg Gordunit, prift dhe profesor në Seminarin Theologjik Orthodhoks të Jirovicit. Ai ka deklaruar se përkthimi i Ungjillit të Shën Markut do të jetë gati për botim në shkurtin e vitit 1997. Marrëveshja e mësipërme u nënshkrua nga mitropoliti Fillaret i Minskut, eksark patriarkal për Biellorusinë dhe Jakov Potupçik, kryetar i Shoqërisë Biblike bielloruse. Që nga shpallja e pavarësisë së Biellorusisë në 1991, gjuha bielloruse është bërë zyrtare. Përkthimi i ri në biellorusishten bashkëkohore, do t’u japë mundësinë të lexojnë Biblën në gjuhën e tyre amtare.