Java e qëndrimit në qytetet Gjirokastër dhe Sarandë ishin ditë të një gëzimi të veçantë dhe çaste të shprehjes së ndjenjave të dashurisë reciproke midis besimtarëve orthodhoksë dhe Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Si gjithnjë, si të gjitha vizitat e Fortlumturisë së Tij, kudo, në të gjithë vendin, ishin çaste që kishin diçka prekëse, ishin momente të shprehjes së hirit të Perëndisë dhe të veprimit të tij mrekullibërës për ngjalljen e Kishës sonë në të gjitha aspektet.
Të gjitha çka bëri Kryepiskopi kësaj here përfshinin vlerat e vizionit të Tij për zhvillimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pavarësisht nga vështirësitë dhe problemet. Me respekt për traditën e stërlashtë orthodhokse të vendit, me dëshirën për të vazhduar me ritme intensive veprën rindërtuese të gjithçkaje që shkatërroi periudha ateiste, me këmbënguljen e dashurinë për përgatitjen e kuadrit të kishës sonë, me dëshirën për zgjerimin e pranisë së KOASH në sektorin social dhe ndihmën ndaj njerëzve, ishin të mbushura të gjitha takimet e bisedat e Kryepiskopit me bashkëpunëtorët dhe besimtarët e thjeshtë.
Dy manastire të shekullit të XII dhe XIV, në Krorëz dhe Kokomë, në bregdetin e Jonit, në rrethin e Sarandës, ishin vizita e parë e Kryehirësisë së Tij Anastasit. Janë dy manastire që në një farë mënyrë i kanë rezistuar shekujve, po që, fatkeqësisht, pësuan shumë dëmtime, pavarësisht se në hyrje ekzistonte tabela monotone: “Monument Kulture, mbrohet nga Shteti.” Ama, s’ka mundësi dhe sot të ndërhyet të paktën në kishat e tyre, që e kanë urgjente restaurimin, se vendimi i Këshillit të Ministrave në janarin e këtij viti, duke mos përfillur dëshirën e besimtarëve të zonës së bregdetit, i rimbyll ato për popullin. Njëherësh, indiferenca, ndofta dhe pamundësia financiare e Institutit të Monumenteve, i lë ato të ekspozuara në rreziqet e rrënimit. Njëherësh, s’është bërë ende asgjë për rikthimin e pronave të këtyre manastireve.
Problemin e plaçkitjes së pronësisë në Manastirin e “Shën Gjergjit” të Çukës, po në Sarandë, e konstatoi me vizitën e Tij Kryepiskopi, duke dhënë porosinë e Tij për vazhdimin e përpjekjeve e të lutjes nga gjithë besimtarët e zonës, për të rivënë në vend pronësinë e Kishës sonë në ato troje të bukura dhe për zhvillimin në to të kampingjeve për rininë, për të vërtetuar edhe njëherë se gjithçka që i përket Kishës sonë është për dobinë e të gjithë popullit. Përtej vështirësive që hasen, me procese gjyqësore absurde e ndërhyrje shtetërore të pamatura, asnjëherë s’duhet humbur shpresa dhe duhet këmbëngulur për të rifituar gjithçka që brezat lanë trashëgimi.
Mbasditen e së dielës në 14 korrik, Kryepiskopi vizitoi edhe Manastirin e “Kryeengjëjve Mihail dhe Gavriil” në Dervician të Gjirokastrës. Aty kreu përshpirtje për dy murgesha që kanë fjetur në këtë vend të shenjtë shumë vite pas ndalimit të fesë, të cilat këmbëngulën, ndofta një rast i veçantë në të gjithë Shqipërinë, të mbanin rason e të qëndronin në manastir. Eshtë dhe kjo një faqe e dhimbshme e historisë së besimit tonë në vitet e ateizmit. Murgesha Kasiani ka fjetur dhe është varrosur nga motra e saj Pellagji në qershor 1981 dhe e dyta në vitin 1985 është gjendur e varrosur nga gratë e fshatit. Ndërkaq, të shtunën, Kryepiskopi, i ndodhur në Sarandë, kreu varrimin e psaltit të Kishës “Shën Harallambi” të qytetit, të ndjerit Perikli Agora.
Në Sarandë Kryepiskopi, me syrin e kujdesshëm që ndjek gjithçka që ndërtohet për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, inspektoi punimet në kantierin e Katedrales së “Shën Harallambit”, që janë futur në fazën përfundimtare. Kontroll i rreptë, por dhe këshilla të dobishme, që kjo kishë (nga veprat më të rëndësishme, me sipërfaqe ndërtimi mbi 550 m2), të jetë dhe një bukuri akoma për qytetin e Sarandës e të funksionojë me gjithë mjediset e saj të shumta për zhvillimin e besimit orthodhoks në këtë qytet.
Kryepiskopi bëri vizitë dhe në kishën e re të “Ngjalljes së Krishtit” në Ksamil, ku tani me ritme të shpejta kryhen punimet për rrethimin e truallit të kishës, ku Ai shprehu bindjen që së shpejti do zbatohet një program i vogël për ndërtimin e parkut të lojrave për fëmijët e kësaj qyteze.
Shprehja karakterizuese për Kishën tonë në ngjallje, që aq shpesh përdor Kryehirësia e Tij, se jeni një komunitet i gëzuar eukaristik, u konkretizua më së miri në Liturgjinë Hyjnore të së dielës në kishën Katedrale të “Metamorfozës së Shpëtimtarit” në Gjirokastër. Qindra besimtarë morën pjesë në këtë Liturgji të Hyjnore, të kryesuar nga Kryepiskopi Anastas, i cili u dha bekimin e Tij të pasur gjithë pjesëtarëve në këtë mister, duke i takuar një nga një në fund të Liturgjisë.
Gjatë Liturgjisë Hyjnore u hirotonis në prift dhiaku Ziso Karkashi, të cilit iu dha nga Kryepiskopi emri i shenjtorit që kremton atë ditë, Nikodhim. Në fjalën e shkurtër, Kryepiskopi duke iu drejtuar me porosi priftit të ri, njëherësh bëri thirrje se duhet treguar kujdes për rinovimin me djemtë më të mirë dhe më të përgatitur të klerit të Kishës sonë dhe kuadrit tjetër të nevojshëm, që, nga një anë të mbyllen plagët e mëdha që u trashëguan, dhe njëkohësisht të kemi mundësi t’u përgjigjemi si Kishë nevojave të shoqërisë së sotme. “Në radhë të parë, njerëzit sot kanë nevojë për ngushëllim, për kurajo, për t’iu treguar rrugën e shpresës, por më urgjentisht shoqëria jonë ka nevojë për të vërtetën e thënë me guxim”, – ishin fjalët e Kryepiskopit, për të vazhduar se “Orthodhoksia, si besimi i stërlashtë i popullit tonë, është pikërisht feja e besimit më të vërtetë, feja e të vërtetës së të vërtetave, se Krishti erdhi në tokë dhe u sakrifikua për faljen e mëkateve të njeriut”.
“Kjo e vërtetë duhet të përhapet sot me më shumë forca ashtu si në vitet apostullore. Predikues të saj s’duhet të jenë vetëm klerikët, por të gjithë të krishterët orthodhoksë, besimtarë në Misterin e Liturgjisë Hyjnore. Përhapja duhet ta vazhdojë edhe jashtë Kishës, në jetën e përditshme, në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, në gjithë mënyrën e tyre të jetesës, e cila duhet të rrezatojë dritë nga Drita e Vërtetë” – ishte porosia prej ati shpirtëror e Fortlumturisë së Tij Anastasit, për besimtarët gjirokastritë. Qëndrimi i Kryepiskopit në Gjirokastër ishte dhe ditë dialogu intensiv me gjithë bashkpuntorët e tij në këtë Mitropoli, jo vetëm për intensifikimin e ritmeve të punës, por edhe për modernizimin e kompjuterizimin e strukturave administrative të Kishës. Synimi i afërt i Tij është që edhe në Gjirokastër Kisha jonë, e pranishme dhe deri tani në sferat e jetës shoqërore, të drejtojë përpjekjet në sektorët e shëndetit e të përkujdesjes për grupet sociale më të dobëta dhe në fushën e arsimit bashkëkohor të rinisë sonë.
Korresp. i “Ngjalljes”