EmailFacebookKontakt

Ditë konference me përkushtim në besim

Përmeti të mahnit me qetësinë, thjeshtësinë e jetesës dhe dashurinë për punën. Të befason me mikpritjen dhe këngën aq të bukur që përcillet brez pas brezi duke ruajtur traditën e pasur të këtij komuniteti kulturëdashës. Një udhëtar, nëse i bie rasti të ndalet në këtë qytet të vogël, do të shtanget me harmoninë e gjërave përreth.

Në këtë atmosferë e gjetëm “Përmetin” e luleve në konferencën rinore të Dioqezës së Gjirokastrës, e cila u mbajt në datat 12-14 nëntor 2004. Fundi i ditëve të vjeshtës ia kishte zbehur disi natyrën qytezës, por kurrësesi vlerat e shquara që mbart, një ndër të cilat është dashuria për jetën dhe Krijuesin e saj.

Këtë vit ishte menduar të organizohej një konferencë që t’i përmblidhte të gjitha; gëzimin e pragut të Krishtlindjeve, zellin rinor për të qenë gjithnjë pranë njëri-tjetrit dhe Krishtit, problemet e kohës që po has rinia e sotme, si dhe vështirësitë që po kalon kisha “Shën Maria e Pazarit” në këtë qytet. Për të qenë solidarë në atë çka karakterizon të krishterët, mbrojtjen e vlerave të besimit dhe zhvillimin e kulturës së shpirtit, mbi 100 të rinj të ardhur nga të gjitha dioqezat e vendit, i kaluan tri ditët e konferencës me përkushtim në lutje e adhurim ndaj Perëndisë, u argëtuan në aktivitetet kulturore dhe shkëmbyen përvojat me njëri-tjetrin.

Një vend të rëndësishëm në këtë veprimtari kishin referatet. Dy referuesit e konferencës ishin motër Thekla, e cila punon prej vitesh me të rinjtë orthodhoksë në Gjirokastër dhe teologu Spiro Papa, mësimdhënës në Shkollën e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”.

Referati i parë me temë: “Si të përballojmë me Krishtin sfidat e jetës” u mbajt nga motër Thekla, e cila nënvizoi faktin se rruga me Krishtin kalon përmes disa tabelave, pa të cilat mund të humbim jetën. “Kjo rrugë nuk ndërpritet me vdekjen, sepse njeriu nuk ka vetëm udhëtim biologjik, por edhe shpirtëror. Perëndia e do krijesën e Tij. Meqenëse ky njeri s’e gjen dot Perëndinë përpiqet Perëndia të gjej njeriun”- tha ajo.

Ai që nuk gjen rrugën e drejtë, e humb rrugën e tij. Rruga e të krishterit është e vështirë, është një rrugë ngjitëse, është e mbushur me trishtim, por është rruga që të çon në jetë të përjetshme. Rruga jonë është harmonia, vëllazëria dhe dashuria.

Ndërsa në pjesën e dytë teologu Spiro Papa mbajti referatin me temën: “Udhëtimi ynë drejt lindjes së Krishtit”. Sipas z. Papa, festa e Krishtlindjes nuk është festë formale. Ne nuk duhet të shohim anën e jashtme por anën thelbësore të saj. Ashtu sikurse Krishti e filloi jetën me përulësi edhe ne duhet ta imitojmë, dhe mënyra më e mirë është t’ua shprehim këtë të tjerëve.

“Ju si të rinj është mirë të ndodheni tek ata njerëz që vuajnë sepse dashuria e Perëndisë duhet të ekzistojë tek të gjithë njerëzit”- nënvizoi folësi.

Ardhja e Krishtit duhet të ndriçojë çdo njeri sepse kur jeton në errësirë jeton brenda pasioneve të tua. Perëndia erdhi t’i shpërndante këto pasione nga njerëzit.

Më tej, në referat, ai tha se Krishtlindjet bëhen një funksion i vazhdueshëm. Ne marrim pjesë me gëzim në këtë ngjarje.

Jeta shpirtërore i shoqëroi ditët e konferencës me shërbesat e rastit. Të premten, në kishën “Shën Maria e Pazarit” u zhvillua Shërbesa e Paraklisit. Të shtunën u celebrua Liturgjia Hyjnore në kujtim të shenjtit të madh, Joan Gojartit. Ndërsa të dielën u celebrua Liturgjia Hyjnore me një pjesëmarrje të konsiderueshme të besimtarëve orthodhoksë përmetarë, si dhe të rinjve që morën pjesë në konferencë. Gjatë predikimit të tij, prifti i kishës At Vasil Thomollari nuk la pa përmendur dhe falënderuar iniciativat e shpeshta të rinisë orthodhokse shqiptare, e cila është gjendur gjithmonë pranë rinisë së qytetit dhe mbrojtjes së Kishës, e cila sipas tij, vazhdon të ndodhet në kërcënim të vazhdueshëm nga individë të papërgjegjshëm, të cilët kërkojnë ta kthejnë në shtëpi kulture, siç ka qenë gjatë sistemit komunist. Por At Vasili i siguroi të rinjtë dhe të gjithë besimtarët se kisha “Shën Maria e Pazarit” do të vazhdojë të mbetet një vend adhurimi ndaj Perëndisë.

Gjatë tri ditëve të aktivitetit u zhvilluan edhe diskutime në grupe, lojërat olimpike, programi mbyllës festiv dhe përmbledhja e veprimtarisë e shoqëruar me projektim fotografik.

Të rinjtë pjesëmarrës në këtë konferencë u larguan ditën e fundit nga Përmeti me përshtypjet më të mira nga ky qytet me njerëz dashamirës.

I. K.