EmailFacebookKontakt

Ditë historike për Mitropolinë e Beratit

E shtuna e datës 18 korrik 1998 do të mbetet një ditë historike për Mitropolinë e Beratit, pasi bëhej fronëzimi i Mitropolitit të ri pas shumë dekadash. Një grup besimtarësh me fytyra të gëzuara, u nisën qysh herët në mëngjes për të pritur me entuziazëm Kryepiskopin Anastas dhe përfaqësuesit e lartë të Patrikanës së Konstandinopojës në urën e Kuçit, ku ndahet rrethi i Beratit nga i Lushnjës.

Hirësia e tij, qysh në fillim të misionit të vet si Mitropolit, me ndjenjë të lartë dhembshurie u qëndroi dhe u qëndron vazhdimisht pranë njerëzve në nevojë dhe të sëmurëve të ndryshëm, pa bërë dallim as nga feja, as nga origjina, as nga pozita shoqërore.

Lartësimin e figurës së klerikëve Hirësia e Tij e ka bërë dhe e bën duke dhënë shembullin e tij personal, duke ndjekur nga afër dhe duke zbatuar me përgjegjësi udhëzimet dhe porositë e vyera të Fortlumturisë së Tij, Anastasit.

Ndonëse shumë probleme janë zgjidhur gjatë këtyre pesë vjetëve, Hirësia e Tij mendon se ka akoma shumë çështje, për të cilat do vihet dorë më me përkushtim, duke përfituar nga përvoja e deritanishme.

Me urtësinë e tij karakteristike, me sjelljen e tij të frymëzuar, me durimin e madh dhe përkushtimin e lartë, Imzot Ignati ka fituar respektin dhe dashurinë e madhe të shpresëtarëve të Mitropolisë sonë dhe më gjerë.

Për figurën e tij të shquar Patriku Ekumenik Vartholomeu I më 5 nëntor të vitit 1999, në kishën e Shën Spiridhonit është shprehur: “Me praninë e tij të butë e oshënare, me dashurinë e madhe dhe me paqen, që ka brenda tij, me fjalën e ngrohtë atërore dhe me njohjen e gjuhës shqipe, që e ka gjuhë të nënës, përpiqet t’i shërbejë sa më mirë popullit të Shqipërisë dhe Perëndisë, duke dhënë me gjithë zemër të gjitha aftësitë e Tij”

Ky përvjetor i shënuar u kujtua edhe në Liturgjitë Hyjnore të Mitropolisë sonë.

Ilia Mihai Zaka