EmailFacebookKontakt

Ditë e shënuar që na bashkon të gjithëve

Tiranë, më 11 prill 2004

Fortlumturia e Tij, Anastas
Kryepiskop i Kishës Autoqefale Shqiptare, Tiranë

Hirësi,

Me rastin e festës së Pashkëve, dëshiroj t’Ju shpreh Juve dhe nëpërmjet Jush, të gjithë besimtarëve të komunitetit ortodoks shqiptar urimet e mia më të mira.

Dita e Ngjalljes së Zotit tonë, Jisu Krisht, është dita e falënderimit për sakrificat njerëzore, është dita e ringjalljes dhe e shpresës, për të cilat ne shqiptarët kemi aq shumë nevojë.

Me traditën e shkëlqyer të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Shqipëri, e cila është një pasuri dhe vlerë kombëtare për të gjithë shqiptarët, ne e festojmë së bashku Ditën e Pashkëve, duke i përcjellë njëri – tjetrit mesazhet e paqes, të besimit dhe të shpresës.

Kjo ditë e shënuar që na bashkon të gjithëve, na jep forca për përmbushjen e idealeve, dëshirave dhe aspiratave tona. Shqiptarët meritojnë një të ardhme të sigurtë në paqe, harmoni e lumturi; lutjet dhe urimet tona janë arritja e këtij synimi.

Duke ju uruar të gjithë besimtarëve dhe familjeve shqiptare paqe dhe mbarësi, edhe njëherë, përzemërsisht Pashkë të Gëzuara!

Alfred Moisiu