Sekretariati i Vëllazërisë ndërkombëtare të rinisë orthodhokse “Lidhja për Evropën Jugore”, që e ka qendrën në Athinë, organizoi një manifestim me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë Orthodhokse.
Prej vitesh në gjirin e Lidhjes diskutohej domosdoshmëria e caktimit të një dite ndërkombëtare festive të Rinisë orthodhokse, me synim që kjo të përbëjë një rast të ndërgjegjësimit të mëtejshëm të ekumenicitetit të Orthodhoksisë dhe të kalitjes së një fryme bashkimi e mirëkuptimi ndërmjet të rinjve orthodhoksë të të gjithë botës. Me nxitjen e Tërëshenjtërisë së Tij Patrikut Ekumenik dhe bekimet e kryetarëve të kishave orthodhokse, filloi sivjet në shumë vende të botës ky festim gjatë periudhës të së kremtes të Përhasjes (Ipapandisë) së Zotit.
Në manifestimin që u bë në qendrën shpirtërore të Mitropolisë së Hirshme të Niqesë, diskutuan Episkopi i Akelaut, Im. Eftimi, ish sekretar i përgjithshëm i Lidhjes dhe episkopi i Baçes e Novisadit, Hirësia e tij Im. Irineu.
Shtatëqind e më shumë të rinj morën pjesë në atë manifestim dhe theksuan domosdoshmërinë e unitetit panorthodhoks, si edhe rolin e rëndësishëm që Rinia Orthodhokse mundet dhe duhet të lozë me shprehjen e fjalës së gjallë, me dëshminë e Iisu Krishtit dhe me kontributin e dhënë në manifestimin e këtij uniteti.
Korresp.i “Ngjalljes”