Në Shkodër, në një nga qytetet më të lashtë të vendit dhe një nga më të rëndësishmit e zonës së Veriut të Shqipërisë, banon në dekada një popullsi që i takon tri komuniteteve të besimit fetar: katolik, mysliman, orthodhoks, të cilët kanë mbijetuar në sajë të unitetit midis tyre.
Komuniteti orthodhoks i Shkodrës, në raport me dy komunitetet e tjera është më i vogël por për qytetarinë që ka manifestuar ai në dekada dhe për pronat që ka disponuar ligjërisht duhet të konceptohet si i barabartë me ta dhe përpara ligjit, patjetër dhe atij të kthimit të pronave. Kanë kaluar vite (14 vjet) nga periudha e demokracisë dhe ky komunitet nuk ka marrë asnjë pëllëmbë nga pronat e veta ligjore duke u dalluar nga komunitetet e tjera, që kanë rimarrë në pronësinë e tyre pjesën më të madhe të pronësisë.
Disa nga pronat ligjore të saj:
1. Nga mesi i shek. XIX, me propozim të konsullatës italiane dhe asaj austriake, drejtuar konsullatës ruse se për rrethanat e zhvillimit të popullsisë në zonë kërkohej dhe ndërtimi i kishave në Shkodër. Kjo kërkesë u bë realitet. Kështu, në vitin 1840 vihen themelet e kishës orthodhokse në Shkodër dhe katedrales katolike, ceremonia e të cilave u zhvillua në një ditë. Kisha orthodhokse u ndërtua sipas stilit rus dhe mori emrin e shenjtit Aleksandër Nevski. Kjo shtrihej në një sip. 1500 m2, e lartë 12 m dhe ishte pajisur me të gjitha objektet e nevojshme për zhvillimin e riteve fetare. Ky ishte funksioni deri në vitin 1962, vit që shënon shkatërrimin e saj dhe fillimin e një sulmi të paparë ndaj fesë dhe kulteve të besimit. Në rrënojat e saj u ndërtua “Klubi i oficerave”, i cili ekziston dhe sot, ndërsa toka i kaloi Ministrisë së Mbrojtjes, e cila vazhdon ta administrojë ndërsa komunitetit Orthodhoks i mbeten vetëm letrat e pronësisë.
2. Komuniteti Orthodhoks i Shkodrës ka në pronësi të tij 1/2 e tokës ku është ndërtuar “Hotel Turizmi” 1970. Për privatizimin e tij është bërë zhurmë e madhe për ta pronësuar, por është interesant fakti se në të gjitha proceset gjyqësore komuniteti Orthodhoks i Shkodrës mbetet jashtë tij, prandaj dhe ai ka protestuar në rrugë ligjore dhe pret zgjidhje sipas ligjeve të shtetit.
3. Në pronësinë e saj kisha orthodhokse e Shkodrës ka 2000 m2 të zonës industriale të qytetit. Kjo sipërfaqe toke ka shërbyer në vite si vend ku janë varrosur besimtarët orthodhoksë. Kjo sipërfaqe mbahet me preteksin se shërben si oborri i spitalit, prandaj dhe do t’i kompesohet kishës, por dhe ky kompesim ka mbetur vetëm me premtime.
4. Në hyrje të qytetit të Shkodrës, buzë liqenit që mban emrin e tij, kanë ekzistuar varrezat Orthodhokse. Kjo tokë vazhdon të ketë probleme për kthimin e plotë të saj.
5. Në fshatin Vrakë, 7 km larg Shkodrës, kisha disponon 59 dynymë tokë së bashku me rrënojat e saj, por në pamundësi për t’i marrë ato sipas ligjit, sepse ua kanë shpërndarë fshatrave të ardhur dhe për ndërtimin e kishës, dhuratë e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, u desh tokë, e cila u dhurua nga familja Brajoviç.
Në rast se do të vazhdonte Kisha Orthodhokse të priste zbatimin e ligjit dhe sot besimtarët orthodhoksë të Shkodrës do të vazhdonin të zhvillonin ritet fetare nëpër sallat e ndryshme, por falë punës së madhe të Fortlumturisë së Tij, Anastasit, në Shkodër u ngrit Kisha madhështore “Lindja e Krishtit”, dhuratë e madhe për besimtarët. Për ndërtimin e saj u ble në rrugë private toka, sepse asaj dhe sot nuk i janë kthyer pronat e ligjshme.
Pavarësisht nga faktet ku ligji ka mangësitë e mëdha të tij, tri komunitetet fetare në Shkodër ruajnë harmoninë midis tyre sepse e kanë traditë.
Luiza Trebicka