Samaritani i mirë – E diela VIII e Llukait (Llk.10:25-37)
… Me anë të kësaj paravolie, Zoti e çliron konceptin për të afërmin nga shumë ndërvarësi racore, gjeografike, fetare. Ligji judaik përcakton kufijtë e konceptit të të afërmit dhe Krishti thekson se nuk ka kufij ndaj nevojës së dashurisë. I afërm është çdo njeri në nevojë, pavarësisht nga kombësia, raca, besimi fetar, gjendja shoqërore, përgjegjësia për gjendjen e tij. Ajo që ka rëndësi, është njeriu si ikonë e Perëndisë. Dhe çështja esenciale nuk është se kush “është” i afërmi, por si do të bëjmë të çdo njeri që ka nevojë për ndihmë. Nuk është një koncept statik – cilët janë, – por dinamik – cilët bëhen.
Me paravolinë e Tij, Krishti na zbulon shumë. Nuk zgjeron vetëm konceptin e të afërmit, por njëkohësisht kritikon rreptë mentalitetin fetar të epokës së tij dhe të çdo epoke, duke parashtruar tërthorazi një pyetje të fortë:
Kush e ka ndjeshmërinë për të kuptuar më mirë vullnetin e Perëndisë, për të zbuluar kuptimin e thellë të porosisë për dashurinë ndaj të afërmit?
Si përfundim, kush e ruan frymën e Ligjit? Ata që merren zyrtarisht me rregullën adhuruese dhe fetare, priftërinjtë dhe levitët, apo një njeri i huaj, jashtë traditës orthodhokse judaike, si Samaritani, që e shikon si të afërm të panjohurin, me çiltërsi dhe dhembshuri, pa pasur paragjykime fetare e fisnore?
A nuk është ai që i përgjigjet konkretisht nevojave të të afërmit të panjohur? Se sa gjë e re edhe sa e vështirë ishte për t’u pranuar ky mesazh i Krishtit, kjo duket në faktin se ende edhe sot vazhdon të jetë aktual dhe revolucionar.
Teorikisht, nga ana intelektuale e pranojmë këtë koncept të ri të “të afërmit”, që e përcakton paravolia e Samaritanit të Mirë. Por, konkretisht, çfarë ndodh në jetën tonë të përditshme? Fatkeqësisht, vihet re një skizofreni e çuditshme fetare: Nga njëra anë admirojmë Samaritanin e Mirë dhe, nga ana tjetër, si klerikët ashtu edhe laikët, ndjekim pa dashje – por edhe “me dashje” – priftin dhe levitin. Po të gërmojmë në kujtesën tonë, do të kujtojmë shumë raste të tilla, si nga sjellja jonë, ashtu dhe i të tjerëve.
Pra, pyetja më kritike në jetën tonë personale është se si do të shkojmë nga një pranim intelektual i mesazhit të paravolisë së sotme drejt një zbatimi ekzistencial, nga pranimi i thjeshtë i “dashurisë për të afërmin” në përjetimin e tij të vullnetshëm. Për t’u ndihmuar në këtë proces, le të sjellim në mendje disa prej karakteristikave të dashurisë, siç zbulohen në sjelljen e heroit të thjeshtë të paravolisë.
1. Gjëja e parë që na mëson perikopeja ungjillore është se dashuria nis me pjesëmarrje personale dhe energjike, ajo nuk mbetet ndjesi e thjeshtë, fisnike, abstrakte. Samaritani ndien dhembshuri dhe përkujdeset për udhëtarin fatkeq.
Askush nuk e fton ta bëjë këtë, dhe ai nuk merret me të keqen që bënë hajdutët apo me indiferencën dhe mungesën e dhembshurisë që treguan të tjerët. Ai bën detyrën e tij vetjake.
Pyetja bazë nuk është se çfarë bëjnë ose çfarë nuk bëjnë të tjerët, por se si sillemi ne, konkretisht.
2. Elementi i dytë bazë është se dashuria kushton. Do të thotë të heqësh dorë me dhimbje nga gjërat që kemi: para, kohë, programe e të tjera të nevojshme. Samaritani vonohet në udhëtimin e tij, ecën më këmbë, vë në dispozicion të të plagosurit çdo gjë që ka. Dashuria nuk e lë të mirën përgjysmë. Nëse shpesh jemi të paaftë për ta imituar, kjo ndodh ngaqë na pëlqen të duam, por pa e dëmtuar veten. Ai që vendos të dojë, duhet të jetë i vendosur edhe të privohet nga disa të mira apo të drejta që ka.
3. Së treti, dashuria nuk kërkon këmbim, është e lirë nga kërkesat për t’u njohur kontributi i saj. Ajo është plot e përulësi, me nuk vepron që të duket, që të lavdërohet e bën të mirën në vetmi, pa bujë, pa pritur asgjë në këmbim. Këtu qëndron madhështia, pavarësia shpirtërore.
4. Së fundmi, dashuria është një fuqi e qetë, më e fortë edhe se vdekja. Nuk i referohem vetëm shpëtimit të të plagosurit, por kryesisht fitores mbi frikën e vdekjes. Dy të parët ikën të tronditur nga vendi i dramës. Samaritani ecën me qetësi përpara, i vendosur, me burrëri, duke u treguar indiferent ndaj rrezikut, sepse “dashuria e nxjerr jashtë frikën”. Me këtë fitore mbi çdo lloj forme frike, njeriu fiton një ekuilibër të brendshëm të thellë dhe pjekuri unike në llojin e vet.
Në këtë çast të rëndësishëm të Liturgjisë Hyjnore, Zoti pyet secilin nga ne: “Cili nga këta të tre të duket se u bë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?”.
Përgjigjja jonë është: “Ai që bëri përdëllim për të”. Por kjo nuk mjafton. “Shko edhe ti bëj kështu”, – na thotë Zoti. Jetoje me këtë përgjigje jetën tënde personale, që ka për të nisur pas Liturgjisë Hyjnore, në rutinën e përditshme. Nevojat vazhdojnë të jenë të jashtëzakonshme edhe sot.
Pra, jeto duke marrë pjesë personalisht në dhimbjen e të afërmit, të çdo të afërmi, me një dashuri që kushton, që nuk kërkon vlerësim nga të tjerët, me një dashuri të sinqertë dhe të vendosur, të aftë për të mposhtur vdekjen.
Kryepiskopi Anastas
Shkëputur nga Libri “Rreze nga drita e Ungjillit”, Vëllimi I
Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë