EmailFacebookKontakt

Dhurohen pajisje elektronike për gjimnazin e Gramshit

Shkolla e mesme e përgjithshme e qytetit të Gramshit është një ndër më të mirat në rang vendi. Shumë nga nxënësit e saj studiojnë sot nëpër universitetet më të mira, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Pas bisedave e kontakteve, ishte Mitropoliti i Elbasanit, Andoni, që u interesua edhe nëpërmjet stafit, për ta ndihmuar me bazë të nevojshme materiale këtë fidanishte të dalluar të brezave të ardhshëm. Kjo në vazhdën e traditës së hershme të Kishës Orthodhokse për të mbështetur arsimin dhe dijen.

Kështu, me bekimin e Hirësisë së Tij, u sigurua një ndihmë financiare nga komuniteti i enorisë së Apeldoornit, Holandë, me përfaqësues z. Jaap Kappers dhe znj. Dineke Vis dhe u bë i mundur dhurimi i disa pajisjeve elektronike për shkollën.

Falë miqve të Famullisë sonë, VONO APELDOORN, të cilët ofruan shumën e nevojshme, më 23 gusht 2021 u mundësua dhurimi i këtyre pajisjeve elektronike drejtoreshës dhe stafit të arsimtarëve. Gjatë saj u diskutuan edhe mundësitë e binjakëzimit ndërmjet shkollës së mesme të Gramshit dhe shkollës së mesme në Apeldoorn, si edhe për mundësi shkollimi me bursë të nxënësve ekselentë të këtij gjimnazi në universitete të Holandës.

Gjithashtu, Kisha jonë do të dhurojë së shpejti edhe libra të autorëve klasikë për të pasuruar bibliotekën e shkollës.

Atë Grigor Pelushi