Në Laudation e tij, Mitropoliti i Kitros, Imz. Georgios tha ndër të tjera:
“Për fat të keq, nuk ishim të pranishëm personalisht në Ceremoninë e Dekorimit, për shkak të pjesëmarrjes sonë në Mbledhjen e Radhës të Sinodit të Shenjtë të Hierarkisë së Kishës së Greqisë, por shpirtërisht ishim pjesë e këtij evenimenti akademik dhe konkretisht:
Me vendim të Akademisë Teologjike të Varshavës, “Lavdërimi” (Laudatio) i personit të nderuar, i cili u lexua në Ceremoni, u caktua ta përpilonte autori i këtij shkrimi. Kjo detyrë që na u caktua me kërkesës të Akademisë Teologjike të Varshavës, pati edhe miratimin e Këshillit Akademik të Akademisë së Lartë Kishtare të Selanikut, së cilës i kam shërbyer edhe me cilësinë e Kryetarit të saj (2016–2022).
Procesverbali respektiv (3/1-3-2022, çështja 8) thotë lidhur me këtë: “Kryetari vë në dijeni anëtarët e Këshillit Akademik lidhur me shkresën nr. 195/16-02-2022 të Kryepiskopit të Wroclavës dhe Czhechinit, Imzot Georgios, Rektor i Akademisë Teologjike të Krishterë të Varshavës, me të cilën Senati cakton Mitropolitin e Kitros, Katerinës dhe Platamonës si juri në procedurën e shpalljes Doktor Nderi (Doctor Honoris Causa) të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, dhe kërkon për këtë miratimin e Këshillit Akademik të Akademisë së Lartë Kishtare të Selanikut. Këshilli Akademik, duke iu përgjigjur kësaj kërkese, shpreh kënaqësinë e tij si për vendimin e denjë të Akademisë, ashtu edhe caktimin e Hirësisë Kryetar jurie për dekorimin e Kryepiskopit Anastas Doktor Nderi”.
E çmojmë si të veçantë këtë vlerësim që ruante për personin tim jo vetëm si Profesor dhe Kryetar i Akademisë së Lartë Kishtare të Selanikut, por edhe për arsye të bashkëpunimit shumëvjeçar me Kishën Orthodhokse të Polonisë.
Mes të tjerave “Laudatio” të cilin formuluam, përmban edhe vlerësimin e Kryepiskopit Anastas si “Dhuratë e Kishës Orthodhokse për mbarë botën e Krishterë”. Ky vlerësim për Kryepiskopin Anastas u bë nga Rowan Williams – ish-Primat i Kishës Anglikane – për kontributin e tij për Njerëzimin dhe Krishterimin. Këtë cilësim e gjejmë në librin e këtij të fundit nën titullin “Looking East in Winter. Contemporary thought and the Eastern Christian Tradition”, (Bloomsbury Continuum, 2021).
Në “Laudatio” theksohet mbi të gjitha se njerëzimi dhe Kisha shijuan frytet e pasura të veprës së Kryepiskopit, i cili nderohet në shumë aspekte:
• Komuniteti akademik mbarëbotëror u pasurua me ligjërimin e tij shkencor
• Hierapostullimi në Azi, Afrikë e deshi dëshminë e tij.
• Shqipëria pati nevojë dhjakoninë e tij.
• Bota mbarë përfitoi nga aktiviteti i tij social e transformues.
Pas një aktiviteti të tillë nuk munguan lavdërimet, nderimet dhe pozitat, por Kryepiskopi Anastas kurrë nuk rendi pas tyre, ndonëse iu ofruan pasurisht. Shteti dhe Kisha e nderuan atë me titujt më të lartë, si:
• Doctor Honoris Causa ose Partner në më se 20 Universitete të shteteve ndryshme,
• President i Konferencës për Hierapostullim të Këshillit Botëror të Kishave,
• Kryetar i Komitetit të Përkujdesjes për Trashëgiminë Shpirtërore të Qipros,
• Anëtar i Këshillit Drejtues të Qendrës së Studimeve Mesdhetare dhe Arabike,
• Anëtar Nderi i Kuratoriumit të Fondacionit Romano-katolik Pro Oriente,
• Zëvendëspresident i Konferencës së Kishave Evropiane,
• President Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen.
Për shumë njerëz, gjithë sa më sipër përbëjnë sigurisht ofiqe joshëse dhe synime në jetën e tyre, ndërsa për Imzot Anastasin ato patën funksion shumë më thelbësor:
Fillimisht ishte stabilizimi i Hierapostullimit në Afrikë dhe Azi. Pak më vonë ishte ndihma dhe kontributi për popullin më të varfër të Evropës.
Së fundmi, puna për paqtimin e popujve ballkanikë dhe shuarja e nacionalizmave lokalë. Menduam se në “Laudatio” nuk mund të lëmë pa përmendur përballimin nga Fortlumturia e Tij të virusit Covid-19, në nëntor 2020, për të cilin iu desh të kurohej në Pavijonin e Terapisë Intensive. Vetë ai deklaroi atëherë se: “Pjesëmarrja në dhimbjen e përbashkët ishte një dhuratë nga Perëndia”. Pak më vonë dha mesazhin se i krishteri i përket Perëndisë: “Sepse edhe nëse rrojmë, për Zotin rrojmë, edhe nëse vdesim, të Zotit jemi” (Rom. 14:7-8).
Kryepiskopi Anastas u dëshmua se nuk është “pus i shteruar”, por “burim uji që buron përjetë të përjetshme” (Jn. 4:14).
Jeta dhe vepra e tij mund të përmblidhen në tri fjalë: BESIM, DËSHMI, SHËRBIM. Prandaj edhe konsiderohet plotësisht i justifikuar cilësimi i Rowan Williams, se Anastasi përbën “dhuratë të Kishës Orthodhoksë për mbarë botën e Krishterë”.
Mbi të gjitha, ky cilësim justifikon plotësisht edhe vendimin e Akademisë së Krishterë të Varshavës për t’i akorduar Fortlumturisë së Tij, titullin e lartë “Doktor Nderi”.
Përgatiti: O. B.