EmailFacebookKontakt

Dhimitër Pijeshitësi (27 janar)

Ishte përgjegjës taverne në Galatë, lagje e Konstandinopojës. I ri, i pashëm, modest, i fortë, 25-vjeçar, e patën cmirë agarinejtë frekuentues, të cilët përpiqeshin shpesh që ta kthenin në besimin e tyre.

Një ditë, në tavernë u dehën, filluan të ziheshin dhe njëri prej tyre u godit me thikë. Dhimitri me kolegët e tij ndërhynë, i ndanë dhe i përzunë – një urdhëresë e sulltanit u jepte të drejtë kamerierëve të ndërhynin në zënkat e klientëve të tyre të dehur, për t’i ndarë. Ditën e nesërme, të lartpërmendurit e çuan të plagosurin tek veziri, duke pretenduar se e kishte plagosur shenjti. Dhe, sipas ligjit, duhej ose të merrej gjak në vend të gjakut d.m.th. të ekzekutohej, ose të islamizohej. Veziri dërgoi dhe e sollën Dhimitrin, i cili i tregoi me guxim sa ndodhën. Në dilemën që i shtroi konvertimi ose vdekja, u përgjigj se as kishte goditur njeri dhe se as e ndërronte besimin. I krishterë lindi dhe i krishterë do të vdiste.

Kështu, e dënuan dhe e shpunë për t’i prerë kokën. Para ekzekutimit një urdhër i dytë erdhi me nxitim dhe e kthyen mbrapsht tek veziri. Ai filloi t’i flasë me të mirë dhe i premtoi ofiqe dhe pasuri. Por trimi nuk pranoi në asnjë mënyrë. Atëherë, veziri ua dorëzoi akuzuesve të tij dhe e çuan në një kafene, ku u mblodhën shumë njerëz. Të gjithë përpiqeshin që ta joshnin, por ai i qortonte. Veziri e thirri përsëri dhe i bëri përsëri lajka, por u mundua më kot. Për një farë kohe u tërhoq. E hetoi përsëri për herë të fundit, e atëherë urdhëroi dhe i prenë kokën, përpara tavernës së tij (1784 ose 1785). Për net të tëra mbi lipsanin e tij të shenjtë vezullonte dritë. Një i krishterë tentoi që ta vidhte në mes të errësirës së natës, por u diktua prej rojeve të vëna. E zunë, e dha mjaft para. Urrejtja e shpifsave kundër dëshmorit të ri, nuk u mjaftua me kaq, por pas tre muajsh, vranë pa shkak pronarin e tij të mirë, të zotin e restorantit.