Me dëshirën dhe shpresën që dashuria dhe shpresa që Zoti dhe Shpëtimtari ynë Iisu Krishti solli në botë, të rilindë në zemrat tona në ditën e madhe të Krishtlindjeve dhe duke u uruar të gjithëve nga Kryepiskopi Anastas një Vit të Ri plot shëndet e lumturi, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, shpërndau gjatë pesëmbëdhjetëditëshit të dytë të dhjetorit një sasi ndihmash në rrethet Tiranë, Durrës, Tropojë e Korçë, për banorë nevojtarë të këtyre rretheve, pa dallim feje. Këto u bënë në vazhdën e ndihmave që KOASH ka dhënë për kapërcimin e vështirësive të fazës së tranzicionit.
Kështu, në fshatin Brizë të rrethit të Tropojës u dërguan rreth 3 tonë patate, 80 batanie dhe një sasi e konsiderueshme rrobash. Po kështu në fshatin Zvirinë të rrethit të Korçës u dërguan një sasi patatesh dhe 314 koli me rroba e ushqime të ndryshme. Në Durrës, gjithashtu, krahas një numri thasësh me patate, u dërguan dhe 334 koli me ushqime e rroba, ndërsa në Tiranë 173 kuti me rroba e ushqime.
Ndërkohë mësojmë se po përgatiten ndihma të reja që do të shpërndahen në javët e ardhshme në rrethe të ndryshme të vendit.
Korresp. i “Ngjalljes”
– Në rrethet Tiranë, Durrës, Tropojë e Korçë u ndanë ndihma nga Kisha Orthodhokse pa dallim feje.
– Vetëm në fshatin Brizë të rrethit të Tropojës u dërguan rreth 3 tonë patate, 80 batanie e 15 kuti me rroba.
– Ndërkohë po përgatiten ndihma të reja që do të shpërndahen në javët e ardhshme.