Nga Ilirjan Gjika
Dhërmiu është fshati më i madh i krahinës së Himarës. I vendosur në shpatin perëndimor të malit, midis Palasës dhe Vunoit, ai dallon për ansamblet e shtëpive dykatëshe të ndërtuara me mure guri. Një gjë e tillë shihet në të dy anët e rrugës automobilistike dhe në qendër të fshatit, e cila zbret nga lartësia 806 m mbi nivelin e detit, vetëm 2 km prej bregut të tij. I përmendur për herë të parë në dokumente historike në vitin 1581, me emrin Drimadhes, Dhërmiu, ka qenë i njohur për prodhimet e agrumeve, ullirit dhe vreshtarisë. Ndërsa tregtia bëhej kryesisht me Italisë dhe ishujt e Jonit, ku nëpërmjet portit të tij, me anë të barkave të mëdha eksportoheshin qitro, rrush, ullinj, valanidh etj. Dhërmiu ishte i njohur edhe për mullinjtë e shumtë të blojës që ngriheshin përgjatë përroit të tij.
Ky fshat është i njohur edhe për numrin e madh të objekteve kishtare, ku përgjatë tre lagjeve të tij dhe ndodhen jo pak, por 31 kisha dhe manastire. Më i vjetri ndër ta është manastiri kushtuar Fjetjes së Hyjlindëses, i vendosur mbi kreshtën shkëmbore të Dhërmiut, kurse të tjera objekte kulti janë edhe kisha e Shën Dhimitrit, ku dikur zhvilloheshin festat dhe panairet fetare, kisha e re e Shën Kostandinit; kishat: “Shën Athanasi”, “Shën Joan Theologu”, Ungjillëzimi i Hyjlindëses (“Vangjelizmoit”), “Shën Parashqevia”, “Shën Spiridhoni”, me kambanoren e tij monumentale në dalje të fshatit, etj. Ndërkohë që në lagjen Gjilekë ndodhet kisha e Shën Harallambit, ndërsa duke zbritur drejt bregut të detit ngrihen kisha e Paraqitjes së Zoit Krisht në Tempull (Ipapandisë), kishëza e Shën Stefanit, si dhe gërmadhat e kishës së Shën Nikollës.
Me interes të madh për studiuesit është edhe manastiri i Shën Theodhorëve, i cili ndodhet midis Dhërmiut dhe kanionit të Gjipesë, mbi një kodër të rrethuar nga bimësi e pyje. Për origjinën e këtij objekti, studiuesit mendojnë se ai është ndërtuar në shek. XIV, mbi rrënojat e një tempulli të dikurshëm antik. Gjatë viteve të Luftës II Botërore këtu u vendos një njësi vëzhgimi e marinës italiane, e cila u pasua pas Çlirimit me marrjen nën kontroll dhe përdorimin e tij nga ushtria shqiptare. Një gjë e tillë bëri që manastiri të mos ushtronte aktivitetin e tij dhe të mos lejoheshin studimet rreth tij. Ndërkohë sipas parimit të ndërtimit të manastireve orthodhokse ai është ngritur në një vend të spikatur për bukurinë natyrore dhe pozicionin strategjik. Kështu, manastiri i Shën Theodhorëve ngrihet mbi brigjet shkëmbore të detit Jon dhe ka formën e një trapezi pesëkëndësh. Në qendër të tij ndodhet kisha e rrethuar nga një sërë ndërtesash. Nga pikëpamja arkitektonike ajo është një godinë e thjeshtë njënefëshe e ndërtuar me muraturë guri të lidhur me llaç. Në të bien në sy absida gjysëmrrethore në pjesën lindore dhe një portik i thjeshtë me konstruksion druri dhe metali që ndodhet në anën veriore. Ndërsa nga brenda, kisha, është zbukuruar me afreske të pikturuara nga mjeshtrit ikonografë të Fjonjatit, në vitin 1882. “Me dorën e Dhimitrit të Nikollës dhe Anastasit të Mihal Zografit, nga katundi Fjonjati, eparkia e Konicës, 1882”, shkruhet në mbishkrimin që ndodhet në faqen e murit verior të saj. Afresket janë ndër të dhënat e pakta që tregojnë për vjetërsinë e këtij objekti kulti, ku nga vëzhgimi dhe studimi i tyre, Theofan Popa, ka vërejtur dikur edhe dy shtresa më të hershme pikture.
Manastiri i Shën Theodhorëve është i njohur edhe për pusin e tij, uji i të cilit përdorej dikur për nevojat jetësore të komunitetit të murgjve që jetonin atje. Ndërkohë që së bashku me manastiret e tjerë të Dhërmiut, ai jepte një shumë të caktuar të hollash për shkollën e këtij fshati.
Një prej këtyre manastireve që kontribuonte krahas tij ishte edhe ai i Lindjes së Hyjlindëses Mari, i cili dokumentohet në shek. XVI. Kështu, në mbishkrimin e pikturuar në murin verior të absidës së kishës së tij, shkruhet: ”Lutje e shërbëtorit të Perëndisë Guzos dhe gruas dhe fëmijëve të tyre Amin. 1576.
Kisha “Lindja e Hyjlindëses” ndodhet në vendin më të lartë të fshatit dhe ka mbetur e vetme nga objektet e manastirit të dikurshëm. Ajo përbëhet prej dy pjesësh, që i përkasin dy periudhave të ndryshme. Pjesa lindore, ku ndodhet hierorja e kishës, është një paraklis kuadratik që mbulohet me kupolë dhe tambur. Ai është ndërtuar me gurë dhe llaç gëlqereje, midis të cilëve ndeshen në mënyrë të rrallë edhe tulla të vendosura midis gurëve mbi njëra-tjetrën. Muret përfundojnë me frontone, të cilat takohen në këndet e tyre, për të formuar kryqin në çati dhe me kryqe të vizatuar me tulla brenda tyre. Tamburi mbështetet në pjesët sferike që dalin nga muret dhe në brendësi krijon një volum vertikal. Në pjesën e jashtme të kishës, në anën lindore, bie në sy një absidë gjysmërrethore me një dritare të ngushtë dhe me dy nike anash, kurse muret dhe tamburi përfundojnë me korniza tullash në formë dhëmbë sharre.
Duke u nisur nga tipi i saj me kryq të brendashkruar dhe teknika e ndërtimit, ky paraklis mendohet se i përket si kohë ndërtimi shek. XIII-XIV. Ndërsa pjesa tjetër e tij, që shërben edhe si naos, është një shtesë e mëvonshme.
“Kisha është me madhësi 18.48 x 8m dhe paraqet një bazilikë njënefëshe me tavan, duke pasur për kungë një kishë të vjetër të vogël me një kube të stilit bizantin, afërsisht të shek. XIV”, shkruan për këtë rast Theofan Popa. Edhe kjo kishë është e zbukuruar me afreske të ndryshme. Në një mbishkrim të pikturuar në faqen perëndimore të kolonës jugore të saj, lexojmë: “U pikturua ky tempull i gjithënderuar i së Përmbishenjtës, zonjës sonë Hyjlindëses dhe gjithmonë-virgjërës Mari, me kontributin e… në kohën e episkopatit të episkopit të gjithëhirshëm, zotit Joaniqit, të Himarës dhe Delvinës, në prill të vitit 1781”.
Midis figurave që janë paraqitur në to është edhe një portret i Shën Kozmait, i pikturuar në faqen e murit verior të kishës. “Asketi Kozma, që u martirizua në një vend të huaj të quajtur Mujalli, më 24 gusht, viti 1779”, shkruhet në mbishkrimin që e shoqëron atë. Aludohet se ai është një prej paraqitjeve më të vjetra të imazhit të kësaj figure historike.
Kishat e Dhërmiut, ashtu si edhe ato të bregdetit, janë të përmendura për ikonostasët e veçantë të ndërtuara me mure guri, ku si ikona shërbejnë afresket.
Në disa prej këtyre kishave ndeshim një sërë mbishkrimesh të cilat janë kataloguar me kujdes nga studiuesi i njohur Theofan Popa, në librin e tij “Mbishkrime të kishave në Shqipëri”. Kështu, në niken e prothesit, në altarin e kishës së vjetër të Shën Thanasit gjendej një mbishkrim i vitit 1671, i cili sipas gojëdhënës popullore tregonte se kisha ishte ndërtuar në atë vit nga komuniteti vendor për parandalimin e epidemisë së kolerës. Ndërsa në kishën e Evangjelizmoit ndeshim mbishkrimin e absidës, i cili mban datën 19 nëntor 1689. Këtij viti i përket edhe mbishkrimi i pikturës së Shën Joan Theologut, në kishën kushtuar këtij shenjtori. Kurse mbishkrimi i ikonës së Parëvënies së Blatës në kishën e Shën Parashqevisë (e Premtes), i përket vitit 1744.
Ndërkohë, nga mbishkrimi që gjendet në murin verior të kishës së Ipapandisë, që mban datën 12 mars 1751, mësojmë jo vetëm emrin e priftërinjve, si Papa Ilia Leka dhe Andon Strat Gjika, por edhe se kisha në fjalë i përkiste një manastiri. Ky objekt, që ndodhet në skaj të fshatit dhe pranë bregut të detit, dallohet për planin e zgjatur dhe siluetën elegante që krijon në formë vertikale në pjesën perëndimore.
Një prej kishave më të hershme të Dhërmiut që dokumentohet nga specialistët e fushës është edhe paraklisi i Shën Stefanit, i ndërtuar në periudhën pas pushtimit turk.
Nga studimi i mureve të vjetra dhe i planimetrisë së tyre rezulton se ai është ngritur mbi nefin qendror dhe absidën e një bazilike trenefëshe më të vjetër. Prej këtij objekti janë zbuluar themelet e nefeve të naosit ku mbështeteshin harkadat, themelet e narteksit, muri jugor dhe ai i absidës. Pikërisht te kjo e fundit dhe muret e vjetra që ndodhen pranë saj mund të shihet teknika e ndërtimit të dikurshëm, me mure të ndërtuar me gurë lumi, të lidhur me llaç gëlqereje, ku gjenden të vendosura edhe copa tjegullash. Sipas planimetrisë dhe teknikës së ndërtimit kjo bazilikë mendohet se duhet të jetë ngritur në shek. XI-XII.
Ndërkohë që, krahas kishave dhe manastireve të shumtë të Dhërmiut, një pjesë e e të cilëve kanë janë edhe monumente kulture, një tregues i rëndësishëm i krishterimit orthodhoks këtu është edhe tradita fetare. Ajo konsiston në nderimin e emrave të shenjtorëve dhe apostujve, festimi festave të rëndësishme të Krishtlindjeve dhe Pashkëve, ndjekja e të kremteve, zbatimi i kreshmës, apo respektimi i veshjes. Një tjetër veçori e banorëve të këtij fshati, është se në çdo lagje e mjaft familje të ndryshme, për kryerjen riteve përdorin kishat e familjeve përkatëse, të ndërtuara breza më parë me kontributet e të paraardhësve, disa nga të cilat i kanë restauruar pasardhësit.