EmailFacebookKontakt

“Dhe sa dëgjove nga unë … jepua njerëzve bestarë”

Seminari orthodhoks ‘Ngjallja e Krishtit” në Durrës u mbyll për këtë vit shkollor, në datën 12 maj 1995. Përfundoi me sukses edhe një vit tjetër në përgatitjen e priftërinjve, dhiakonëve dhe katekistëve të ardhshëm. Këtë vit përfunduan mësimet 81 studentë nga mosha 18 vjeç në moshën 46 vjeç, në këto tre klasa: 32 në vitin e tretë, 22 në vitin e dytë dhe 27 në vitin e parë. Nga 32 studentët e ritit të tretë, tashmë 20 prej tyre janë dorëzuar dhiakonë për të shërbyer nëpër fshatrat e tyre. Të tjerët shërbejnë si katekistë nëpër fshatra dhe po përgatiten për dorëzim.

Në Bibël, Shën Pavli i shkruan birit të tij shpirtëror Timotheut, që ishte peshkop i Efesit: “Dhe sa dëgjove nga unë para shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve bestarë, që do të jenë të zotë të mësojnë edhe të tje-rë.” (II Timotheut 2:2) Fortlumturia e Tij Anastasi, që prej fillimit të shërbimit të tij si Kryepiskop i Shqipërisë, është përpjekur ta zbatojë këtë kë-shillë të urtë. Një nga përpjesëritë e tij për ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ka qenë themelimi i Shkollës Teologjike Hieratike Orthodhokse, e cila do të përgatiste priftërinj dhe udhëheqës për Kishën. Kështu që seminari “Ngjallja e Krishtit” ka katër vjet që vepron.

Këtë vit shkolla filloi në 20 tetor mes shumë vështirësish. Të pasigurtë për të ardhmen e afërme, shkaktuar nga probleme të jashtme dhe, me një mungesë mësuesish, shkolla filloi vetëm me klasën e vitit të parë me 27 studentë. Këta studentë u njohën me shkollën e qëllimet e saj dhe filluan mësimet me lëndët fillestare në Dhiatën e Re, Dhiatën e Vjetër, dogmatikën, historinë, jetët e shenjtorëve, liturgjikën dhe etikën.

Studentët e vitit të dytë dhe të tretë i filluan studimet e tyre dy javë përpara Krishtlindjeve. Gjithësesi, me ardhjen e vitit të ri dhe të disa pedagogëve amerikanë dhe grekë, bashkë me vizitën e një pedagogu mik ruso-amerikan, e kombinuar kjo me pedagogët e përhershëm shqiptarë, seminari filloi programin e plotë të orëve të mësimit. Kurset e studimit të vitit të dytë përfshinin Ungjillin sipas Joanit, librin e Psalmeve, Dogmatikën, Historinë e Kishës, Liturgjikën, shkrimet e Etërve të Kishës, Etikën, Fetë e botës dhe Katekitikën. Viti i tretë zhvilloi lëndët e veprimeve praktike të liturgjisë, Predikimin, kuptimin dogmatik të mistereve të Kishës sonë, kujdesin pimantik, Ligjet kanonike, Historinë e Kishës, Dhiatën e Re, Etërit e Kishës dhe Fetë e botës.

Së bashku me orët e mësimit, studentët merrnin pjesë në lutjet e përditëshme në Kishë. Zemra e çdo seminari orthodhoks në botë është jeta e lutjeve. Shën Grigor Teologu mësonte se lutja për të krishterin është më e rëndësishme se frymëmarrja. Kështu që çdo student merrte pjesë në ciklin ditor të lutjeve. Çdo ditë seminaristët e fillonin shërbesën e Mëngjesores në orën 7:00, (dhe Liturgjinë Hyjnore në ditët e të kremteve) dhe përfundonin me Mbrëmësoren në orën 18:30 dhe pas ngrënies së darkës me shërbesën e Pasdarkës. Studentët gjatë gjithë javës jetonin në seminar dhe një herë në dy javë mund të shkonin në shtëpi për një pushim treditor.

Deri më sot, për katër vjet, seminari ndodhej në godinën e kampit të punëtorëve të Durrësit. Tani, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas, pranë manastirit të Shën Vlashit, jo shumë larg Durrësit, po ndërtohen disa mjedise për seminarin, pasi, me gjithë kërkesat e bëra, nuk u dha një truall i veçantë për ngritjen e tij. Në të përfshihen disa godina, me dhoma për 100 studentë dhe mësues, kishë, tre klasa, një bibliotekë dhe një mencë. Ajo do të jetë e ndarë nga manastiri, por afër, për të përfituar të mirat shpirtërore që ofron ai. Shpresa është që gjatë vitit të ardhshëm shkollor, Shkolla do të lëvizë në godinën e saj të re.

At Luka Veroni