EmailFacebookKontakt

Dhe e çuan ta kryqëzojnë…

Edhe Jisui ndenji përpara qeveritarit; dhe qeveritari e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe Jisui i tha: Ti po thua. Edhe kur akuzohej nga kryepriftërinjtë dhe nga pleqtë, nuk përgjigjej fare. Atëherë Pilati i thotë: Nuk dëgjon sa dëshmojnë kundër teje? Po ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kaq sa qeveritari çuditej fort.

Edhe qeveritari kishte zakon për të kremte t’i lëshonte popullit një të burgosur, atë që të donin ata. Dhe atëherë kishin një të burgosur me emër, që quhej Baraba. Ndërsa ata pra ishin mbledhur, Pilati u tha atyre: Cilin doni t’ju lëshoj juve? Barabain apo Jisuin që quhet Krisht. Sepse e dinte se e dorëzuan nga smira.

Edhe ndërsa ai po rrinte mbi fronin e gjyqit, gruaja e tij dërgoi një njeri tek ai, e i tha: Ti mos i bëj gjë atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për atë.

Edhe kryepriftërinjtë dhe pleqtë i mbushën mendjen turmave që të lypin Barabain, dhe Jisuin ta prishin. Edhe qeveritari u përgjigj e u tha atyre: Cilin nga këta të dy doni t’ju lëshoj juve? Edhe ata thanë: Barabain. Pilati u thotë atyre: Ç’ta bëj pra Jisuin që quhet Krisht? Të gjithë i thonë: Le të kryqëzohet. Edhe qeveritari tha: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata bërtisnin më tepër, duke thënë: Le të kryqëzohet. Edhe Pilati, si pa se s’ka dobi, po më tepër trazirë bëhet, mori ujë e lau duart përpara turmës, duke thënë: I pafajshëm jam nga gjaku i këtij të drejti. Ju keni për të parë. Edhe gjithë populli u përgjigj e tha: Gjaku i tij qoftë mbi ne dhe mbi bijtë tanë.

Atëherë u lëshoi atyre Barabain. Dhe Jisuin, si e rrahu me shufër, e dorëzoi që të kryqëzohet.

Atëherë ushtarët e qeveritarit morën me vete Jisuin në pretore (guvernatorat), dhe mblodhën mbi të gjithë togën e ushtarëve. Edhe e zhveshën, e i veshën atij një rrobë të gjatë të kuqe. Edhe thurën një kurorë ferrash e ia vunë mbi krye, dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe ranë në gjunjë para tij dhe e përqeshnin, duke thënë: Gëzohu, o mbret i Judenjve. Edhe si e pështynë, morën kallamin e i binin kokës së tij. Edhe pasi e përqeshën, i zhveshën rrobat, dhe e çuan ta kryqëzojnë.

(Matth, 27:11-29)