…Dhimitri, bir i kolonisë vllehe të San Marinës në Pind, besimtar i urdhrit të Shën Vasilit, përshkuar fund e krye nga dhembshuria ungjillore që frymëzoi kurdoherë apostullatin e kohëve të përndjekjes, shkonte ato ditë të stuhishme fshat më fshat e trevë më trevë që të qetësonte shpirtrat e trazuar e t’u kujtonte atyre detyrën e bindjes. E paditën si rebel, e morën bashkë me Efthimin dhe e sollën të lidhur në vargoj para satrapit të Janinës. Kërkonin gjoja bashkëpunëtorë tij për ta ngatërruar në njëfarë përbetimi prelatësh grekë që ushtronin detyrën e tyre në kishat e Thesalisë. Mirëpo besimi i thellë e bëri që të dëshmonte të vërtetën e Perëndisë së gjallë; përgjigjet e tij ia cytën keqas xhindet vezirit që bërtiti e shfryu në një dialog të denjë për t’iu përçuar Krishterimit si një nga shembujt e martirologjisë së kishës universale:
Ti ke shpallur, i thoshte Aliu, mbretërimin e Jisu Krishtit, pra edhe shkatërrimin e altarëve dhe efendilerëve tanë. – Dh.: Zoti im mbretëron në amëshim e për amëshimin… Nderoj mësuesit që na ka dhënë. A.: Çfarë ke aty mbi gjoks? – Dh.: Shëmbëlltyrën e Zonjës s shenjtë. A.: Ta shikonj pak. – Dh.: Nuk mund të përdhoset; jepni urdhër që të më shqyejnë njërin krah, pastaj mund t’jua tregoj. – A.: Aha, kështu i çorodit ti shpirtërat, ne qenkemi sipas teje përdhosës? Po e kuptoj fare mirë nga fjalët e këtij njeriu se është agjent i episkopëve që u bëjnë thirrje rusëve të vijnë e të na robërojnë. Pa hë, na trego tani bashkëpunëtorët e tu. – Dh.: Bashkëpunëtorët e mi janë ndërgjegjja dhe detyra ime që më thonë të ngushëlloj të krishterët dhe t’i bëj të bindur ndaj ligjeve tuaja. – A.: Thuaj më mirë ligjet e tua, qën kaur. – Dh.: Ky emër më jep lavdi! – A.: Domethënë ti mban me vete një shëmbëlltyrë të Zonjës virgjëreshë që thonë se ndihmon për magjira. – Dh.: Mrekullira është fjala e duhur. Nëna e Shpëtimtarit tim është ndërmjetësja jonë te Biri i pavdekshëm dhe te Perëndia; për ne mrekullitë e saj ndodhin përditë dhe unë çdo ditë i thërres me lutje. -A.: Pa ta shikojmë a do të të mbrojë tani: Xhelat, hidheni në tortura!
Në këto fjalë e sipër, që u thanë me theksin energjik të zemëratës, shatrit e satrapit u fshehën ku mundën, kurse zbatuesit e krimit e mbërthyen besimtarin dhe e hodhën te këmbët e tiranit që e pështyu në fytyrë. Ia shqitën shëmbëlltyrën e shenjtë nga gjoksi, i ngulën dalëngadalë nën thonjtë e duarve dhe të këmbëve kallamëza të mprehtë, ia shpuan krahët tejpërtej, por dhimbja nxirrte nga goja vetëm këto fjalë dashurie: Zot, ki mëshirë për shërbëtorin tënd; Mbretëreshë e qiejve, lutu për ne.
Si mbaroi tortura e pykave, i lidhën besimtarit rreth ballit një gjerdhan kockash që ia shtrëngonin sa kishin fuqi duke i klithur që të tregonte emrat e bashkëpunëtorëve; por gjerdhani u këput pa i nxjerrë dot as dhe një rënkim. Bëhej i ndjeshëm vetëm kur blasfemonin mbi të Përjetshmin. Të rraskapitur, xhelatët kërkuan që t’ia vazhdonin të nesërmen torturat; e morën të gjymtuarin dhe e plasën në fund të një të biruce me lagështi.
Satrapi nuk ishte më i pranishëm në mundimet që i rifilluan me urdhër të tij, duke e varur viktimën, si të ishte një Pavël i ri, kokëposhtë përmbi një zjarr drunjsh rrëshinorë, që ia përzhiste me të ngadaltë lëkurën e kokës. Katilët kishin frikë se mos jepte shpirt, ndaj e hiqnin herë pas here dhe e mbulonin me një sofër mbi të cilën kërcenin xhelatët, aq fort sa t’i thyenin kockat. Si ngadhënjeu edhe me këtë sprovë të fundit, Dhimitrin, që kishte kaluar nëpër kallamëzat, nëpër zjarrin dhe estrapadën (lloj torture mesjetare), e murosën duke i lënë të hapur vetëm kokën; e mëkonin aty që t’ia zgjasnin dhimbjet sa më shumë, e ai dha shpirt vetëm ditën e dhjetë, me emrin e të Gjithëfuqishmit në buzë. Fjalët e tij të fundit ishin ato të Shën Vavilës, peshkop i Antiokisë, që vdiq si ai ndër duart e xhelatëve: “Kthehu, o shpirt, në gjirin e prehjes, Zoti të ka falur çmimin e betejës. Ky triumf i të krishterit çuditi krejt Epirin; flisnin për Dhimitrin si për një shenjtor. Një muhamedan nga Kosturi që kishte qenë dëshmitar i vuajtjeve të tij, kërkoi që të pagëzohej, çka do t’i jepte pas disa kohësh palmën e martirit. Flitej për mrekulli që i bënte thjesht emri i një besimtari të Jisu Krishtit; dhe njërën mund ta përmendim pa dyshim: gjaku i tij e qetësoi tërbimin e tiranit, sepse ai u kthye në theror mëkatshlyes për Thesalinë, ku reshtën torturat dhe përndjekjet.
Shkëputur nga libri “Ali Tepelena” përkthyer nga Ardian Klosi, Tiranë, 2009