EmailFacebookKontakt

Dëshmori i Shenjtë Julian

Dëshmori i Shenjtë Julian (28 korrik)

Në kohën e perandorit Antonin (138-161), shën Juliani shkoi nga Dalmacia e Ilirisë, në Kampanja të Italisë. Ai ishte një djalë i pashëm dhe i ishte kushtuar Zotit me gjithë shpirt. Gjatë rrugës takoi një grup ushtarësh perandorakë, të cilët ishin në kërkim të të krishterëve. Juliani iu drejtua atyre, duke iu thënë:

“Paqja qoftë me ju vëllezër.”

Ushtarët, duke dëgjuar një përshëndetje të tillë dhe duke parë kaq butësi dhe mirësi në shprehjen e fytyrës së tij, dyshuan se mos ishte i krishterë. Dhe prandaj e pyetën:

“Nga je, dhe çfarë besimi ke?”.

Djaloshi i ri u përgjigj pa frikë:

“Jam një ilir nga Dalmacia dhe besoj në Krishtin”.

Dhe për më tepër, djaloshi trim shtoi se qëllimi i udhëtimit të tij ishte që të kthente adhuruesit e idhujve në fenë e vërtetë dhe të besonin në Perëndinë e Gjallë.

Ushtarët, kur dëgjuan këto fjalë, e rrahën djalin e njomë mizorisht dhe pastaj e hodhën në një pus të thellë. Aty qëndroi shtatë ditë e shtatë netë pa asnjë lloj ushqimi. Mbas shtatë ditësh atij iu shfaq një ëngjëll dhe e ushqeu me ushqim qiellor. Kur ushtarët panë, që edhe mbas kaq kohësh qëndrimi pa bukë, ai ishte akoma gjallë, e nxorrën nga pusi ilirin e ri dhe e çuan në gjyq.

Por edhe atje Juliani qëndroi si burrë dhe dëshmoi me forcë besën e tij. Duke parë kurajon, besën dhe trimërinë e tij, tridhjetë vetë nga ata që po dëgjonin gjyqin u kthyen e u bënë të krishterë. Gjykatësi e dënoi me vdekje. Kur Juliani dëgjoi vendimin, ai ra në gjunjë dhe me lot në sy, falenderoi Zotin që i dhuroi martirizimin; pastaj iu lut Atij, që ti mëshironte dhe ti ndihmonte tërë ata, të cilët do të ruanin kujtimin e tij. Pastaj, e çuan tek vendi i ekzekutimit, ku i prenë kokën me sëpatë. Shpirti i tij u ngjit në qiell, tek Zoti i tij, të cilit i shërbeu me besnikëri.

Kisha Orthodhokse e nderon kujtimin e tij në 28 korrik.

At Joani