EmailFacebookKontakt

Dëshmori i Shenjtë Gjergji i Janinës

Gjergji lindi në vitin 1810, në fshatin Çurkli, në rrugën që lidhte Korçën me Trikallën nga prindër shumë të varfër. Rreth 8 vjeç mbeti jetim dhe u rrit nga vëllezërit e motrat.

Mbas shumë kohësh, Gjergji hyri në shërbim të Haxhi Abdullahut, një nga oficerët e Emin Pashait, ku shërbente tek stalla e kuajve. Ata nuk e thërrisnin Gjergj, por “Hasan kaurri”.

Në vitin 1836, Emin Pasha bëhet sundimtari i Janinës dhe e merr me vete Haxhi Abdullnë e bashkë me të, shkon edhe Gjergji i bekuar. Në të njëjtin vit, me ndërhyrjen e disa miqve të tij Gjergji fejohet me një vajzë të quajtur Elena, edhe ajo jetime…

Por, një hoxhë fanatik, e takon një ditë në rrugë dhe i thotë: “Hasan kaurri, si s’të vjen turp ty, që je një mysliman, të martohesh me një të krishtere?”. Por, Shenjti iu përgjigj: “Unë jam i krishterë dhe po martohem me një të krishtere”.

Hoxha i tërbuar nga kjo e denoncoi tek gjykatësi i Janinës, duke shpifur, se: “Një njeri që unë e njoh dhe që është mysliman, po mohon fenë tonë e kërkon të martohet me një të krishtere”.

Kur e thirrën Gjergjin në gjyq për ta pyetur, ai burrërisht dhe pa frikë u përgjigj: “Unë jam i krishterë”.

Gjykatësi nuk dinte se ç’të bënte dhe vendosi ta dërgonte tek veziri. Edhe aty, shenjti ynë u përgjigj me të njëjtat fjalë. Veziri thirri Haxhi Abdullanë, i cili u përgjigj që ai e kishte njohur Gjergjin si të krishterë. Kështu, u shpall i pafajshëm dhe u regjistrua si i krishterë.

Të dielën e parë mbas lirimit, që atë vit ishte vigjilja e shën Mitrit, Gjergji dhe Elena vunë kurorë. Pastaj, Gjergji u largua nga Janina me zotërinë ku shërbente, por u kthye pas një kohe të shkurtër. Dhe ja, erdhi dita që Gjergjit i lindi një djalë, të cilin e pagëzuan në 7 janar me emrin Joan. Ndërsa shenjti po gëzonte, Ati i tij qiellor po përgatiste për atë kurorën e lavdishme dhe të përjetshme të martirit.

Pesë ditë mbas lindjes së djalit, në mëngjesin e një dite të martë, Gjergji ra në një gjumë aq të thellë, sa nuk u zgjua tërë ditën. Të afërmit e tundnin, por ai nuk ndjente asgjë. Me së fundi, në mbrëmje, ai u zgjua nga ai gjumë i çuditshëm dhe shkoi të hante darkë. Në vend që të thonte fjalët e zakonshme: “Në emër të Krishtit…”, i bekuari tha: “Lavdi ty o Zot!”. Kur një nga të afërmit e pyeti, se përse, ai iu përgjigj: “Lum kushuriri, gëzohu që arrita të them edhe kaq”. Ditën tjetër, u vesh me rrobat më të mira me pretekstin se do shkonte të kërkonte punë, por pasi doli jashtë, u kthye përsëri. I shikoi me kaq mall e dashuri të shoqen dhe djalin, si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, sikur nuk do t’i takonte më. Ata kur panë këtë gjë u shqetësuan dhe e pyetën: “Përse po na sheh kështu, çfarë ke, çfarë ka ndodhur?”. Ai u përgjigj: “Çfarë ndryshimi po shihni?”. Doli përsëri jashtë e sërish u kthye dhe i shikonte njerëzit e tij plot mall e dashuri. Ndoshta në atë gjumë të çuditshëm, kishte marrë vesh diçka. Mbasi i vështroi për një kohë të gjatë, ai doli jashtë dhe u drejtua nga pazari.

Kur po kalonte përmes pazarit, përballë tij po vinte hoxha që e kishte denoncuar para ca kohësh, i shoqëruar me një gjykatës. Kur e pa Gjergjin, ai e kapi përnjëherë dhe thirri me zë të madh: “Deri kur do tallesh me fenë? Je mysliman apo i krishterë?”.

Gjergji, ashtu si çdo njeri, në fillim u tremb dhe u përpoq të çlirohej nga duart e hoxhës. Në atë kohë kaloi andej kunati i tij, i cili u sul ta ndihmonte Gjergjin. Një turmë e madhe njerëzish u grumbulluan për të parë ç’po ndodhte. Përleshja ndodhi para shtëpisë së Daut Pashës, komandantit të ushtrisë. Duke dëgjuar zhurmën, ai dërgoi njerëzit e tij që të merrnin vesh ç’ndodhte dhe t’i sillnin shkaktarët e rrëmujës. Kur Dauti i pyeti përse po grindeshin, hoxha i tha: “Ky njeri ishte mysliman, siç e di çdo njeri, dhe tani është kthyer dhe është bërë i krishterë”.

Kur e pyeti Gjergjin, ky iu përgjigj trimërisht: “Unë kam lindur i krishterë, jam i krishterë dhe do vdes i krishterë”.

Prej andej, e dërguan në gjykatë dhe nga gjykata në burg. Ditën tjetër e sollën përsëri në gjyq, por Gjergji u përgjigj me të njëjtat fjalë. E çuan përsëri në burg dhe ja vendosën këmbët në pranga druri. Një gur i rëndë prej afro 70 kg. iu vu mbi trup. Por, megjithatë, ai mundi të flinte edhe nën këtë torturë. Gjumi i tij ishte kaq i qetë dhe i kaq thellë, sikur të ishte mbuluar me një velenxë të butë. Kur u zgjua, shokët e tij të burgut e pyetën: “Vëlla a je gjallë? Patëm frikë se do vdisje nga pesha e gurit!”. Ai u përgjigj: “Unë nuk ndjeva gjë fare. Por, pashë në ëndërr dikë – një djalë të ri të veshur me të bardha – i cili më forcoi me fjalët e tij. Ai më foli dhe më tha: “Mos ki frikë, Gjergj!”.

Të shtunën, e çuan përsëri në gjykatë. Gjykatësi i tha: “Çdo të bësh? A e di se ora e vdekjes është afër, nëse nuk kthen mendje?…”.

Gjergji pa u trembur i përgjigjet me burrëri: “Bëj ç’të duash. Unë nuk kam frikë: ju mund të më dënoni edhe njëqind herë, por unë kam lindur i krishterë, jam i krishterë dhe do të vdes i krishterë”.

Shumë njerëz kishin ndërhyrë tek veziri, disa për ta falur dhe disa për ta dënuar. Veziri, i shtyrë nga motive politike e dënoi me vdekje. Kur u dha vendimi, shenjtin e çuan në burg. Disa thonë që në çastin e dhënies së vendimit ra një rrufe e madhe dhe u dëgjua një gjëmim i tmerrshëm. Uji i liqenit u trazua aq, sa shumë njerëz u frikësuan.

Të hënën në mëngjes, në 17 janar, e kremtja e shën Andonit të Madh, pesë xhelatë hynë në burg dhe e morën Gjergjin. Ai u ngrit gjithë gëzim, sa që shokët e burgut u habitën. Xhelatët e çuan drejt vendit të ekzekutimit. Ishte me të vërtetë një mrekulli të shihje Gjergjin në ato çaste. Edhe pse midis xhelatëve, ai dukej sikur po fluturonte nga gëzimi dhe fytyra e tij ishte e ndritshme.

Në vendin e ekzekutimit ai kërkoi që t’i zgjidheshin duart dhe mbasi bëri kryqin, thirri me zë të madh tek të krishterët që ishin aty të pranishëm: “Më ndjeni o vëllezër dhe Perëndia iu ndjeftë edhe ju!”

Pastaj, xhelatët i vunë lakun në fyt dhe e varën. Kështu, shenjti dha shpirtin e tij tek Zoti dhe e mbaroi jetën e tij burrërisht, në moshën 28 vjeç.

Sipas zakonit të tyre, e lanë tre ditë e tre netë të varur në trekëmbësh. Çdo mbrëmje, rojet shikonin një dritë qiellore që shkëlqente mbi trupin e tij. Mbas tri ditësh, me kërkesën e të krishterëve, veziri iu dha lejen ta varrosnin. Ata i sollën lipsanet e shenjta në kishën e Mitropolisë. Atje, me pjesëmarrjen e tërë hierarkëve dhe të një numuri të madh besnikësh, të mbledhur me lot dhe me gëzim, u bë ceremonia fetare. Shumë njerez morën ndonjë copë nga litari, me të cilin ishte varur shenjti ose ndonjë copë nga rrobat e tij dhe shumë dëshmuan se patën shërime prej tyre. Shumë të sëmurë të tjerë, u shëruan në varrin e shenjtit, si shenjë që Zoti i jepte besnikëve, për të nderuar Dëshmorin. Të shurdhër dëgjuan dhe të çalë, ecën. Një grua me duar të paralizuara u shërua në varrin e tij. Shenjti iu shfaq në ëndërr shumë vetëve. Po ashtu, iu shfaq edhe gruas së tij, të cilën e ngushëlloi, duke i thënë: “Mos u tremb, unë do të vij shpesh tek ti”.

Fama e mrekullive të tij u përhap kudo. Një jeromonak, martirdashës, duke dëgjuar për mrekullitë e shenjtit dhe i nxitur nga zelli hyjnor, porositi që të bëhej një ikonë me skenat e jetës së martirit. Kjo ikonë, vazhdon edhe sot e kësaj dite, të bëjë mrekullira.

Kisha jonë Orthodhokse e nderon kujtimin e tij në 17 janar.