EmailFacebookKontakt

Dëshmori i madh, i lavdishëm e tropeprurës Shën Gjergji

Nga jeta e shenjtorëve që kremtohen në muajin prill

Dëshmori i madh, i lavdishëm e tropeprurës Shën Gjergji

Shën Gjergji është lindur rreth vitit 275 pas Krishtit prej prindërish të krishterë. I ati ishte nga Kapadokia, e ëma nga Lida e Palestinës. I ati, pak vite pas lindjes së djalit, u arrestua dhe u dënua me vdekje martirike për Krishtin. Kur Shën Gjergji u bë 18 vjeç, u mobilizua për ushtar dhe e shpunë në Nikomendi, e cila n’atë kohë ishte kryeqendër e pjesës lindore të shtetit romak.

Në ushtri u çmua shumë shpejt. E vunë në gardën perandorake dhe nisi t’i merrte gradimet njëri pas tjetrit. Pas luftës, të Dioklecianit me persët ku ai u shqua për trimëri të rrallë, mori titullin e princit.

Në vitin 303 pas Krishtit, perandori Dioklecian, i nxitur nga ndihmësi i tij Galer, i cili ishte një kundërshtar i tërbuar i të krishterëve, shpalli dekretin e tij të parë kundër fesë së krishterë.

Shën Gjergji ishte në këtë kohë 28 vjeç. Më parë shpërndau ndër të krishterët e persekutuar gjithë pasurinë, pastaj shkoi te kryetari i Gardës Perandorake dhe deklaroi se kërkon të zbatohen kundër tij dekretet perandorake të persekutimit kundër të krishterëve. Galeri dhe Diokleciani u habitën dhe u munduan t’ia mbushnin mendjen ta tërhiqte deklaratën, pa e detyruar që t’u sillte kurban idhujve. Po ai nuk e pranoi atë kompromis; përkundrazi nguli këmbë në pohimin e tij se ish i krishterë. Atëherë filluan torturat, por dëshmori gjithnjë falenderonte Perëndinë dhe i lutej ta ndihmonte që të qëndronte sa më i fortë mbi gurin e patundur të besimit. Shenjti psalte: “Do të lartësoj, o Perëndia im, o mbreti im dhe do të bekoj emrin tënd në jetë të jetës; do t’i këndoj Perëndisë time për gjithçka, Perëndisë i cili po ma bën rininë të gëzuar”.

Në kohën kur po zhvillohej kjo skenë e çuditshme, Diokleciani dhe ata që e shoqëronin, të sigurt tanimë për vdekjen e Shën Gjergjit dhe për mënyrën e hakmarrjes, kishin shkuar në tempullin e paganëve ku u sillnin kurban perëndive të tyre. Pa pritur u doli përpara Shën Gjergji i shëndoshë si molla, plot kurajë e trimëri. Iisu Krishti, për të shpërblyer vetmohimin e përsosur të atletit të tij, dhe duke dashur që, me anën e çudirave, të përulë egoizmin perandorak dhe të tërhiqte shumë shpirtëra pagane në krishterim, lejoi që një engjëll i Zotit ta lironte shejtanin nga rrota e t’i shëronte menjëherë plagët.

Diokleciani e shikonte çudinë por nuk mund ta kuptonte dot. Ç’e pengonte? Verbësia pagane. Pas habisë deshi të jepte menjëherë urdhër të arrestohej dëshmori i madh dhe të ekzekutohej këtë radhë menjëherë. Por tek po bëhej gati të jepte urdhërin, një ngjarje e re krejt e papritur e tronditi përsëri. Dhe nga kryegjeneralët e tij, Anatoli dhe Protoleoni, njerëz të dëgjuar e të mirë, u paraqitën te perandori, i dorëzuan spaletat dhe shpatat e i deklaruan se edhe ata i besojnë Iisu Krishtit. Para se Diokleciani të jepte urdhërin për ekzekutimin e tyre, ndodhi të reja të papritura shtuan maninë e tij. Shembullin e kryegjeneralëve e ndoqën edhe shumë oficerë si edhe turma ushtarësh sidomos nga ata që ndoqën tragjedinë dhe çudinë që ndodhi në Shën Gjergjin, pohonin sheshazi besimin e tyre te Krishti duke deklaruar se qenë të krishterë. Galeri urdhëroi të arrestohen menjëherë të gjithë dhe të ekzekutohen, gjë që u zbatua në vend. Pas kësaj, Diokleciani përdori edhe mënyra të tjera për ta zhdukur, por gjithmonë Shën Gjergji fitonte me ndihmën e Perëndisë mbi idhujtarin pagan, duke realizuar mrekulli të tilla, si dalja shëndoshë e mirë nga furra e gëlqeres, kthimi në jetë i kristianëve të masakruar nga paganët, dëbimi i perëndive të rreme të tempullit etj. Të gjitha këto mrekulli kthyen në fenë e krishterë me mijëra paganë të cilët i pranonin me kënaqësi torturat dhe vdekjen, të bindur se do të fitonin përjetësinë. Ndaj, më në fund Diokleciani vendosi ta ekzekutonte.

E çuan atëherë shenjtin në vendin e ekzekutimit. Aty kërkoi që të lejonin të falej. E lejuan. Dhe ai, si ngriti sytë në qiell, tha: “O Zot Perëndia im, tek ti i cili e fala veten time që nga barku i nënës, Ti tek i cili kam shpresuar, dhe nga i cili kam marrë guxim dhe iu përvesha kësaj ndeshjeje, ti që je shpresa ime e ëmbël, premtimi i vërtetë, dashuria e shpirtrave shpresëtare, at i dashur që kryen dëshirat e zemrave tona, bile para se ne të të drejtohemi, ti o Perëndi dhe mbreti im, forcomë gjer në fund, ta mbaroj si duhet këtë ndeshje që po duroj për pohimin për ty, dhe prit shpirtin tim dhe numë bashkë me ata që të kanë pëlqyer”. Pastaj hodhi sytë tek ushtarët dhe te populli që ishte mbledhur aty rrotull dhe tha: O Zot, falua këtyre gjithçka që mund të kenë bërë nga padija dhe tregoi të denjë të të njohin ty, Perëndinë e vërtetë, i bekuar je në jetë të jetëve. Dhe pas kësaj lutjeje, dëshmori i madh u ul në gjunjë dhe i ofroi xhelatit qafën. Ishte i qetë, gjakftohtë, hero i vërtetë. Edhe xhelati ndjeu në atë moment një farë respekti për atë të ri trim, por kreu detyrën që i kishin ngarkuar. Ajo kokë e shenjtë ra plot me gjak përdhe, shpirti i tij kaloi në pavdekësi. Kujtimi i Shën Gjergjit Tropeprurësit mbetet gjithnjë i lulëzuar dhe i ndritshëm. Mrekullitë e pasuan dhe pasojnë edhe pas martirizimit. Emri i tij nuk harrohet kurrë nga zemra e krishterë, dhe kisha jonë orthodhokse ka thurur himne shumë të bukur për jetën dhe veprat e tij.

Dhimitër Beduli