EmailFacebookKontakt

Dëshmia e Kishës Orthodhokse gjatë mijëvjeçarit të tretë

Simpozium panorthodhoks – Jerusalem 11-17 qershor 2000

Dëshmia e Kishës Orthodhokse gjatë mijëvjeçarit të tretë

Duke pritur ditën e gëzueshme të Pentikostisë, u mbajt në Jerusalem, nga 11-17 qershor, Simpoziumi mbarëorthodhoks, me temë: “Dëshmia e Kishës Orthodhokse gjatë mijëvjeçarit të tretë”, i cili u organizua me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Patriarkut të Jerusalemit, z. Diodor I.

Në Simpozium morën pjesë përfaqësues nga të gjitha Kishat Orthodhokse në botë. Kisha jonë përfaqësohej nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati dhe z. J. Papadhopulli.

Të dielën, më 11 qershor, në orën gjashtë pasdite u bë hapja e Simpoziumit, me pjesëmarrjen e vetë Patrikut Diodor. Po këtë mbrëmje, u lexuan dhe përshëndetjet drejtuar nga primatët e kishave Orthodhokse.

Përshëndetja e Fortlumturisë së Tij Anastasit, u lexua nga Imzot Ignati. Në të Kryepiskopi, pasi i falenderonte dhe u uronte suksese gjithë pjesëmarrësve, theksonte se:

“Kisha predikon pa ndërprerje misterin e Perëndisë Trinitore nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. I jep kuptimin jetës, shndërron njeriun e penduar të çdo kohe dhe vendi, e ngre atë duke e bërë “një krijesë të re”, e udhëheq drejt shpëtimit. Të gjitha veprat e tjera shoqërore dhe kulturore, janë të pamjaftueshme për të zëvendësuar karakterin mistiko – shpirtëror të Kishës Orthodhokse.

Të bashkuar me Krishtin brenda Kishës, kapërcejmë “unin” tonë personal ose nacionalitetin tonë, “vetveten”, për të takuar me mirëkuptim e dashuri të gjithë njerëzit dhe gjithë popujt, sepse mesazhi i Orthodhoksisë i përket çdonjeriu dhe ka mundësi mbarëbotërore. Vendi i Kishës është pararendës në të gjitha fushat, si në shkencë, art dhe në kulturë.

E gjithë Kisha, “Trupi mistik i Krishtit” thirret kohë pas kohe të ofrojë Ungjillin në të gjithë botën dhe të interesohet për çdo qenie njerëzore, pavarësisht nga prejardhja e origjina e tij”.

Ajo që ra në sy gjatë ditëve të Simpoziumit, ishte niveli i lartë teologjik i temave të trajtuara dhe i diskutimeve në lidhje me to. Kjo gjë bëri, që me të drejtë ai të quhej nga të pranishmit, si një simpozium panorthodhoks me përmasa botërore.

Dëshmia e Kishës Orthodhokse, u theksua në Simpozium, është e domosdoshme në këtë periudhë të ndryshimeve të menjëhershme, një periudhë pasigurie, konfliktesh e dhune të fillimit të mijëvjeçarit të ri. Prandaj klerikë dhe laikë, burra dhe gra, murgjër e murgesha, të moshuar dhe të rinj, “të gjithë sipas Hirit të marrë nga Perëndia”, duhet që, si në jetën ashtu dhe në veprimtarinë e tyre, të tregojnë dhe dëshmojnë ikonën e gjallë të mesazhit shpirtëror që jep Ungjilli.

Eshtë e vërtetë, që njeriu në çdo kohë, por veçanërisht sot, përjeton një tragjedi, duke qëndruar larg Perëndisë dhe pike u mbyllur në vetveten e tij. Por Kisha brenda kësaj drame shfaq Krishtin Perëndi, i cili nëpërmjet mishërimit mori ndjenjë njerëzore dhe ofroi te njerëzit kapërcimin e vdekjes dhe dhuroi ngjalljen. Vetë jeta e Krishtit, imitimi i saj, të cilën Kisha e thekson çdo ditë, është zgjidhja e vetme ndaj problemeve të përgjithshme njerëzore.

Në Simpozium u theksua si e domosdoshme parapërgatitja e klerit dhe e teologëve të rinj përballë sfidave të reja që shtron globalizmi, duke rritur pjesëmarrjen dhe praninë e Orthodhoksisë në dialogjet teologjike, takimet me karakter ekumenik dhe ndërfetar. Këtu një rol të veçantë mund të luajnë shkollat teologjike, qofshin ato nën drejtimin e Kishës ashtu dhe ato të inkuadruara brenda universiteteve të tjera.

Pas përfundimit të Simpoziumit, pjesëmarrësit e tij, së bashku me hierarkë të tjerë të ardhur nga kishat orthodhokse simotra, morën pjesë në aktivitetet fetare të organizuara nga Patriarkana e Jerusalemit, me rastin e 2000-vjetorit të festimit të së kremtes të Pentikostisë dhe zbritjes së Shpirtit të Shenjtë.

Të dielën në mëngjes, 8 qershor, u zhvillua zbritja zyrtare drejt Kishës së Shenjtë të Ngjalljes së Krishtit, në Jerusalem, duke vijuar më pas me Liturgjinë Hyjnore Patriarkale, brenda dhe përreth kubesë së shenjtë dhe jetëdhënëse të varrit të Krishtit.

Pas Liturgjisë Hyjnore, u organizua një pritje nga Patriarku Diodor I, në sallën e fronit të Patriakanës së Jerusalemit, e cila hapi dyert për herë të parë për të pritur besimtarët dhe religjiozët e shumtë, pas restaurimit të saj. Ndërsa në mbrëmjen e po kësaj dite, u zhvillua Litania madhështore, në të cilën mori pjesë vetë Patriarku i Jerusalemit, e cila zgjati rreth 40 minuta, duke filluar që nga ndërtesa e Patriarkanës dhe deri në kodrën e Sionit të shenjtë, ku u krye dhe Mbrëmësorja, në shesh të hapur.

Të nesërmen, më 19 qershor, po në të njëjtin vend, u krye dhe Liturgjia Hyjnore Patriarkale, me pjesëmarrjen e hierarkëve dhe priftërinjve të pranishëm, me rastin e kremtimit të këtyre festave. E veganta ishte, se ashtu si në ditën e Pentikostisë, u psal dhe u lexuan troparet në shumë gjuhë të botës. U dëgjuan edhe tropare dhe antifonë të ndryshëm në shqip, nga zëri melodioz i Imzot Ignatit.

Përgatiti: Jorgo Papadhopulli