Gjatë konferencës, organizata të krishtera orthodhokse nga e gjithë bota, që merren me veprimtari sociale dhe humanitare, ranë dakord për të zhvilluar një rrjet global, për të forcuar bashkëpunimin dhe sfiduar varfërinë e padrejtësinë. Pjesëmarrësit ranë dakord për të punuar për krijimin e një shoqate të Diakonisë Orthodhokse, gjatë Konferencës së Parë Ndërkombëtare të Organizatave Sociale dhe Humanitare Orthodhokse e organizuar në manastirin Valamo i Ri dhe Akademinë Laike në Finlandë.
Konferenca Ndërkombëtare ‘Diakonia Orthodhokse: Dëshmia dhe Shërbimi Social i Kishës Orthodhokse’ përfshiu 80 pjesëmarrës nga 25 kisha orthodhokse lindore e orientale, departamente dhe organizata nga Evropa, Lindja e Mesme, Amerika Veriore e Jugore dhe Afrika. Konferenca ishte bekuar dhe nga Patriku Ekumenik Vartholomeu I, dhe u hap nga Kryepiskopi Leo, kreu i Kishës Orthodhokse të Finlandës. Shumë kisha dërguan përfaqësues të tyre në këtë ngjarje.
Ky aktivitet ishte organizuar nga International Orthodox Christian Charities me qendër në SHBA, Këshilli Botëror i Kishave (WCC) dhe Ortaid, organizata humanitare e Kishës Orthodhokse të Finlandës.
Sipas moderatorit të Konferencës, At Leonid Kishkovky (SHBA) “takimi ishte i një rëndësie të veçantë e tepër premtues në kuadrin e ringjalljes unike të aktivitetit social të Kishës Orthodhokse gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Ajo hap rrugën për të rritur bashkëpunimin orthodhoks në departamentet diakonike të shërbimit për njerëzit në nevojë”.
Qëllimi i veprimtarisë ishte eksplorimi i historisë, teologjisë dhe realitetit aktual të bashkëpunimit orthodhoks në fushën e drejtësisë dhe shërbimit social, për të ndarë përvoja dhe metodologji dhe për të nxitur mënyra të reja bashkëpunimi dhe eksperiencash ndërmjet iniciativave dhe organizatave orthodhokse sociale në të gjithë botën.
Duke ndjekur ndryshimet politike të ndodhura në Evropën Lindore gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Kishat Orthodhokse dhe kisha të tjera kanë rizbuluar rolin e tyre në shoqëri dhe kanë kërkuar t’i përgjigjen trazirave sociale. Janë themeluar me qindra nisma të reja sociale dhe humanitare duke iu bashkuar programeve ekzistuese Orthodhokse në rajone të tjera.
Zhvillimi i konferencës përkoi me dy ngjarje të rëndësishme për Kishat Orthodhokse në Evropë. Më 1 maj, 10 vende të reja iu bashkuan Komunitetit Evropian, si një kujtim i ndryshimeve të rëndësishme që përfshinë rajonin, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, – por, gjithashtu, duke rritur mundësinë e lindjes së ndarjeve të reja ndërmjet Orthodhoksisë Lindore dhe Evropës Perëndimore. Ditën tjetër, gjatë Liturgjisë Hyjnore, pjesëmarrësit kujtuan kanonizimin e katër shenjtorëve të rinj, të cilët ishin të lidhur ngushtë me një dëshmi të thellë sociale gjatë shek. XX. Nënë Maria (Skobtsova), djali i saj Juri, At Dimitër Klepinin dhe Ilia Fondaminsky, krijuan një organizatë sociale orthodhokse në vitin 1930 dhe vdiqën në kampet naziste të përqendrimit, pas përpjekjeve të tyre për të shpëtuar nga persekutimi viktimat çifute në Francë.
Filantropia dhe diakonia janë qendra të misionit të Kishës
At Demetreos Constantelos, një udhëheqës akademik, specialist në historinë e etikës sociale orthodhokse, theksoi se tradita e drejtësisë sociale dhe aktivitetit bamirës i Kishës Lindore kanë influencuar të gjithë Evropën. Pikërisht në Bizantin e Krishterë – Perandoria Lindore Romake – barazia njerëzore u bë një gur themeli për politikën sociale. Në Kishën Orthodhokse, filantropia dhe diakonia janë qendra e misionit të Kishës, por për shkak të rrethanave të ndryshme historike, ky mision shpesh është kufizuar ose ndaluar. Ashtu sikurse edhe Patriku Ekumenik theksoi në mesazhin e Tij drejtuar Konferencës, dashuria jonë aktive, siç është përjetuar në Kishën e hershme, “duhet që të përfshijë çdo qenie njerëzore, çdonjëra prej të cilave është një imazh i Krishtit”.
Kisha duhet të rigjenerojë kapitalin social
Disa nga prezantimet kryesore të veprimtarisë paraqitën përvojat teologjike dhe historike të veprimit social në Kishën Orthodhokse. Sipas At Emanuel Clapsis (SHBA) “të krishterët duhet të kërkojnë Perëndinë tek të varfrit, tek të cilët, sipas Etërve të Kishës, ata i shërbejnë vetë Krishtit”. Detyra sociale e Kishës është që të jetë “zëri i atyre që nuk kanë zë” dhe të krijojë dhe ushqejë komunitetet me jetë, paqe dhe pajtim duke rigjeneruar “kapitalin social” duke i rezistuar qëndrimit çnjerëzor dhe padrejtësive”.
Gjatë diskutimit në panel, përvoja sociale e Kishave Orthodhokse në kontekste të ndryshme nga Afrika Lindore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lindja e Mesme dhe Armenia u ndanë me të tjerët dhe u analizuan. Për shembull, Helena Andrea theksoi rolin “non partisan” të Kishës Orthodhokse në Liban, që ka asistuar viktimat e luftës civile në vitet 1980-të dhe sot në Irak. “Kishat nuk duhet vetëm të shërbejnë, – tha ajo, – por duhet të përballen me padrejtësinë dhe të transformojnë shoqërinë. Kjo kërkon që orthodhoksët të bashkëpunojnë dhe me njerëz të tjerë, të cilët kanë dëshirën e mirë për të ndihmuar ata që janë në nevojë, pa dallim besimi apo origjine”.
At Arkady Shatov, kreu i spitalit më të madh të Kishës dhe një komuniteti murgeshash në Rusi, foli rreth përpjekjes së gjallë të punës bamirëse atje gjatë viteve ’90. Kisha Orthodhokse e Rusisë ka sot mijëra organizata kishtare e projekte, që ndihmojnë jetimët, krijojnë strehë për fëmijët e rrugës dhe kujdesen për viktimat e Sida-s dhe të burgosurit. Por ai paralajmëroi se shërbimi kërkon sakrificë e shumë njerëz, të cilët kërkojnë të shërbejnë e gjejnë më të lehtë që të adaptojnë shenjat e jashtme të orthodhoksisë, se sa të kuptojnë bazën e Krishterimit, që është të duash të afërmin tënd.
Shërbimi i Kishës në një kontekst shumëbesimësh u trajtua nga Arqiepiskopi Johannes, kreu i departamentit zhvillues të Kishës Orthodhokse Kopte në Egjipt. Për këtë Kishë, diakonia bazohet në zhvillimin dhe përfshin ndryshimin nga ofrimi i bamirësisë në fuqizim dhe qëndrueshmëri të personave në nevojë.
Kishat duhet të ofrojnë një zë moral dhe jo një plan
Dr. David Bryer, një orthodhoks laik me një përvojë të gjerë ndërkombëtare humanitare dhe zhvillimi, analizoi evoluimin historik të idesë së humanitarizmit dhe eksploroi disa nga sfidat dhe mundësitë që duhet të përballojnë Kishat sot. Ai u kujtoi pjesëmarrësve rolin qendror që ka luajtur Kisha në krijimin e parimeve moderne të humanitarizmit. Varfëria është një pyetje e thellë morale, argumentoi ai, dhe Kisha Orthodhokse mund të japë njohuri në debatet e zhvillimit.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit eksploruan disa nga çështjet dhe sfidat që ato përballojnë në punën e tyre, duke përfshirë standardet ndërkombëtare, përgjegjshmërinë dhe lidhjet me shoqërinë civile.
Nina Gramo