Pas botimit të një artikulli të Sejfi Protopapës në gazetën “Illyria” të diasporës shqiptare të SHBA, ku sulmohej Kryepiskopi Anastas (shkrim i botuar edhe në gazetën “Dita informacion”, 31 dhjetor 1996), po në këtë gazetë, u botuan edhe përgjigjet e dy klerikëve me prestigj të madh në SHBA, të Kishës Orthodhokse në Amerikë, nga e cila varet edhe Arqidioqeza Shqiptare e Amerikës. Kryepiskopi Piter i New Yorkut (Prof. Dr.), me origjinë franceze, është profesor i Seminarit Orthodhoks Shën Vladimiri, theolog i shquar i së Drejtës Kanonike të Kishës, ndërsa at John Garvey, me origjinë irlandeze, është shkrimtar i njohur në SHBA dhe shërben prej vitesh në kishën orthodhokse shqiptare Shën Nikolla në New York. Në këto përgjigje, me fakte, hidhen poshtë pretendimet naive.
Nga Kryepiskopi Piter
Në artikullin e kohëve të fundit të Sejfi Protopapës “Dy Fytyrat e Peshkopit Janullatos”, botuar në Illyria (Janar 11-13, 1997), ekzistojnë çështje të ndryshme, të cilave nevojitet t’u drejtohemi në këtë padi të padrejtë.
Kisha Orthodhokse në Amerikë mbështeti ngritjen e Kryepiskopit Anastas si Primat të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Në shërbimin e tij të rëndësishëm, si kreu i një Kishe Autoqefale, Kryepiskopi Anastas ka punuar pa u lodhur, në çuarjen përpara të mësimeve të Ungjillit dhe në ngritjen e besimit Orthodhoks në Shqipëri. Përveç kësaj, falë paanësisë së Tij kundrejt grupeve etnikë në Shqipëri, ka fituar nderim të lartë midis klerikëve dhe popullit në atë vend.
Fortlumturia e Tij, megjithëse i ftuar, nuk mori pjesë në hirotonisjen e tri episkopëve të rinj për Shqipërinë, të cilët u dorëzuan në Patrikanën Ekumenike në Stamboll për poste dioqezash në Shqipëri. Për më tepër, Kryepiskopi Anastas e dënon herezinë e filetizmit; ai nuk e vendos nacionalizmin shqiptar në epiqëndër të shërbimit të tij episkopal, sikurse artikulli i lartpërmendur e nxit atë të veprojë.
Përfundimisht, ne nuk besojmë, se Kryepiskopi Anastas “dhe taborret e tij” janë, duke e minuar indin e shoqërisë shqiptare. Veprat e tij për Kishën Orthodhokse të Shqipërisë nga njëra anë dhe për kombin shqiptar nga ana tjetër, njihen botërisht nga qeveria dhe udhëheqës fetarë, si një shembull i gjallë prijësie, respekti dhe devocioni për Besimin dhe Popullin, të cilit ai i shërben.
Autori i përgjigjes është Kryepiskopi i New York-ut dhe Kryetar i Marrëdhënieve të Kishës Botërore për Kishën Orthodhokse në Amerikë
Nga At John Garvey
Artikulli i Sejfi Protopapës “Dy Fytyrat e Peshkopit Janullatos”, është plotësisht çorientues dhe sigurisht përçarës.
Ndërsa Orthodhoksia në Shqipëri përpiqet të jetojë sërish, pas vitesh shtypjeje – dikush, që deklaron, se dashuron kujtimet e fëmijërisë, të vezëve të Pashkës e grurit të ëmbël – bëhet pengesë, kur vë në dyshim motivet e një njeriu, i cili, para së gjithash, interesohet për rolin e Tij si episkop i Kishës së Krishtit.
Eshtë e rëndësishme të kuptohet, se roli i një episkopi në Kishën Orthodhokse nuk është t’i shërbejë interesave të ndonjë kombi të veçantë. Kryepiskopi Anastas është shërbëtor i kishës së Jisu Krishtit, e Cila nuk është as Shqiptare dhe as Greke. Kritika, që i bëhet idesë, se feja e vërtetë e shqiptarit është shqiptaria godet në shenjë. Asnjë i Krishterë serioz Orthodhoks ose Katolik dhe asnjë Myslyman serioz, nuk mund të pohojë, se identiteti kombëtar për të është më i rëndësishëm, se marrëdhënia e tij me Perëndinë.
Protopapa shkruan, se Kryepiskopi Anastas gabon, kur flet për influencë të fondamentalizmit islamik në Shqipëri. Mos vallë Protopapa e mohon, se ky fondamentalizëm nuk ekziston? Ekzistojnë shembuj të shfaqjes së tij dhe Protopapa duhet ta dijë këtë. Kërkund nuk është thënë, se ky është një fenomen i përhapur dhe gjithashtu, as Kryepiskopi nuk e ka thënë një gjë të tillë. Protopapa injoron dialogun e Kryepiskopit me Islamikët – e madje dhe atë me komunitetet ateiste.
At Joan Pelushi (i përmendur nga Protopapa si kandidat për ngritje në pozitë episkopale) nuk është aspak kundër Kryepiskopit, por punon pranë tij si pedagog i Seminarit të Durrësit dhe përkthyes i veprave Orthodhokse.
Plotësisht të veçuara nga tonet e shëmtuara të artikullit i mbeten ato fakte, të cilat ai i shpërfill t’i thotë. Kryepiskopi Anastas ishte një drejtues i zhvillimit të Orthodhoksisë Afrikane dhe ishte i vendosur, që orthodhoksët afrikanë duhet të udhëhiqen prej afrikanësh. Ai nuk pësoi ndonjë transplantim karakteri kur shkoi në Shqipëri.
Protopapa shkruan, se Kryepiskopi Anastas qëndron “në pritje të tri Episkopëve të tjerë grekë, që Patrikana Ekumenike do t’ia kishte dërguar, po të mos kishte ndeshur në refuzimin e qeverisë shqiptare”. Kjo injoron faktin domethënës, se Kryepiskopi Anastas, ka shfaqur haptas mendimin e tij, duke informuar Patrikanën Ekumenike, që – ngritja në pozitën episkopale e tre episkopëve grekë ishte një befasi e pakëndshme – në këtë pikë ai binte dakord me qeverinë shqiptare dhe nuk mori pjesë në hirotonisjen e tyre, megjithëse ishte i ftuar.
Mund të jetë e vështirë për dikë, që si interesim kryesor të vetin ka nacionalizmin shqiptar dhe jo Kishën e Jisu Krishtit, të kuptojë punën e një njeriu, që beson në Krishtërimin Orthodhoks si përkushtimin e tij parësor e të vetëm. Por, ai nuk duhet të shpifë për një njeri të tillë.
Autori është prift i Kishës Orthodhokse Shqiptare Shën Nikolla, në New York City
Më poshtë, Protopapa shkruan, se “…peshkopi Janullatos qëndron në pritje të tre peshkopëve të tjerë grekë…”, gjë, që përbën një kontradiktë të dukshme me qëndrimin e vërtetë të Imzot Anastasit. Ftesës, që të merrte pjesë në hirotonisjen e tre mitropolitëve në Kostandinopojë, Kryepiskopi Anastas iu përgjigj duke thënë: “…Për mua do të ishte bekim nëse pranë do të kisha, për të marrë pjesë në veprën e mundimshme të rimëkëmbjes nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, jo vetëm tre, por shumë më tepër mitropolitë dhe klerikë të tjerë… por veprimi më i drejtë është vazhdimi i dialogut me autoritetet shqiptare… se veprime të nxituara… do të shkaktojnë reagime të disfavorshme e pasoja në jetën e Kishës në Shqipëri.” (shih. “Ngjallja” gusht 96)
Kur Protopapa përpiqet më kot prej Amerike t’i zbehë përmasat e personalitetit të Imzot Anastasit, ai harron 6 vitet e lidhjes sonë atërore me Kryebariun tonë.
Por, mbi të gjitha, duhet të jetë e qartë, se kur luftohet Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, luftohet dhe denigrohet gjithë Komuniteti Orthodhoks Shqiptar. Kryepiskopi është Kreu i Kishës dhe populli orthodhoks Trupi i saj. Nuk mund të ndahet dot Kreu nga Trupi. Nuk mund të shpifet për Kreun e të thurren “lavde” për Trupin.
Mos u ndesh me Qiellin!!! Mos u ndesh me Kishën e Tij, se përpjekja e njeriut, i cili përpiqet të sfidojë Perëndinë, Kishën e Tij, – që nuk përbëhet vetëm nga muret, por prej njerëzish të gjallë, – njeh veç disfatë.
Andi Nikolla