EmailFacebookKontakt

Dëshmi e të birit të një kleriku të burgosur

Dëshmon Spiro Rexho, ish – i dënuar politik në burgun e Vlorës dhe në Rubik, i biri i atë Stavro Rexhos, i vdekur në burg.

Spiro Rexho, me origjinë minoritare, ka lindur në vitin 1943 në Nivicë të Sarandës. U arrestua kur ishte ushtar në Vlorë dhe u dënua 1 vit e gjysmë me akuzë të rreme, se kur kryente shërbimin ushtarak planifikonte te arratisej dhe se kishte folur keq për Partinë dhe Enver Hoxhën.

I ati, Stavro Rexho, prift që ka shërbyer fillimisht në Nivicë e pas luftës në Mursi, ka vuajtur dënime me burgim dhe ka vdekur në burg. Atë Stavro, me origjinë nga fshatrat e minoritetit, u shkolla në gjimnazin “Zosimea” të Janinës e më pas vazhdoi na Shkollën Normale të Elbasanit. Si besimtar i zellshëm u vesh prift dhe kudo ku shërbeu la përshtypje të mira.

Mori pjesë në luftën kundër pushtuesve fashistë. Pas luftës e burgosën për idetë demokratike. Herën e parë e dënuan me pushkatim, por vendimin e ulën nga 25 vjet në 3 vjet, për shkak të protestave te fshatrave ku kryente shërbesat fetare. Në valën e luftës kundër fesë, e burgosën sërish dhe, për shkak të keqtrajtimit dhe kequshqyerjes, vdiq në burg. Eshtrat iu gjetën në varrezat e Sharrës dhe trupi brenda në arkivol ishte i dhunuar: me gjymtyrë të thyera e të këputura.

Zoti Spiro, si ju edhe babai juaj keni qenë të dënuar dhe kjo keni vuajtur në burg. A mund të na tregoni si dhe pse u arrestua babai juaj, çfarë akuze i ngritën, ku e vuajti dënimin, si vdiq?

Babai im ishte djalë jetim minoritar. I kishte vdekur i ati, por edhe vëllai i babait, xhaxhai im. Ai vetë u detyrua që të rritë edhe vëllezërit e tij të mbetur jetimë, edhe fëmijët e të vëllait. Si i ri, i ndershëm dhe patriot, fshati e ndihmoi e i dha mundësi për t’u shkolluar në gjimnazin “Zosimea”, Janinë, ku mbaroi shkollën e mesme për mësues. Më tej ka kryer edhe Shkollën Normale të Elbasanit, me miratimin nga gjyshi i Josif Pashkos, Visarion Pashko. Shkuan nja 10-12 minoritarë, ndërmjet tyre edhe babai, që u bë prift për atdheun. E caktuan në Nivicë; ishte fshat ku nuk dinin asnjë fjalë greqisht; shqip ishte shpirti i tij dhe ata e donin.

Mori pjesë edhe në luftë dhe dallohej për cilësitë patriotike, jo se ishte babai im, por ishte një nga intelektualët e parë tok me Lefter Talon që u ngritën kundër gjermanëve, prandaj edhe është i regjistruar në familjet e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, sepse ka luftuar vërtet.

Pas luftës, më 1946, e arrestuan dhe e çuan në burgun e Gjirokastrës. Ishte për pushkatim, por u ngritën fshatarët e Nivicës, 19 burra e gra, shkuan në Gjirokastër para gjykatës dhe thanë: “Ai është djali i mirë i minoritetit, mos e dënoni, na dënoni ne!” Janë gjallë ata. Atëherë, dënimin nga 25 vjet e kthyen në 3 vjet. Kur babai doli nga burgu, e caktuan në fshatra me prejardhje shqiptare, si në Mursi – fshat që nuk dinte fare greqisht – edhe 20 vite të tjera, siç ishte në Nivicë. La nam të madh edhe atje.

Kështu që babai juaj vuajti në burg deri në vitin 1949. Po më tej çfarë ndodhi?

Kur bëhej mesha në kishë, nuk më jepte mua bukë të parit, por atyre që ishin pa baba dhe nënë, ose atij që kishte babanë në burg. Në vdekje, nuk diskutohet të merrte lekë kurrë, asnjë 10 – lekësh nuk merrte. Besonte shumë te Krishti.

… Kur unë isha në burg, morën prapë edhe babanë, se ishte tjetër problem, meqë ai ishte prift; ishin nja 10-12 priftërinj… dhe po përgatitej ajo e priftërinjve… Sa për dokumentet? I rregullonin vetë ata siç donin. Babai vdiq në burg.

A mund të na tregoni për vdekjen e tij? Ja keni kërkuar eshtrat?

Atë kohë unë punoja në Laç, në uzinën e superfosfatit, isha teknik elektricist i mirë. Në atë kohë isha bashkë me Bardhyl Berishovën. Më vdes babai në burgun e Tiranës. Nga të dhënat që kisha unë, një kapter i burgut i çonte ushqim nga shtëpia… U mundova ta gjej. Ishte një kapter nga Peshkopia ai që i jepte ushqimet.

Në cilin burg ishte babai?

Te burgu i vjetër në Tiranë. Morëm vesh që u varros në Kombinat. Përgjegjësi i varrezave të Kombinatit në Sharrë kishte njohur një xhaxhain tonë që jetonte në Tiranë dhe kur vëllai im u interesua për vendin ku e kishin varrosur, ai na ndihmoi dhe e gjetën. Mirëpo, kur shkuam ta nxjerrim, u çuditëm të tërë: trupi nuk ishte i vendosur normal siç vdes njeriu, por ishte një pjesë trupi dhe këmbët ishin të hedhura anash… Këtë e pamë të gjithë…

Me të drejtë jeni çuditur, z. Spiro. Kemi të dhëna edhe nga dëshmitarë të tjerë ish-të burgosur politikë se në burgje kishin një praktikë të dhunimit të kufomave: ua këputnin këmbët me kazmë dhe ua vendosnin sipër ose anash trupit. Pastaj i futnin në thasë ose në arkivole të vogla. Të paktën, arritët të gjeni varrin, se pjesa më e madhe as nuk e dinë ku mund të jenë groposur.

Po. E gjetëm.

Shkëputur nga libri: “Të zhdukur nga diktatura – dëshmojnë familjarët”