EmailFacebookKontakt

Dëshmi e rolit dhe e reputacionit në rritje të Kishës sonë

Një delegacion i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë vizitoi Patrikanën e Antiokisë

Sekretin mistik të Orthodhoksëve përcillte në bisedat e Tij në komunitetet orthodhokse të Sirisë, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi. Ai u ndodh atje në kuadrin e vizitës, që një delegacion i Kishës sonë realizoi në Patrikanën e Antiokisë, me ftesë të Patrikut të Antiokisë dhe gjithë Lindjes së Mesme, Fortlumturisë së Tij Ignatit. “Midis Orthodhoksëve kur ndahen gëzimet ato shumëfishohen, ndërsa hallet dhe problemet zvogëlohen”, – përsëriste Fortlumturia e Tij.

Dhe qysh në çastin e parë, duke zbritur në aerodromin e Damaskut, së bashku me Mitropolitin e Korçës, Imzot Joanin, një prift, një dhiakon dhe një laik, të cilët përbënin delegacionin, pas pritjes zyrtare nga Patriku Ignat IV, episkopë, klerikë dhe besimtarët e Patrikanës, Kryepiskopi Anastas, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, nënvizoi dy çaste: Faktin, se vizita përbënte shprehje të unitetit që ekziston midis Kishave Orthodhokse dhe mbartjen e një përvoje të dashurisë Orthodhokse në një shoqëri multireligjioze, sikundër ngjet me Kishën e Sirisë dhe atë të Shqipërisë.

Pas pritjes madhështore në Patrikanën e Antiokisë dhe në oborrin e Kishës katedrale “Fjetja e të Tërëshenjtës Mari”, ku u krye Dhoksologjia e pritjes në prani të qindra besimtarëve, dy Primatët këmbyen përshëndetjet e tyre të para. Me fjalë jashtëzakonisht prekëse u shpreh Patriku i Antiokisë, Fortlumturia e Tij Ignati IV: “Nëse sot flasim për hiearapostoli Orthodhokse në Afrikën Qendrore dhe Lindore, kjo i dedikohet Kryepiskopit sot të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Nëse sot flasim për ringjallen e besimit dhe të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, kjo pikësëpari është meritë e urtësisë dhe udhëheqjes me besim e lutje të thellë të Kryepiskopit Anastas”. Për të dhënë përmasat e kësaj ringjalljeje, Patriku bëri fjalë për “Kishën e Re të Shqipërisë”, duke lënë të nënkuptohej, se në jo pak raste para 1990-s, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë ishte konsideruar e vdekur.

Ndërkaq, duke qenë vetë një personalitet i Theologjisë Orthodhokse, Patriku Ignat, me ndjenjë të thellë respekti për figurën e Kryepiskopit Anastas, bëri fjalë për një klerik që qysh në moshë të re, në mjediset e Këshillit Botëror të Kishave e të tjera vende takimi ndërkombëtare, nderoi rason Orthodhokse, në periudha jo pak të vështira dhe në rrethana të ndërlikuara për Orthodhoksinë.

Kryepiskopi, duke iu përgjigjur me një fjalë të ngjeshur dhe të shkurtër, u përpoq të përshkruajë për vëllezërit sirianë përndjekjen më të pamëshirshme ateiste, që njohu historia e njerëzimit, që shkoi deri në mohimin e të drejtës për lutje personale. Me shifra dhe fakte Ai përshkroi përmasat e shkatërrimit, por edhe të vërtetën martirike të besimtarëve Orthodhoksë të Shqipërisë. Kryepiskopi përcolli gjithashtu, gëzimin dhe harenë mistike të ringjalljes me hapa të shpejta të Kishës sonë gjatë dhjetë vjetëve të lirisë fetare, duke vënë theksin sa në ngritjen e objekteve të kultit aq edhe në praninë thelbësore të Kishës në zbutjen e problemeve në vend.

Aspekte më të veçanta të kësaj pune të hovshme, Kryepiskopi Anastas do të trajtonte gjatë të gjitha ditëve pasardhëse, në biseda që zhvillonte, në manastire, qendra shpirtërore komunitete Orthodhokse, ku pritej me dashuri të thellë vëllazërore.

Kryepiskopi, së bashku me pjesëtarët e tjerë të delegacionit, u falën në vende historike, që lidhen direkt me Apostullin e Kombeve Pavlin dhe fillimet e përhapjes të së vërtetës së Ngjalljes së Krishtit.

Fortlumturia e Tij kudo kërkonte nga komunitetet murgërore të kërkonin në lutjet e tyre, që Perëndia të ndihmojë, që Shqipëria të ketë manastiret e saj, sikundër edhe më shumë institucione të ndihmës sociale.

Në takimin që delegacioni pati me Ministrin e Religjioneve të Sirisë, z. Mohamad Habib, ky i shprehu mirëseardhjen Kryepiskopit Anastas, duke vazhduar më tej me analizën e përvojës në Siri për bashkekzistencën paqësore të besimeve. Fortlumturia e Tij i tha, se edhe Shqipëria e vogël dhe në këtë moment të varfër, eksporton pikërisht këtë thesar të vyer: shembullin e bashkëjetesës paqësore të komuniteteve fetare në një rajon si Ballkani, që e ka veçanërisht nevojë këtë gjë.

Përvojën e kësaj bashkëjetese, në konkretizimin e saj më të mirë, përjetuan Orthodhoksët e Shqipërisë, në një situatë të ndërlikuar gjatë krizës kosovare, në vitin e kaluar. Për aspekte të ndihmës që Kisha e varfër Orthodhokse ofroi për vëllezërit e besimit mysliman kosovarë, Kryepiskopi foli mes të tjerave edhe me Myftiun e Damaskut dhe të gjithë Republikës së Sirisë Sheih Ahmad Kiftaro, i cili bëri të njohur faktin se gjithë kjo veprimtari ishte ndjekur dhe qe në dijeni të botës arabe. Kryepiskopi nënvizoi faktin, se vaji i besimit fetar nuk duhet përdorur për zjarrin e luftrave, por për shërimin e plagëve të shpirtit të njeriut.

Në Damask delegacioni kreu gjithashtu një vizitë në Patrikanën e Siroorthodhoksëve dhe Kryepiskopatën Katolike Siriane.

Ndërkaq, Kryepiskopi u ftua të referojë në sallën e ceremonive të enorisë së “Kryqit të Nderuar”, me temë “Orthodhoksia në Mijëvjeçarin e Ri”. Ishte një pritje festive, ku rruga dhe oborri i kishës ishte mbushur nga mijëra besimtarë, ndërsa një pjesë e tyre ndoqën me interes të veçantë bisedën me Prof. Dr. Anastasin, i cili në fund iu përgjigj pyetjeve të të rinjve orthodhoksë sirianë.

Kryepiskopi nënvizoi idenë, se në Mijëvjeçarin e Ri do të ndihet nevoja e një Orthodhoksie të gjallë, me komunikim intensiv midis kishave lokale, me mision të qartë përcjelljen e mesazhit të gëzuar të shpresës së Ngjalljes më Krishtin.

Gjithashtu Orthodhoksia sot, sikundër thelbi i saj dikton, duhet të jetë në komunikim të vazhdueshëm me dëshmitë e tjera të krishtere, duke ngelur konseguente te thelbi i saj Ekumenik.

Pika kulmore e vizitës në Patrikanën e Antiokisë ishte bashkëmeshimi Arhierarkik në Katedralen Madhështore “Fjetja e të Tërëshenjtës”, të Dielën e të Lidhurit të Djathit, 12 mars 2000, midis Patriarkut të Antiokisë z. Ignat IV dhe Kryepiskopit të Tiranës z. Anastas. Çaste mbresëlënëse dhe madhështore, si dhe emocione prekëse, për faktin se për herë të parë në histori një Primat i Kishës sonë, në mes qindra besimtarëve arabë, me këtë Liturgji Hyjnore dërgon mesazhin e ekzistencës dhe përparimit të Kishës Orthdhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas këmbimit të mesazheve të dy Primatëve, shkëmbimit të dhuratave të rastit (Kryepiskopi i dhuroi Patrikut një Dheskopotir të argjendtë) dhe drekës zyrtare u bë përcjellja e delegacionit për në zonat e Libanit.

Në kufirn Siro – Libanez, të hënën 13 mars, për të pritur Kryepiskopin dhe pjestarët e tjerë të delegacionit kishin dalë popull, klerikë, Mitropoliti i Tripolit Ilia, i Malit të Libanit Jorgo, i Bejrutit Ilia, si dhe Guvernatori i Tripolit, me porosi të veçantë të Presidents të Libanit. Kryepiskopi me një deklaratë të shkurtër, iu përgjigj interesimit të veçantë të mediave të shkruara dhe elektronike, të cilat gjatë të tri ditëve të qëndrimit i kushtuan mjaft vëmendje vizitës.

Në Balamand, pak jashtë nga Tripoli, funksionon Universiteti Orthodhoks i ngritur në vitin 1990, nën kujdesin e Patrikut Ignat IV. Me rastin e vizitës, Senati i Universitetit zhvilloi mbledhje solemne, ku pas mirëseardhjes së Rektorit, Kryepiskopi, duke u ndier natyrshëm në mjediset akademike, me një fjalë të urtë dhe të ndriçuar përçoi ide që u ndoqën me kujdes të jashtëzakonshëm nga profesorët e Balamandit.

Fortlumturia vizitoi dhe dha bekimin e Tij, gjithashtu dhe në Kolegjin, që funksionon pranë Manastirit të “Shën Joan Theologut”, ndërsa mbasdite u foli studentëve të Universitetit Theologjik “Shën Joan Gojarti”, me temë: “Misionarizimi Orthodhoks”, ku shumë gjëra i pasuroi dhe konkretizoi me shembuj personalë nga vepra e Tij hieraapostolike, nga më të pasurat të pesëdhjetëvjeçarit të fundit.

Delegacioni vizitoi të nesërmen manastire dhe enori të Mitropolisë së Malit të Libanit, ku bëhet një vepër kolosale për ringritjen e objekteve të kultit të shkatërruara nga lufta pesëmbëdhjetëvjeçare civile. Kjo vepër ndërtuese është shprehje e fuqisë gjeneruese të besimit Orthodhoks dhe u bë shkas që kudo Kryepiskopi të tregonte edhe veprën që paralelisht kryhet në vendin tonë.

Në Bejrut, Kryepiskopit iu rezervua pritje zyrtare me të gjitha nderet e rastit (banda, roje nderi etj.), nga Presidenti i Libanit, z. Emil Lahud. Në takimin që patën dy personalitetet, ndanë përvoja nga shoqëritë shumëfetare të rajoneve të ngjashme. Kryepiskopi edhe njëherë nënvizoi idenë, se për të krishterët është detyrim respekti dhe dashuria për çdo person njerëzor, pavarësisht nga besimi. Z. Lahud tregoi interes të veçantë për t’u informuar për mbarëvajtjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, si dhe për çastet e solidaritetit njerëzor të pjestarëve të saj ndaj refugjatëve kosovarë, në krizën humanitare të vitit të kaluar.

Nën shoqërinë e Mitropolitit të Bejrutit Imzot Ilias, Kryepiskopi Anastas bëri vizitat e rastit tek Myftiu i Bejrutit i Sunitëve, z. Muhamed Kobani-Samahad (të cilin e uroi dhe për Kurban Bajramin), tek Sheiku i Shiitëve Mohamad Mejdi Shemsedi; tek Patriku i Maronitëve z. Nasrallah Butros Sfer, si dhe tek Patriku i Kishës Kilikiane Armene z. Aram Kisisian.

Edhe në Bejrut, nën udhëheqjen dhe kujdesin e Mitropolitit Ilia bëhet një punë intensive për zhdukjen e pasojave të luftës mbi objektet e kultit. Me ritme të shpejta hidhen hapa të mëdha dhe të guximshme për restaurimin dhe ndërtimin e kishave të reja.

Kryepiskopi vizitoi gjithashtu spitalin Orthodhoks të “Shën Gjergjit” në Bejrut, me kapacitet 400 shtretër dhe përshëndeti personelin e mjekëve të përkushtuar e infermierëve, në drekën zyrtare që u shtrua për nder të Tij në mjediset e tij.

Kjo vizitë tetëditore e Kryepiskopit Anastas dhe personave që e shoqëronin në Patrikanën e Antiokisë dhe gjithë Lindjes së Mesme, vuri edhe një herë në pah reputacionin e gjerë që gëzon Kryebariu ynë në gjithë botën Orthodhokse dhe më gjerë. Ajo i shërben përhapjes së lajmit të gëzuar, të Ngjalljes nga Hadhi të besimit Orthodhoks në Shqipëri. Gjeti njerëz dhe vëllezër të besimit, që do bashkojnë lutjen e tyre për më shumë suksese në të ardhmen me Perëndinë.

Korresp. i “Ngjalljes”