Ekspozitë në Kishen e Shën Trinisë në Boston me pamje nga ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri.
Më 30 mars, të Dielën e 3-të të Kreshmëve dhe ditën e faljes së Kryqit, në Kishën Shqiptare të Trinisë së Shenjtë në Boston u hap një ekspozitë modeste, me pamje nga rindërtimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë këtyre 6 vjetëve.
Në stendat e saj ishin paraqitur fotografi të zmadhuara nga kishat e rindërtuara apo nga ato të ngritura nga e para, pamje nga ndërtimi i Shkollës teologjike – arkihieratike në Shën Vlash të Durrësit, nga kishat që janë në ndërtim, si Katedralja e Korçës; nga Poliklinika e ardhshme e Kishës në Tiranë, nga mesha e zhvilluar në Kishën e Shën Gjergjit në Durrës me pjesëmarrjen e Kryepiskopit Anastas me rastin e përvjetorit të lindjes së Imzot Nolit, pamje nga vizita e Patrikut Dhimitër në Boston, ku Prifti i Kishës Shqiptare të Shën Trinisë, At Vasil Xhorxhi, iu lut për të ndihmuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, lista e klerikëve të përgatitur gjatë këtyre viteve dhe materiale të tjera, që hedhin dritë mbi punën që është bërë dhe po bëhet për vazhdimin e kësaj vepre të shenjtë.
Në krye, mbi eksponatet e fotoekspozitës, ishte vendosur fotografia e Kryepiskopit Anastas, organizuesi, drejtuesi dhe konsoliduesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe.
Për organizimin dhe hapjen e ekspozitës u lajmëruan besimtarët orthodhoksë shqiptarë e shqiptaro – amerikanë dy javë përpara, në kishat e Shën Gjergjit, të Shën Janit dhe të Shën Trinisë dhe gjithashtu u dha njoftim me RadioBostonin, në shqip e anglisht.
Ekspozita u përgatit nga Sotir Pani, Polikron Trebicka etj.
Në hapjen e saj morën pjesë shumë besimtarë shqiptarë, nga të tre kishat shqiptare të Bostonit. Fjalën e hapjes e mbajti z. Viktor Vangjeli, Kryetar i Kishës Shqiptare të Shën Trinisë.
Më pas foli z. Aleko Dhima, për historikun e kishës sonë në Shqipëri edhe për ndihmesën e dhënë nga besimtarët orthodhoksë dhe nga Kryepiskopi Anastas, i cili me lutjet Zotit dhe ndihmën e shoqatave fetare e laike kudo në botë, arriti të sigurojë mjetet financiare për Kishën tonë Orthodhokse.
Në fund, për të pranishmit u dha një koktej i vogël dhe shumë besimtarë lanë në librin e përshtypjeve mendimet e tyre, duke vlerësuar shumë arritjet e Kishës sonë Orthodhokse në Shqipëri, në rrugën e ringritjes dhe konsolidimit të saj. Kjo fotoekspozitë qëndroi e hapur deri në Pashkë, pastaj do të vendoset në kishat e tjera shqiptare në Amerikë.
A. Dh.