EmailFacebookKontakt

Dëshmi besimi e shpresëtarie

Duke vazhduar të përpjetën e Kërrabës për në Tiranë, kur lë pas fshatin e Shën Joan Vladimirit, në krahun e majtë të rrugës shtrihet fshati Fikas, me kishën e tij të lashtë dhe me një popullsi me tradita të pastra orthodhokse.

Më datë 25 dhjetor 1993, ditën e ndritur të kremtimit të Krishtlindjes, kur Perëndia u bë njeri, shkuam në këtë fshat së bashku me priftin e ri At Aleks Lushi për të meshuar në kishën e Shën Dhimitrit të këtij fshati. Sytë e besimtarëve ndritnin nga gëzimi dhe lavdëronin me shumë shpresëtari Zotin Iisu Krisht.

Në mes të besimtarëve takojmë plakun 80-vjeçar Prokop Terziu, shpresëtar i palëkundur tek Iisu Krishti, që vuri në rrezik veten dhe familjen për ruajtjen e ikonave dhe materialeve të tjera që kishte kisha, duke bërë një punë të ngjashme me atë të krishterëve të kohërave të lashta, që vunë jetën në rrezik për të ruajtur besën.

Xhaxha Prokopi, ky shërbëtor i Zotit, në vitin 1867, me guxim e zgjuarësi, shpëtoi gji-thë pajisjet e kishës; ikonat, rrobat e priftit, këmbanën, librat e kishës dhe të gjitha materialet e tjera të shenjta që nevojiten për kryerjen e Meshës Hyjnore. Ai i hoqi në kohë nga kisha dhe i fshehu me kujdes në bodrumin e shtëpisë së tij, duke i ruajtur me devotshmëri për shumë vjet, deri në fund të natës së gjatë ateiste.

Me gjithë mangësitë e ndryshme që kemi sot në vitin e tretë të lirisë së fesë, xhaxha Prokopi i falet plot shpresëtari Perëndisë përpara ikonave që ai i kishte fshehur, tani të vendosura në kishën e fshatit.

“I lutesha përditë Krishtit, – thotë xhaxha Prokopi, – dhe shpresoja të hapej një ditë dera e kishës. Dhe kjo ditë erdhi, që ne ta adhurojmë Zotin në shtëpinë e Tij të madhe, që i qofshim falë.”

Filluan t’i rridhnin lot gëzimi mbi faqe, “Jam i lumtur që arrita të jetoj këtë ditë me bashkëfshatarët e mi që kanë mbushur kishën plot”

Spiro Qosja
Seminarist në Shkollën Teologjike Hieratike të Durrësit