EmailFacebookKontakt

Dëshirë për të rinisur

Në verilindje të Beratit, rreth 20 km larg, ka qenë një fshat me besim orthodhoks, i quajtur Malëshovë (në kohën e mbretërisë, fshatit iu ndërrua emri dhe iu vu Karafilas), me mbi 70 familje, të gjithë orthodhoksë. Ai kishte katër kisha. Shkolla fillore shqipe ishte hapur më 1913 (para saj ka pasur shkollë greke). Fshati ka qenë dalluar për ndjenjat kombëtare, ku ka spikatur më shumë Jani Vruho etj.

Gjatë luftës së dytë botërore ose më saktë gjatë luftës Italo-Greke, i tërë fshati u largua nga ushtria Italiane me ultimatum për 24 orë, me preteksin se është fshat orthodhoks dhe fronti i luftës është fare afër. Dhe kështu, shumica e fshatit Malëshovë u vendosën në qytetin e Beratit.

Gjatë kohës të ateizmit, ashtu si për të gjithë shqiptarët e tjerë, u mohuan dhe nuk u lejuan kremtimet dhe festat fetare. Megjithëatë, në ditë të shënuara, si ajo e kremtimit të Shën Kristoforit apo 8 shtatorit, Lindjes së Hyjlindëses, shumë bashkëfshatarë në formë ekskursionesh vinin dhe luteshin pranë këtyre kishave se një ditë do të vinte që njerëzit të besonin dhe të vinin lirisht. Me ardhjen e pluralizmit shumë fshatarë të larguar nga ky fshat, sidomos nga Berati, Kuçova, Fieri, Tirana e qytete të tjera kanë shkuar për të festuar ato festa fetare.

Kisha, që ishte në qendër të fshatit këtë vit mblodhi shumë bashkëfshatarë, që me në krye at Petraq Sinanin shkuan me autobuz deri në Vërtop dhe mbasi bëri 4-5 km rrugë në këmbë u mblodhën në gërmadhat e kishës së Shën Marisë, ku u meshuan dhe u lutën për dashurinë për Zotin dhe njeriun, larg krismave dhe armëve, me paqe dhe dashuri për Zotin tonë Isu Krisht.

Por është për të ardhur keq që në atë fshat me shumë pemë e lule, me rrugë të rregullta dhe banesa shumë të bukura të jetë i shkatërruar. Eshtë për të ardhur keq sidomos që me qindra rrënjë ullinj të jenë prerë (shumica ishin pronë e kishës), por akoma më keq është se të gjitha varret e të parëve tanë janë hapur nga fshatarë që banojnë përreth, me preteksin se në varrezat orthodhokse ka mjete argjendarie.

Meqë në krye të fshatit Vërtop ka qenë kisha e Shën Thanasit, ku do të ishte mirë të që të ndërtohet një kishë tjetër e re, duke plotësuar dëshirat e gjithë bashkëfshatarëve, duke ua lënë kujtim brezave, por dhe atyre orthodhoksëve që banojnë në Vërtop, Mbrashkull, bile dhe në qytetin e Poliçanit.

Petraq Mitro Dhima
Berat.