Ne intelektualët dhe besimtarët orthodhoksë të Beratit jemi të fyer shpirtërisht dhe të indinjuar nga akti paprecedent që ndodhi të dielën e datës 8.10.1995 në kishën e “Shën Marisë” në Kalanë e Elbasanit.
Të gjithë së bashku, të bashkuar më tepër se kurrë me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me kryetar Fortlumturinë e Tij Kryepiskop Prof. Dr. Anastasi shprehim protestën tonë të fuqishme duke deklaruar sa më poshtë:
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është Kisha Orthodhokse e organizuar, institucion zyrtar i njohur nga shteti shqiptar dhe nga të gjithë Kishat Orthodhokse, si dhe nga kishat e tjera të krishtera të botës. Ajo ka strukturat e saj dhe zbaton rigorozisht kanunet e Sinodit të Shenjtë Ekumenik. Kisha jonë Orthodhokse në veprimtarinë e saj të shenjtë nuk lejon të shkelet asnjë parim kanonik, nuk pranon të bëjë asnjë lëshim, çka do të përbënte cënim të autoritetit të saj.
Ajo që ndodhi në Elbasan nuk është gjë tjetër, veçse një rebelim foshnjarak i të ashtuquajturve “arqimandrit” Arjan Koja dhe “prift” Nikolla Marku. Që të dy, duke u përdorur si gurë shahu, kanë rënë në batakun e herezisë. Ata mëkatuan dhe do të bënin mirë të pendoheshin e rrëfeheshin në kishë, por zor se e bëjnë këtë gjë, sepse ata janë vëllezër me atë që tradhëtoi pasi hëngri darkën e Pashkës, madje më të këqinj se ai…
Ty z. Nikolla të thirri kisha të përgatiste në seminarin e saj dhe që andej zbove vetveten, pasi nuk u tregove i denjë dhe shtiresh sikur të zbuan për ndjenjat noliste… Por, ti vallen nuk e heq vetëm, të shoqëron Arjan Koja, që pretendon se është arqimandrit. Ta dëgjuam zërin z. Arjan në kishë më datën 8.10.1995, tek i bije trumpetës pa surdine, por ç’e do, ajo ishte e çakorduar… Ti u lute në kishë për ish Kryepiskopin tonë, Imzot Nolin. Po a e di ti, se Noli i madh, me gjithë dëshirën e tij dhe të shumë besimtarëve orthodhoksë për t’u bërë episkop erdhi në Shqipëri dhe u hirotonis në vitin 1923 në mënyrë solemne e kanonike nga dy episkopët tanë të dërguar nga Patrikana Ekumenike, Imzot Kristofor Kissi e Imzot Jerotheu. Pra, edhe Noli ka zbatuar parimin themelor të Orthodhoksisë, si vazhdimësi në hirotonisjen e klerikëve, që la porosi Iisu Krishti tek Apostujt dhe këta tek episkopët. E shikon zoti Arjan ç’gabim të rëndë po bën. Ti iu drejtove besimtarëve, duke thënë se e rëndësishme është se sot liturgjia u zhvillua në gjuhën shqipe dhe se kisha jonë pas kaq vjetësh po rilind. A nuk të duket vetja demagog kur përrallis gjëra të tilla? Ti duhet të dish se në gjuhën shqipe janë bërë përpjekje për të zhvilluar pjesë liturgjike qysh në vitin 1800, me Kostë Beratasin e më vonë me të tjerë, deri tek Papa Kristo Negovani, i cili jo vetëm përdori gjuhën shqipe në Kishë, por përcolli edhe disa vepra fetare. Po a ka vend të krijosh insinuata të tilla, kur jo vetëm në ditët e sotme të demokracisë, por edhe më parë, para e pas çlirimit, liturgjitë janë zhvilluar në gjuhën shqipe?
Të dy zotërinjtë Koja dhe Marku s’do të kishin marrë guxim të interpretonin pa violinën e parë që luan në prapaskenë dhe që është zotëria e tij Sejfi Protopapa i ardhur nga SHBA me të vetmin qëllim që të inskenojë ngjarje inegzistuese. Se sa i vjen përdorësh ta bëjë këtë, le t’ja lemë kohës.
Ju zoti Sejfi në Shqipëri gjatë luftës jeni hequr si disident, në Amerikë ku keni shkuar jeni hequr si patriot, ndërsa që para tre vjetësh keni shkrehur mllefin tuaj kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Megjithëse nuk ju ka munguar kurrë dëshira për përçarje në Kishën tonë, nuk arritët ta realizonit atë në Amerikë dhe u desh të vinit në Shqipëri e të eskperimentonin në Kishën Orthodhokse të Elbasanit. Ne beratasit, që gjoja aq shumë na keni për zemër, duam të të pyesim ti, që je mysliman, përse vjen në Shqipëri e shkon e përzihesh në punët e Kishës në Elbasan? Kjo është patriotizma dhe shqiptarizma e juaj, të përziheni në punët e feve të tjera? Jemi të bindur se aktin tuaj të padenjë e dënon gjithë komuniteti mysliman, të gjithë myslimanët. Ju ndërmerrni veprime të tilla që të çojnë jo vetëm në ndasi fetare, po edhe në përçarje kombëtare.
…Ne u bëjmë thirrje me sinqeritet e ndershmëri të gjithë këtyre të heqin dorë nga improvizime e pehlivanllëqe të tilla që nuk i nderojnë, por rëndojnë veten, sepse në fund të fundit, vetë Perëndia do të japë gjykimin e dënimin që meritojnë, ndërsa ne të krishterëve nuk na mbetet gjë tjetër, veç të lutemi për ta:
“Fali o Zot, se nuk dinë se ç’bëjnë”.
Lidhja e intelektualëve dhe besimtarë orthodhoksë beratas
Berat, më 18.10.1995.