Vidhen pjesë të ikonostasit në kishën e fshatit Karavasta, në Lushnjë
Pamje e ikonostasit, shumë pjesë të të cilit janë vjedhur dhe djathtas afreske të hierores
Nga burime të brendshme të Kishës sonë u njoftuam për një vjedhje të pjesëve të ikonostasit nga kjo kishë, bërë në periudhën dhjetor 2003. Menjëherë u kontaktua me Institutin e Monumenteve të Kulturës, i cili nuk ishte në dijeni të kësaj ngjarjeje dhe u kërkua një verifikim dhe informacion zyrtar për këto vjedhje. Pas një konstatimi në vend, që u bë nga ana e jonë, u pa se pas shpërthimit të derës së kishës në ikonostas ishin vjedhur një brez druri i gdhendur midis ikonave të mëdha dhe baltakinit, si dhe pjesët harkore të gdhendura mbi dyert anësore të ikonostasit.
Në bazë të informacioneve dhe arkivave që kemi ikonostasi i kësaj kishe është vjedhur edhe herë të tjera më parë, megjithëse kjo kishë është e ruajtur vazhdimisht nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Gradualisht kjo kishë po humbet vlerat e saj unike dhe të papërsëritshme dhe duhet që të përdoren të gjitha mundësitë për të mos lejuar dukuri të tilla, që po shfaqen kohë mbas kohe në kishat monument kulture.
Kisha është ndërtuar në vitin 1778 dhe është pikturuar më 1797 nga piktorët e familjes grabovare Katro (Çetiri), Gjergji dhe Joani.
Kisha përbëhet nga naosi dhe hajatet e mbyllura që e rrethojnë në tri anë, të cilat janë rindërtuar në një fazë më të vonë. Naosi është i tipit bazilikal me tre nefe dhe me tavan të rrafshët druri dekorativ.
Punimet restauruese u kryen gjatë vitit 1999 me fond dhe supervizim nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Punimet arritën vlerën prej 5.482.840 lekësh.
Ark. Rest. Joan Stratobërdha