EmailFacebookKontakt

Dëmtohet nga zjarri kisha e Shën Kollit në fshatin Vanaj, Fier

Kjo kishë është një nga kishat e fondit në ruajte të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe është nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, e cila ka një roje me pagesë për këtë.

Ishte Kisha që konstatoi problemin dhe u njoftua urgjentisht I.M.K. duke kërkuar një informacion zyrtar për këtë dëmtim të konstatuar.

Kisha u ndërtua në vitin 1777 dhe u pikturua më 1795 nga vëllezërit grabovarë Gjergji dhe Joani, të cilët kanë ushtruar një veprimtari të dendur në krahinën e Myzeqesë.

Kisha i përket një tipi bazilikal mjaft të përhapur në krahinën e Myzeqesë gjatë shek. XVIII-XIX. Naosi rrethohet nga ana veriore, jugore dhe perëndimore nga hajatet e mbyllura, nga të cilat pjesa perëndimore është shumë më e gjerë dhe luan edhe rolin e narteksit. Në hapësirën e tij është veçuar një kthinë, ku mbahej vaska e pagëzimit, ndërsa në anën perëndimore lartësohet kulla e ulët prej druri e kambanores.

Elementet e dekoracionit të brendshëm janë pikturat murale që vesh të gjitha sipërfaqet e muraturës, ikonostasi dhe amvoni prej druri të gdhendura me një cilësi të lartë artistike dhe tavani prej druri i ngjyrosur.

Në këtë kishë janë bërë punime restauruese në vitet 1998-1999, të investuara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me një shumë prej 7.186.420 lekësh.

Më 28.12.2003 është konstatuar se krahu verior i hajatit është djegur. Fatmirësisht zjarri nuk është përhapur në ambientet ngjitur të naosit dhe të narteksit për shkak të mureve ndarëse që e kanë izoluar atë. Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, por ai ka djegur trarë, petavra, dritare dhe dyer, duke e lënë pjesën veriore të hajatit ku është edhe pagëzimorja të hapur kundrejt agjentëve atmosferikë dhe të papërdorshme.

Pamje e pjesës së dëmtuar nga zjarri në kishën e Shën Kollit, Vanaj

Ark. Rest. Gentian Joan Stratobërdha