EmailFacebookKontakt

Deklaratë unanime e Këshillit të Përgjithshëm dhe Asamblesë së Përgjithshme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Tiranë, 24 Qershor 1994

Deklaratë unanime e Këshillit të Përgjithshëm dhe Asamblesë së Përgjithshme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Ne, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe klerikët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të mbledhur në Kishën e Ungjillëzimit, jemi të detyruar të ngremë botërisht zërin tonë të përgjegjshëm, në emër të besimtarëve që përfaqësojmë, për të bërë të njohura kufizimet e çuditshme të lirisë sonë fetare. Të pakuptueshme bëhen këto kufizime, po të kihet parasysh se sot KOASH është një trup i organizuar, me strukturë të qartë hieratike, me organe të zgjedhura në të gjithë vendin sipas kanoneve të kishës orthodhokse. Në mungesë, tani për tani, të Sinodhit të shenjtë të episkopëve, organi më i lartë është Këshilli i Përgjithshëm Kishtar, kryetar i të cilit është Kryepiskopi, i cili drejton në harmoni me të gjithë klerikët e vendit. Me këtë strukturë dhe drejtim Kisha jonë njihet edhe botërisht, nga të gjitha kishat orthodhokse autoqefale, në veprimtaritë e të cilave marrim pjesë energjikisht, si dhe nga organizmat kishtare ndërkombëtare, si Konferenca Evropiane e Kishave dhe Këshilli Botëror i Kishave. Megjithatë, konstatojmë se:

Manastiri i Ardenicës, vendi më i shenjtë për orthodhoksët në Shqipëri, i vetmi që i shpëtoi i plotë shkatërimit, megjithëse i është kthyer ligjërisht KOASH, vazhdon të mbahet i pushtuar për qëllime ekonomike, duke u përdorur si kafene e tavernë, madje edhe si strofkë imoraliteti. Mendojmë se nuk ka fyerje më të madhe, jo vetëm për besimtarët orthodhoksë, por për besimin në përgjithësi dhe për vetë kombin tonë. Një kishë për të qenë vërtetë autoqefale i ka të domosdoshme pronat dhe manastiret e saj. Por, Ardenica nuk është, për fat të keq, e vetme. Nuk po kthehen ende manastiret e Shën Gjergjit në Cukë, Shën Joan Vladimirit në Elbasan, ai i Apollonisë, i Kodrës në Përmet, i Zvërnecit në Vlorë etj.

KOASH është një trup i organizuar, me strukturë të qartë hieratike, me organe të zgjedhura në të gjithë vendin sipas kanoneve të kishës orthodhokse… Me këtë strukturë dhe drejtim Kisha jonë njihet edhe botërisht, nga të gjitha kishat orthodhokse autoqefale, në veprimtaritë e të cilave marrim pjesë energjikisht, si dhe nga organizmat kishtare ndërkombëtare.

Nuk kthehen shumë kisha e objekte që diktatura ateiste i përfshiu qëllimshëm në territoret e reparteve ushtarake. Nuk kthehen llogaritë bankare të sekuestruara në vitin 1967. Nuk kthehet asnjë pronë natyrore, si toka ullishte etj., megjithëse ato janë jo prona individësh, por të të gjithë besimtarëve. Të gjitha këto i kërkojmë jo për t’u bërë të pasur si komunitet, por që të kemi dinjitetin tonë, për të hedhur bazat për pavarësinë ekonomike.

Kjo po ngjet edhe me enët e shenjta, me të gjitha arkivat kishtare dhe me ikonat e shenjta. Të grabitura përdhunshëm nga regjimi ateist, ato vazhdojnë të dergjen në mënyrë sakrilegje depove shtetërore, duke u dëmtuar e u vjedhur çdo ditë. Flitet për vlerat artistike e kombëtare të Epitafit të Gllavenicës, ikonave të Onufrit etj., dhe asnjëherë nuk përmendet se ato i përkasin dhe janë të shenjta për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, dëshmi të lashtësisë e lulëzimit të tij; se ata që i krijuan ishin klerikë orthodhoksë me frikë e besim Perëndie, se ata që i financuan ishin besimtarë orthodhoksë, që dëshironin të bënin diçka për besimin e tyre të thellë. E pra, këto kryevepra besimi ende refuzohet të na jepen, megjithëse jo pak herë kemi ngritur zërin, zë i cili ka rënë në vesh të shurdhër.

Mbetet zhgënjim edhe përgjigjja që na jepet për kthimin e trojeve të kishave të shkatëruara apo marrjen e trojeve për ndërtimin e kishave të reja. Mosdhënia prej tre vjetësh i vendit për kishën e Shkodrës, incidenti ditën e bekimit të truallit të katedrales së Korçës, mosdhënia e një vendi për ndërtimin e Seminarit Orthodhoks, për kishat në Kuçovë, Tepelenë, Këlcyrë, Memaliaj etj., moskthimi i godinave të Mitropolive në Gjirokastër e Vlorë, probleme të ngjashme në mjaft qytete e fshatra të tjera, dëshmojnë mungesë vullneti për të na ndihmuar dhe jo thjesht neglizhenca personash. Kjo duhet kapërcyer sa më shpejt, për të mos lënë në shpirtrat e besimtarëve ndjenjën e trajtimit jo të barabartë.

Shqetësim më vete për komunitetin tonë përbën fushata e hapët dizinformuese, sidomos nga ana e Radiotelevizionit, kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e veçanërisht ndaj figurës së Kryepiskopit Anastas, i cili gëzon mirënjohjen, besimin absolut dhe mbështetjen tonë dhe të besimtarëve të enorive tona. Komitete fantazëm, grupime pa reputacion e asnjë lloj mbështetje popullore, gjithfarëlloj “këshilluesish” ekstremistë, shumica e të cilëve s’kanë të bëjnë fare me Komunitetin Orthodhoks, gëzojnë të drejtën të shpifin e fyejnë në këto mjete si e kur të duan, duke arritur deri në epitetet poshtëruese për klerin orthodhoks në përgjithësi, ndërkohë që nuk botohet e transmetohet asnjë deklaratë e jona, asnjë protestë, asnjë përgjigje ndaj këtyre sulmeve. Autoqefalia e Kishës, që përdoret shumë si “argument” në këto ofeza, ekziston pikërisht që të mbrohet kisha nga ndërhyrje të këtij lloji në çështjet e brendshme të saj, nga faktorë e fuqi brenda dhe jashtë vendit.

Shqetësim më vete për komunitetin tonë përbën fushata e hapët dizinformuese, sidomos nga ana e Radiotelevizionit. Autoqefalia e Kishës, që përdoret shumë si “argument” në këto ofeza, ekziston pikërisht që të mbrohet kisha nga ndërhyrje të këtij lloji në çështjet e brendshme të saj, nga faktorë e fuqi brenda dhe jashtë vendit.

Ne nuk lypim, por veçse kërkojmë atë që na takon, si një komunitet njëzetëshekullor qindramijësh, i cili nuk është një pakicë që mund të izolohet, por është në vetë themelet dhe kulturën e kombit. Sigurojmë se si deri më sot zhvillimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, lulëzimi i besimit tonë, do të jenë bekim për Shqipërinë, për gjithë popullin.

Këshilli i Përgjithshëm
Asambleja e Përgjithshme e Klerikëve