Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndjekur me shqetësim të madh ngjarjen e rëndë që ndodhi në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë.
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe besimtarëve myslimanë u shprehim keqardhjen për këtë krim në institucionin fetar, si edhe solidaritetin tonë vëllazëror, dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë 5 të plagosurve dhe kurajë familjarëve të tyre.
Le të lutemi së bashku për një shoqëri kundër dhunës, pro dashurisë vëllazërore, ku të mbizotërojë paqja dhe harmonia.
Në këtë periudhë, i gjithë komuniteti mysliman është në muajin e Ramazanit, ndërsa ne të krishterët orthodhoksë në Kreshmën e Pashkës. Le të jetë, pra, ky muaj i bekuar koha që ne shqiptarët të shpalosim mirësinë në zemrat tona dhe të presim bekimet e Zotit.
Urojmë që këto ngjarje të trishtueshme të mos përsëriten.