Manastiri historik i Malit të Shenjtë të Sinait përbën një thesar të paçmuar të trashëgimisë kulturore dhe spiritualitetit orthodhoks dhe botëror, duke i dhënë Kishës një përvojë të pasur shpirtërore. Aty janë ruajtur për shekuj me radhë dorëshkrime dhe kodikë të çmuar, përfshirë edhe Codex Sinaiticus të famshëm.
Prania e murgjve orthodhoksë në Manastir është respektuar nga të gjitha pushtetet ndër shekuj, duke u bërë një simbol i bashkekzistencës ndërmjet Krishterimit dhe Islamit. Shpërndarja e vëllazërisë ose kthimi i Manastirit në muze në rast të ndryshimit të pronësisë do të ishte shkatërruese me pasoja të pallogaritshme.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë shpreh mbështetjen e saj të plotë për Vëllazërinë e Manastirit dhe Hirësinë e tij, Kryepiskopin e Sinait, z. Damian, në këtë provë të vështirë. Gjithashtu, u bën thirrje autoriteteve përkatëse dhe organizatave ndërkombëtare për t’u përpjekur në mbrojtjen e statusit historik të Manastirit dhe vazhdimin e papenguar të misionit të tij të shenjtë.
I lutemi Perëndisë të mbizotërojë paqja, drejtësia dhe urtësia.
Nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë