“Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë.”
1. Nikolla (Bllazhde) Xhufka nuk është klerik orthodhoks dhe nuk njihet si i tillë nga asnjë Kishë e krishterë në asnjë vend. Pretendon se është dorëzuar nga një person serbo-rumun, i cili nuk ka asnjë lidhje me Kishën Orthodhokse dhe nuk është klerik i saj. Kemi të bëjmë thjesht me një mashtrim të opinionit publik.
2. Nikolla përfaqëson vetëm veten e tij, nuk ka as kishë, as komunitet besimtarësh, pavarësisht deklaratave pompoze që bën herë pas here në media.
3. Ka improvizuar në bodrumin e shtëpisë së tij, atë që e quan “kishë”, duke mashtruar haptazi edhe në media se bëhet fjalë për një “kishë paleokristiane – katakomb”.
4. Mashtron dhe gënjen haptazi dhe në media se ka kryer studime fetare, ndërkohë që s’ka bërë asnjë të tillë. Sa për saktësi, ka mbaruar shkollën e mesme profesionale për Teknologji Ushqimore në Elbasan, madje përsëritës i vitit të fundit.
5. Bën deklarata “patriotike”, ndërkohë përbuz dhe tallet me klerikët orthodhoksë shqiptarë, gjithashtu vë në lojë dhe ironizon seriozitetin e liderëve fetarë dhe të klerikëve të besimeve të tjera.
6. Mungesa e formimit fetar bën që deklaratat e tij mediatike në lidhje me besimin orthodhoks të jenë të gabuara dhe dezinformuese. Ky person nuk varet nga asnjë autoritet kishtar dhe nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij.
7. I vetmi interes i tij është shfaqja mediatike dhe tërheqja e opinionit publik, pavarësisht dëmit që i shkakton figurës së klerikut dhe besimit orthodhoks.
8. Deklaratat e tij të papërgjegjshme në media, nën maskën e petkut fetar, shkaktojnë pakënaqësi, duke nxitur rivalitet mes besimeve fetare, mungesë respekti reciprok dhe për pasojë urrejtje ndërfetare.
9. E shohim me shqetësim mediatizimin e tij. Marrja e informacionit paraprak nga mediat për personin në fjalë, i cili nuk i përket asnjë komuniteti fetar, nuk ka asnjë autorizim, nuk ka formim përkatës dhe nuk përfaqëson askënd përveç vetes së tij, do ta bënte të qartë përse nuk meriton të merret seriozisht.
10. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është i vetmi autoritet shpirtëror dhe zyrtar që garanton ruajtjen dhe promovimin e parimeve dogmatike dhe kishtare, e cila udhëhiqet nga organet e saj legjitime në përputhje me statutin dhe kanonet kishtare. Çdo përpjekje, si në të shkuarën, ashtu edhe tani, për të nënvlerësuar rolin dhe kontributin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri do të dështojë me hirin dhe ndihmën e Zotit.
Mitropolia e Shenjtë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit
Elbasan, 16 nëntor 2022