EmailFacebookKontakt

Deklaratë e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Joanit, për sulmin terrorist në kishën e Profetit Ilia në Damask

Më 23 qershor 2025, gjatë Liturgjisë Hyjnore në kishën orthodhokse të Profetit Ilia në Damask, një terrorist hapi zjarr ndaj më shumë se 350 besimtarëve, duke vrarë të paktën 25 persona dhe duke plagosur mbi 60, përfshirë klerikë, besimtarë dhe fëmijë.

Me dhimbje të thellë u informuam për sulmin terrorist në kishën e Profetit të Shenjtë Ilia në Damask, që ndodhi ditën e djeshme gjatë Liturgjisë Hyjnore, ku dhjetëra besimtarë të pafajshëm humbën jetën ose u plagosën.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e dënon këtë akt dhune, aq më tepër që ndodhi në orarin e shenjtë të lutjes, gjatë Misterit të Falënderimit Hyjnor. Sipas fjalëve të urta të Kryepiskopit tonë të ndjerë Anastas: “Askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të forcuar zjarrin e konflikteve. Feja është dhuratë hyjnore, e dhënë për të qetësuar zemrat, për të shëruar plagët dhe për të sjellë më afër individët dhe popujt”.

Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave dhe mbështetjen tonë për Fortlumturinë e Tij, Patriarkun e Antiokisë, z. Joan, si edhe për të gjithë komunitetin orthodhoks të Sirisë. Lutemi për prehjen e shpirtrave të viktimave të pafajshme dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve.

Nga Shqipëria, një vend që ka dëshmuar se bashkëjetesa paqësore mes feve nuk është ëndërr e paarritshme apo utopi, por realitet i gjallë, i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar kundër dhunës. Bashkëjetesa paqësore e popujve dhe feve është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë.