Ne, të gjithë klerikët e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, që veprën tonë e zhvillojmë nën udhëheqjen shpirtërore Perëndindritur të Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit, të mbledhur sot në Gjirokastër dhe në emër të gjithë popullit orthodhoks që i shërbejmë, duam të bëjmë publikisht të njohur shqetësimin tonë për disa probleme që lidhen me pasurinë e Kishës sonë dhe të manastireve.
Kështu, ndërsa për ne ngelet ende e pakuptimtë, e papranueshme dhe e qëllimshme e gjithë historia e pengesave të paligjshme për ndërtimin nga themelet në Sarandë të kishës së shenjtë të “Shën Harallambit”, një problem më i mprehtë dhe shumë i rrezikshëm po ngjet ditët e fundit në Manastirin e Shën Gjergjit në Çukë.
Prej tri ditësh njerëz të ndryshëm nga zona jashtë Sarandës janë turrur, me miratim “nga lart” sikundër deklarojnë dhe thurrin troje dhe sipërfaqe toke, që janë në pronësi të Manastirit të lartpërmendur. Në qoftë se është e vërtetë se disponojnë shkresë nga organe qeveritare atëherë nuk mund të mos e konsiderojmë rikonfiskim të pasurisë kishtare, që na premtoi se do na kthej Presidenti Berisha ditën e Krishtlindjeve.
Ne ngelemi të habitur se si ka mundësi, që, në një kohë që të gjithë jemi në pritje të Ligjit që do të na kthejë gjithshka që paraardhësit tanë realizuan me mundime, ngjet kjo grabitje, nën indiferencën e plotë të organeve kompetente.
Duam të theksojmë këtu, se punimet që ne kishim filluar të zbatojmë në këtë zonë, me leje të rregullt nga Këshilli i Urbanistikës së rrethit dhe që synonin rrethimin e pronësisë, për ta ruajtur nga shkelje si këto, u ndërprenë para tre muajsh nga Kryetari i Gjykatës së rrethit të Sarandës. Qëllimi i mbrapshtë i kësaj ndërprerjeje të dhunshme u bë fare i qartë të hënën që kaloi, kur u tentua përsëri rishtetëzimi i pronave kishtare.
Nëpërmjet kësaj deklarate ne i drejtohemi Qeverisë dhe Presidentit të Republikës dhe bëjmë thirrje, që nëpërmjet organeve kompetente të ndërhyjnë në mënyrë të menjëhershme, që të rivendosin rregullin dhe drojtësinë në këtë Manastir. Mosinteresimi në këtë rast vë në dyshim predispozicionin e shtetit demokratik për rikthimin e pasurisë së komuniteteve fetare. Segmente të caktuara përpiqen të na kompromentojnë me fakte të kryera, ngaqë një rast analog ndodhi edhe në Manastirin e Shenjtë të Cepos.
Kjo grabitje e pasurisë manastiriale, gjithashtu edhe pengesat e paligjshme nga ana e organeve të drejtësisë, në veprën e rindërtimit nga themelet të dëmëve që shkaktoi sistemi ateist ndaj Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, janë lojra të rrezikshme për nga ndjenjat që shkaktojnë tek të krishterët orthodhoksë. Ne duam të bëhet e qartë nga të gjithë me mirëkuptim ajo çka na mëson Ungjilli, se me ardhjen e Krishtit në tokë ikën njëherë e përgjithmonë padrejtësitë dhe pabarazitë.
Vijojnë firmat e gjithë klerikëve të Dioqezës