Murgu: Jerond, ngaqë the se nga të gjitha gjërat e dukshme, madje edhe nga vetë trupi ynë, duhet të preferojmë dashurinë për çdo njeri, si mund të dua atë që më urren dhe më përbuz? Aq më tepër, kur më ka çmirë dhe më akuzon, dhe thurr djallëzi në dëmin tim, dhe do të keqen time, si mund ta dua? Nga vetë natyra, jerond, kjo më duket e pamundur, përderisa pësimi i hidhërimit, në mënyrë të natyrshme, detyron t’i largohemi atij që na hidhëron.
Jerondi: Për zvarranikët dhe bishat, që drejtohen nga natyra e tyre, është me të vërtetë e pamundur të mos mbrohen me gjithë fuqinë që kanë, ndaj asaj që po i shfarros. Për ata, veçse, që janë krijuar sipas shëmbëllimit të Perëndisë dhe udhëhiqen nga arsyeja, dhe janë bërë të denjë të njohin Perëndinë, dhe kanë marrë prej Tij ligj, është e mundur të mos u largohen atyre që i hidhërojnë dhe të duan ata që i urrejnë. Për këtë arsye Zoti thotë: “Doni armiqtë tuaj; bëni të mirë atyre që u kanë mëri juve”, edhe kështu me radhë. Eshtë e qartë, se e jep porosinë jo si të pamundur, por si të mundur, përndryshe, nuk do të mund të dënonte atë që e shkel.
E shfaqi këtë Zoti dhe veprat e Tij që na tregoi, gjithashtu edhe të gjithë nxënësit e Tij, që luftuan deri në vdekje për dashurinë për të afërmin dhe u lutën me zjarr për ata që i vranë. Por, ngaqë jemi materiedashës dhe kënaqësidashës dhe preferojmë këto më shumë nga porosia, nuk kemi fuqinë të duam ata që na urrejnë, dhe më tej, për shkakun e tyre shumë herë u largohemi edhe atyre që na duan dhe kështu bëhemi më të këqinj se bishat e zvarranikët. Rrjedhimisht, nuk mund të ndjekim gjurmët e Perëndisë dhe as qëllimin e Tij nuk mund ta njohim, për të marrë fuqi.
Murgu: Jerond, ja, të gjitha i braktisa: të afërm, pasuri, kënaqësi dhe lavdinë e botës dhe asgjë nuk kam në këtë jetë, përveç trupit dhe megjithatë, vëllain që më urren dhe më largohet nuk mund ta dua, megjithëse nxis veten që të mos ia kthej të keqit me të keqe. Më thuaj, çfarë duhet të bëj, që të mund të dua me gjithë zemrën time atë që më hidhëron dhe thurr intriga kundër meje, me çfarëdolloj mënyre.
Jerondi: Eshtë e pamundur për një njeri edhe atëhere kur duket se ka mohuar materien e botës, të dojë atë që e trishton nëse nuk njeh me të vërtetë qëllimin e Zotit. Nëse do të mund të njohë Zotin që i fall veten e Tij dhe të nxitojë të ecë sipas Tij, atëhere do të mund të dojë me zemër atë që e urren dhe e trishton, ashtu si edhe apostujt, që, pasi e njohën, patën dashuri.
Shën Maksim Omologjeti