Për të kremtuar përvjetorin e 25-të të hirotonisjes në episkop të Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasit, të mërkurën, më 19 nëntor, në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit u krye një Liturgji Hyjnore, ku morën pjesë besimtarë të shumtë, nxënësit e Shkollës Theologjike-Hieraktike etj. Kryepiskopi kreu edhe hirotonisjen në Dhiak të Asti Beshirit nga Rushkulli i Durrësit.
Për veprimtarinë e Kryepiskopit në Afrikë dhe para ardhjes në Shqipëri foli At Martin Rici, ndërsa në emër të klerikëve e besimtarëve përshëndeti Protopresvister At Jani Trebicka, Përfaqësues i Përgjithshëm Arkihieraktik i KOASH.
Nga folësit u vu në dukje, se gjithë veprimtaria e tij në këto vite është dalluar nga përkushtimi i lartë dhe intensiteti i madh i punës e përpjekjeve kudo ku ka qenë, si pjesëmarrës i dalluar i Lëvizjes Ekumenike Botërore dhe si Moderator i Komitetit Botëror për Misionin dhe Ungjillëzimin, si drejtor i Përgjithshëm Dhiakonisë Apostolike të Greqisë dhe si Kryepiskop në Kenia, Ugandë e Tanzani (ku drejtoi për 10 vjet, dorëzoi 62 klerikë të rinj vendas, kontribuoi në ndërtimin e dhjetëra kishave, organizoi 200 enori) etj. E gjitha kulmohet me veprën e jashtëzakonshme dhe të pashlyeshme në krye të Kishës sonë Orthodhokse, ku në 5 vjet janë ndërtuar e riparuar afro 200 kisha, janë dorëzuar 90 klerikë të rinj, janë organizuar sektorët e ndihmës sociale, katekizmit etj.
Në fund, Kryepiskopi priti urimet shumë të ngrohta nga gjithë të pranishmit, ku veçohen ato të dhjetëra fëmijëve me tufa me lule shumëngjyrshe, të vajzave e djemve të organizatave rinore orthodhokse dhe të studentëve të Shkollës Theologjike-Hieratike, në të cilat i përcilleshin në emër të të gjithëve “Urimet më të përzemërta dhe falenderimet për kujdesin tuaj, lutjet tuaja dhe njëkohësisht dashurinë tuaj, e cila nuk na ka munguar asnjëherë. Për shumë vjet gëzuar, o Kryezot!”
Fortlumturia e Tij tha nga ana e tij, se “Ju falenderoj shumë për të gjithë dhe ajo që iu lutem është, që të faleni, që Perëndia të na bëjë të denjë, që ta vazhdojmë dhe ta përfundojmë punën tonë, duke kuptuar çdo ditë e më tepër, se jemi mëkatarë dhe se na duhet pendesa, duke kuptuar çdo ditë e më shumë, se Perëndia duhet të na mjaftojë; kur Ai nuk na mjafton, do të thotë se nuk e njohim mirë; duke u përpjekur çdo ditë e më shumë për të qenë njerëz pozitivë… Këto janë urimet e vërteta. Le ta lavdërojmë Perëndinë për të gjitha sa na ka falur, sepse edhe në çastet më të vështira Ai ka qenë pranë nesh.”