Murgu: Jerond, të shumta janë porositë e Perëndisë, kush mund t’i mbajë ndër mend të gjitha që të luftojë për t’i zbatuar ato? Dhe aq më tepër unë që jam i vogël në mëndje? A mund të m’i thuash shkurtimisht që t’i mbaj mend, t’i zbatoj dhe me to të shpëtoj?
Jerondi: Megjithëse janë të shumta ato përmblidhen, vëlla, në një fjalë: “Edhe të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd edhe me gjithë mëndjen tënde edhe me gjithë fuqinë tënde. Të duash të afërmin tënd posi veten tënde” (Mark. 12:30). Ai që përpiqet për të zbatuar këtë fjalë, ka arritur të gjitha porositë së bashku. Siç e thamë, nëse njeriu nuk e çliron veten nga dëshira për gjërat materiale, është e pamundur të ketë dashuri të mirëfilltë për Perëndinë ose për të afërmin. Sepse dëshira për gjërat materiale dhe dashuria për Perëndinë janë dy gjëra që nuk përputhen. Siç na thotë Zoti ynë Iisu Krisht: “Asnjë s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve” (6:24). Dhe më tej: “Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë edhe mamonait” (Luk. 16:13). Sepse sa më shumë që truri ynë është i ngjitur pas gjërave të botës, aq më tepër u nënshtrohet atyre dhe kështu shkel dhe përbuz porosinë e Perëndisë.
Murgu: Për çfarë gjëra e ke fjalën jerond?
Jerondi: Ushqime, para, prona, lavdi, të afërm dhe gjëra të tjera të ngjashme.
Murgu: Jerond, a nuk i krijoi vetë Perëndia këto gjëra dhe ua dha njerëzve për t’i përdorur? Atëhere si na jep porosinë që të mos i dëshirojmë?
Jerondi: Eshtë e qartë se Perëndia i krijoi dhe Ai ua dha njerëzve që t’i përdorin. Dhe të gjitha sa u krijuan nga Perëndia janë të mira, kur ne i përdorim në mënyrë të drejtë me qëllim që t’i pëlqejmë Perëndisë. Por, ne jemi të sëmurë dhe mendja jonë mendon për gjërat materiale. Kështu preferuam gjërat materiale më shumë se sa Porosinë e Dashurisë dhe duke dëshiruar ato hyjmë në konflikt me njerëzit. Detyra jonë është që përpara gjithë gjërave të dukshme, madje edhe vetë trupit tonë, të preferojmë dashurinë për çdo njeri. Kjo është cilësia dalluese e dashurisë për Perëndinë, sepse vetë Zoti na e shfaq këtë në Ungjillin e Tij: “Nëse më doni, ruani porositë e mia” (Joani 14:15). Cila është porosia ruajtja e së cilës do të na çojë në dashurinë e Perëndisë? Dëgjo vetë Zotin: “Kjo është porosia ime, të doni njëri tjetrin, sikurse unë ju desha juve” (Joani 15: 12). A e shikon se dashuria midis nesh, na çon në dashurinë e Perëndisë e cila është plotësim i çdo porosie të Perëndisë? Për këtë arsye, Perëndia nxit atë që dëshiron të bëhet nxënës i Tij që të mos i dëshirojë por edhe t’i mohojë të gjitha gjërat materiale të kësaj bote.
Shën Maksim Omologjeti