Mjeku pranë jush
Çrregullimet e gjumit
Që nga antikiteti, njeriu tentoi të depërtojë në misteret e gjumit, në fillim për të spjeguar ëndrrat dhe më pas për të spjeguar aspektet fiziologjike të tij. Të fjeturit është për qenien njerëzore një veprim i domosdoshëm, të cilit nuk mund t’i shpëtohet dot. Deri tani asnjë kërkim në këtë fushë nuk i është përgjigjur pyetjes: “perse flihet”?, por vetëm e kanë kthyer atë nga përse, në “si flihet”?
I porsalinduri kalon 3/4 e kohës në gjumë. Më pas, kjo kohë reduktohet në 13-14 orë në ditë, për moshën 1 vjeç dhe rreth 6-7 orë në ditë, pas 60 vjetëve.
Pra, orari i gjumit ndryshon me moshën me një prirje për të fjetur dhe për t’u zgjuar në herët me kalimin e moshës. Gjithashtu, tek të moshuarit vëmë re rritje së pagjumjes ditore, sidomos mbasdite.
Çrregullimet e gjumit ndahen në dy kategori: 1. Hypersomnia, ku njerëzit flenë më shumë se duhet; 2. Insomnia, ku njerëzit ankohen se flenë pak. Në këtë shkrim të shkurtër do të flasim pikërisht për këtë kategori të dytë çrregullimesh të gjumit.
Insomnia (pagjumësia) është një gjendje, ku fillimi ose mbajtja e gjumit bëhet me shumë vështirësi. Personat që kanë pagjumësi (insomniakët) ankohen se i zë gjumi me shumë vështirësi, për zgjime të shumta gjatë natës, se zgjohen shumë shpejt në mëngjes dhe nuk arrijnë të riflenë përsëri. Gjumi nuk është në gjendje t’i shlodhë këta persona, t’iu ripërtërijë forcat dhe t’i bëjë të aftë të përballojnë ngarkesat jetësore të ditës që pason.
Insomnitë kalimtare shfaqen tek njerëzit, që në përgjithësi flenë mirë dhe zgjasin nga disa netë deri në tre javë. Shpesh në to kemi një shkak: situatë e dhimbshme, probleme personale ose profesionale, shok emocional, ankesa për shëndetin, ndryshimet e mjedisit ku flihet, zhurma, temperatura, cilësia e krevatit, marrja e substancave stimuluese, ndërprerja e menjëhershme e barnave për gjumë etj. Këto lloj pagjumësie janë më të shpeshta dhe më serioze tek persona të stresuar. Meqë janë të izoluara nuk kanë nevojë për mjekim dhe përmirësimi bëhet në mënyrë spontane me largimin ose dobësimm e shkakut. Mungesa e gjumit në këtë rast nuk është me pasoja për shëndetin. Por, ato mbartin me vehte rrezikun e kroniçimit.
Insomnitë kronike zgjasin më tepër se tre javë. Njerëzit ankohen se fjenë shumë pak, zgjohen shpesh natën dhe ndihen të lodhur gjatë ditës.
Insomnitë kronike ndahen në dy grupe të mëdha: I. Insomnitë parësore, ku pagjumësia nuk është simptomë e ndonjë sëmundjeje. II. Insomnitë dytësore, që pasojnë sëmundjet trupore ose psiqike.
I. Insomnitë parësore. Shumë studime tregojnë fillimin e çrregullimeve të gjumit, si pasojë e ngjarjeve stresuese dhe traumatike ose e grumbullimit të disa ngjarjeve fare banale, të cilat personi, pothuajse i ka harruar. I pagjumi është: 1. i pakënaqur me gjumin e tij të natës; 2. i pakënaqur me gjendjen e zgjmit gjatë ditës; 3. është i bindur se do të ndihej dhe do të punonte më mirë, në qoftë se do të flinte më mirë. Për të gjumi bëhet i keq, si gjatë netëve të javës, ashtu edhe në fund-javë, bile edhe gjatë pushimeve. Ky deficit në gjumë ka disa pasoja ditore, si: momente përgjumje, vështirësi përqëndrimi në punë, haresë, nervozizëm, lodhje, dobësi e përgjithshme dhe ndonjëherë gjendje të fikti. Kjo gjendje e pengon të sëmurin që të jetë aktiv. Ai nuk adaptohet dot me jetën e përditshme, fillon e humbet shprehitë e përditshme, bëhet me ankth dhe i dërmuar fizikisht dhe psiqikisht.
II. Insomnitë sekondare. Në to pagjumësia ndërthuret me ankesat e sëmundjes bazë. 10-15% e pagjumësive kronike janë nga përdorimi i alkolit ose i medikamenteve gjumëdhënëse. Efekti sedativ që ka alkoli nxit në fillim përgjumjen, por më pas nxit zgjime të shumta dhe pakëson zgjatjen e gjumit.
Përdorimi i zgjatur i ilaçeve për gjumë çon shpesh në humbjen e efektit të tyre, në rritjen e dozës dhe për pasojë në efekte anësore. Ndalimi i menjëhershëm i këtyre barnave shoqërohet me pagjumësi shumë serioze, që korigjohet me vështirësi.
Pagjumësi mund të shkaktojnë disa medikamente të përdorimit të përditshëm, si: hormonet e tiroidës, kortikoidet, antiparkinsoniket, beta-bllokuesit, disa antispastik urinar, disa antidepresor, disa nxitës të oreksit, preparatet që kanë kafeinë etj.
Turbullimet psiqiatrike, si depresioni ose gjendja e ankthit, në më tepër se gjysmën e rasteve paraqiten me pagjumësi kronike. Turbullimet e gjumit mund të jenë simptoma paralajmëruese të një depresioni. Gjendjet e stresit pas traumave të ndryshme shkaktojnë, gjithashtu një pagjumësi kronike.
Të shumtë janë pacientët me pagjumësi që paraqiten tek mjeku, të bindur se kanë një sëmundje të rëndë. Egzaminimi i tyre është normal dhe një përmirësim i gjendjes dhe i gjumit me mjekimin dhe me këshillat e dhëna (shih më poshtë) i bind ata për shkakun psikologjik të pagjumësisë së tyre.
Trajtimi i pagjumësive kronike bëhet në mënyrë specifike sipas shkakut dhe moshës. Në këtë trajtim duhet të kemi parasysh disa momente: 1. Insomniakët kanë një nivel eksitimi psiqik dhe një tension muskular të rritur në momentin kur shtrihet në krevat, çka është e papërputhshme me gjumin. 2. Kanë eksitim emocional të lidhur me personalitetin e tyre. 3. Kanë gjendje ankthi të lidhur me vështirësitë për të fjetur. Sa më tepër që mundohen për të fjetur aq më tepër bëhen me ankth e të tensionuar dhe kështu nuk mund të fjenë dot. 4. Në krevat kanë vështirësi të kontrollojnë mendimet e tyre që u vijnë me shumicë në kokë e i lenë pa gjumë.
Kur pagjumësia ka si shkak një sëmundje trupore (që shkakton dhimbje ose prek disa funksione jetësore, si frymëmarrjen) trajtohet fillimisht sëmundja bazë dhe pastaj përdoren dhe barnat per gjumë, duke zgjedhur ato që nuk rëndojnë sëmundjen.
Në pagjumësitë me origjinë lodhjen nervore, psikoterapia merr një rëndësi të veçantë.
Pagjumësitë kalimtare, që nuk janë shumë të vjetra kërkojnë një higjenë të mirë të gjumit dhe një ilaç për gjumë që eleminohet shpejt nga organizmi. Kur ato janë të lidhura me turbullime psiqiatrike, në veçanti të shoqëruara me depresion, përdoren antidepresoret triciklike.
Duhet theksuar se të gjitha barnat që jepen për gjumë duhet të përshkruhen nga mjeku specialist.
Disa këshilla për higjenën e gjumit: 1. Duhet kufizuar koha që kalohet në krevat, përveç asaj kur flemë. 2. Duhet të kemi një orar konstant të gjumit. 3. Mund të bëjmë ushtrime fizike gjatë ditës, por jo në mbrëmje. 4. Mjedisi ku flemë duhet të jetë i tillë, që të ndihmojë gjumin. 5. Ora e ngrënies në mbrëmje duhet të jetë konstante, duke mënjanuar ngrënien e shumtë dhe në orë të vona. 6. Duhen mënjanuar sa të jetë e mundur e më tepër barnat për gjumin. 7. Duhen mënjanuar drogat (kafja, alkoli). 8. Duhen mënjanuar analizat e problemeve të përditëshme në krevat.
Disa këshilla të tjera për të pagjumët: Shtrihuni vetëm kur jeni i lodhur dhe gati për të fjetur; përdoreni krevatin tuaj vetëm për të fjetur; mos hani, mos lexoni, mos shikoni televizor në të; në qoftë se nuk ju zë gjumi për 10 minuta çohuni dhe shikoni në ndonjë dhomë tjetër; ngrihuni çdo mëngjes në të njëjtën orë, cilado qoftë kohëzgjatja e gjumit të një nate më parë; mos bëni gjumë gjatë ditës, sidomos mbasdite.
Doktor Sokrat Xhaxha.