EmailFacebookKontakt

Çmim i lartë akademik i Universitetit të Bukureshtit për Kryepiskopin Anastas

Titulli më i lartë akademik i Fakultetit Orthodhoks Teologjik të Universitetit të Bukureshtit, Diploma Dumitru Staniloae, që u akordohet personaliteteve të shquara të teologjisë, iu dha të dielën, më datë 9.11.2003, në sallën e ceremonive të ndërtesës së vjetër të Parlamentit, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Prof. Dr. Anastasit, pas një vendimi të njëzëshëm të profesorëve të Fakultetit dhe të Senatit të këtij Universiteti. Profesori Atë Dhimitër Staniloae, konsiderohet teologu më i madh rumun i shekullit XX dhe këtë javë (9 – 14.11.2003), me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, po mbahet Kongresi Ndërkombëtar Teologjik me temë: “Teologjia bashkëkohore orthodhokse dhe jeta e Kishës”.

Dorëzimi u bë gjatë hapjes së Kongresit, në prani të Fortlumturisë së Tij, Patriarkut të Rumanisë Teoktistit, të shumë hierarkëve, Ministrit të Kulturës dhe të Çështjeve Fetare, akademikut z. Theodoresku, të rektorit të Universitetit të Bukureshtit z. Mihailesku, personaliteteve politike dhe akademike dhe shumë njerëzve të tjerë.

Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga katër klerikë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, arriti për vizitë zyrtare të shtunën (8.11.2003), në Bukuresht, ku u prit në aeroport nga Patriarku i Rumanisë dhe hierarkë të tjerë, me nderime kryetari shteti.

Mëngjesin e së dielës, të dy kryetarët e Kishave bashkëmeshuan edhe me dymbëdhjetë hierarkë të tjerë, në kishën e madhe të Shën Spiridhonit të Ri. Liturgjia Hyjnore u transmetua njëkohësisht nga Televizioni dhe Radioja Shtetërore.

Kryepiskopi Anastas do të mbajë në Kongres ligjëratën me temë: “Kontributi orthodhoks në çështjet themelore ndërkombëtare”, ndërsa me studentët e Universitetit ligjëratën: “Marrëdhëniet e Orthodhoksisë me fetë e tjera”.

Programi i vizitës përfshin takim me hierarkinë e Kishës së Rumanisë, vizita në episkopata dhe manastire të ndryshme, si dhe leksione me studentë të seminareve teologjike.

Kryepiskopi Anastas do të takohet gjithashtu me Presidentin e Rumanisë z. Jon Iliesku dhe me personalitete të tjera.

Eshtë hera e parë që një përfaqësi e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë viziton Patriarkanën e Rumanisë.

Gjithashtu, këtë javë qarkullon i përkthyer në rumanisht libri i Kryepiskopit Anastas “Globalizmi dhe Orthodhoksia”.

Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë